Putini i mbivlerësuar dëshmon forcën e tij në Serbi

502
Sigal

Dr. Qemal Lamaj

Situata politike në Serbi dhe marrëdhëniet e pa stabilizuara të saj me Kosovës, si dhe ndikimet e fuqishme e në rritje të Rusisë në Ballkan, tërhiqnin vëmendjen e politikës dhe të opinionit publik shqiptar edhe në vizitën e Presidenti i Rusisë Vladimir Putin në Serbi. Realisht, ai arriti qëllimet e paramenduara e të parapërgatitur të tij me bisedimet, deklarimet dhe marrëveshjet e nënshkruara.

Në këto përfundime me interes për Rusinë e Serbinë, është e domosdoshme të analizojmë pasojat e rreziqet potenciale për stabilitetin politik në Kosovë, interesat e mbarë kombit shqiptar në raport me hegjemoninë ruse, partneritetin strategjik rusi-serbi dhe presionin që ato ushtrojnë në tërësi paqen e sigurinë në tërë rajonin tonë.

Rusia dëshmon forcën dhe planet që të dominojë me interesat në rritje të gjeopolitikës ruse në Serbi dhe në Ballkan. Ekspansioni rus shfrytëzon situatën politike me tensionime në politikën e brendshme të shteteve ballkanike për të ndërhyrë e jetë më e pranishme në rajon. Në këtë ndërmarrje, Rusia inkurajohet, në radhë të parë, nga marrëdhëniet me tensione transatlantike që japin ndikime me uljen e vëmendjen politike dhe të veprimtarisë së pamjaftueshme të ndikimit të tyre në rajonin tonë që mbështetet e mbështet Aleancën Euroatlantike.

Rusia rrit praninë e saj ushtarake dhe fuqizon statusin e ushtarakëve të saj në Serbi, kur NATO si aleanca ushtarake e fuqishme në mbrojtje të paqes e sigurisë në Evropë vihet para situatës së vështirësive që ka krijuar Presidenti Tramp me qëndrimin e tij për tu tërhequr nga aleanca. Që nga krijimi i kësaj aleance në kushtet e Luftës së Ftohtë për të përballuar dhe kundërvënë rrezikut të kampit socialist të udhëhequr nga ish-Bashkimi Sovjetik, Rusia ka vepruar aktivisht për ta dëmtuar këtë aleancë. Tani papritur NATO dhe mbrojtja evropiane vihen në dilemë dhe Rusia krijon ose do të krijojë përparësi ushtarake e strategjike në Evropë e në Ballkan.

Prania më e madhe politike, ekonomike e ushtarake e Rusisë në Serbi është realisht një mbështetje më e fuqishme për Serbinë. Njëkohësisht, rritet natyrshëm rreziku për sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës, si dhe frenohen përpjekjet për të drejtat e liritë, gjendjen e të ardhmen e kombit shqiptar në Serbi, Malin e Zi, Maqedoni e kudo ku ata janë në trojet e tyre.  Me këtë dimension vlerësojmë edhe presionin ushtarak ndaj dy shteteve shqiptare. Putin u shpreh hapur kundër krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai vuri në dukje pakënaqësinë e tij dhe kritikon Bashkimin Evropian, duke e akuzuar se hesht para faktit të krijimit të ushtrisë së Kosovës, me argumentin se serbët ndjehen të kërcënuar, dëmtohet siguria dhe krijohet një rrezik serioz për situatën në Rajon. Po kështu, Putin tërheq vëmendjen dhe kërkon të imponojë politikën evropiane, duke theksuar se nuk është në interes të BE, të mbyllë sytë me veprime të tilla të njëanshme, të cilat shkelin rëndë të drejtën ndërkombëtare, sidomos, nëse Brukseli llogarit që të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj si ndërmjetës në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Me këtë qëndrim, Putin rithekson rolin ndërmjetës të Bashkimit Evropian për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por e kufizon në interpretimin që politika ruse dhe ajo serbe bën për Rezolutën 1244, për të ruajtur praninë ndërkombëtare, mosnjohjen e pavarësisë e sovranitetit dhe me armiqësi cilëson paligjshmërinë e shtetit të ri, duke ju kundërvënë me arrogancë e agresivitet realitetit politik dhe njohjes së gjerë ndërkombëtare të Kosovës.

Putin bën këto deklarime dhe kërkon arritjen e një marrëveshjeje që do të ishte në të mirën e popullit serb, megjithëse për propagandë thuhet se Rusia do të pranojë marrëveshjen që do të arrihet midis Serbisë dhe Kosovës. Normalisht, do të ishte në nderin e politikës ruse që të shprehej për të mirën e përbashkët të serbëve e të shqiptarëve.

Në këto qëndrime dhe mesazhe të qarta për politikën amerikane, evropiane dhe kundërvënie të hapur ndaj pavarësisë e sovranitetit të Kosovës e të drejtave e lirive të shqiptarëve në rajonet e tjera të Serbisë e më gjerë në Ballkan, vështirësohen pozitat në bisedimet për marrëveshjen. Serbia mbrohet hapur për politikën e saj ndaj Kosovës. Kërkohet që bisedimet dhe marrëveshja të bëhen të kushtëzuara me vullnetin e interesat e njëanshme të Serbisë, të imponohen bisedime për ribërjen e shtetit të Kosovës sipas pretendimeve të Serbisë për marrëveshje me njohjen e pranimin e interesave dhe sakrifikime të dyanshme për ndarje, shkëmbime territoresh e popullsie, etj.

Kosova dhe Shqipëria vihen para politikës kërcënuese të Rusisë. Të dy shtetet shqiptare nuk mund të përballen të vetëm me këtë politikë kushtëzuese. Mbrojtja e interesave të ligjshme të shqiptarëve dhe përballimi i situatës së komplikuar për marrëveshjen me Serbinë, evidentojnë edhe përgjegjësinë konkrete dhe domosdoshmërinë për mbështetje të drejtë nga partnerët tanë strategjikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Roli ndërmjetës i Bashkimit Evropian ka qenë i nevojshëm dhe i natyrshëm për vetë interesat e përbashkëta të Serbisë, Kosovës, Shqipërisë dhe shteteve të tjera ballkanike në rrugën e integrimit Evropian. Por, Bashkimi Evropian nuk ka mundësi dhe efektivisht ka dështuar në sfidën për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Pamundësia e Bashkimit Evropian ndikohet nga shumë faktorë. Së pari, ky mekanizëm i fuqishëm në rritje, nuk ka funksionet e domosdoshme të imponimit të vullnetit politik si një shtet, për vetë faktin se është akoma bashkësi e 27 shteteve sovrane, pas vendimit të Britanisë për tu larguar. Problemet e nacionalizmit në shtetet anëtare janë të ndjeshme dhe kanë marrë inkurajimin pas Breksit anglez, vështirësive ekonomike e financiare në disa shtete, krizës së emigrantëve etj.

Së dyti, interesat e ndryshme gjeopolitike amerikane e ruse, nuk lënë hapësirë që Bashkimi Evropian të fuqizohet si supershtet. Në këtë gjejnë direkt apo indirekt mbështetje edhe tendencat për shkëputje si me Breksin anglez dhe kërcënimet e grupimeve politike ultra-nacionaliste që janë bërë faktor politik dhe ndikojnë në politikën zyrtare duke u bërë pjesë e opozitës parlamentare.

Së treti, ndërmjetësimi dhe arritja e marrëveshjes së dëshiruar midis Kosovës e Serbisë, pengohet nga vetë orientimet dhe interesat themelore krejt të ndryshme të dy shteteve e popujve të tyre, të orientuara me partneritete të ndryshme strategjike. Kosova mbështetet tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Serbia tek Rusia. Në këtë drejtim ndikojnë edhe lëshimet, heshtja apo deri edhe mbështetja e Brukselit ndaj pretendimeve të padrejta për ndarjen e Kosovës.

Në këto rrethana politike, shqiptarët dëshmojnë dëshirën e mirë për marrëveshje historike me serbët dhe kontribuojnë. Por, ndjehen seriozisht të rrezikuar nga presioni i gjithanshëm për marrëveshje dhe për të bërë lëshime që bien në kundërshtim me interesat e drejta kombëtare. U pranua dhe u mbështet Marrëveshja ndërkombëtare e njohur “Ahtisari”. U korrigjua kufiri me Malin e Zi. Është e papranueshme dhurimi i Mitrovicës për të plotësuar pretendimet shoviniste të pushtimit nga Serbia. Është shkatërrimtare krijimi i Asiociacionit të komunave Serbe me të drejta ekzekutive teritoriale që është në fakt krijimi i një Srpske tjetër, një mini Serbie, që minon krejt shtetin e Kosovës. Kosova ka garantuar me Kushtetutë dhe në mekanizmin shtetëror të drejta dhe garanci reale që gëzohen nga serbët me standardet më të larta të njohura ndërkombëtarisht, përfshi edhe vetë Rusinë e cila akuzohet konkretisht për të drejat e liritë e pamjaftueshme të minoriteve. Është agresion ndaj shtetit dhe sovranitetit të Kosovës, pranimi i kërkesave të Putimit për vendosjen e policëve serbë në Kosovë, megjithëse ai e di mirë se në policinë dhe në ushtrinë e Kosovës janë aktualisht pjesë të tyre edhe serbët.

Qeveria e Kosovës vendosi me qëllime të qarta e të deklaruar zyrtarisht taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo ishte e vetmja mundësi reagimi ndaj politikës diskriminuese të Serbisë, lëshimeve të Bashkimit Evropian ndaj politikës serbe, zhgënjimit nga Brukseli për mos heqjen e vizave, megjithëse ishin plotësuar të gjitha kushtet dhe kishte dhënë kontributin në avancimin e Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit dhe hapjes së bisedimeve për anëtarësimin në BE.

Kushti i drejtë i Qeverisë së Kosovës është njohja e pavarësisë. Serbia nuk njeh realitetin, ndërsa kërkon heqjen e taksës. Putin kërkoi heqjen e taksës. Vuçiç ripërsëriti, ditën pas vizitës së Putinit, lutjen për heqjen e taksës. Bashkimi Evropian ka kërkuar dy herë heqjen e taksës. Ambasada e SHBA në Kosovë, sot përsëriti kërkesën për heqjen e taksës dhe përqendrimin e Qeverisë në prioritetet kryesore.

Qeveria e Kosovës është e vendosur në të drejtën e saj për vendosjen e taksës. Kjo nuk është një politikë populiste, për vetë faktin se u ndërmor kryesisht nga Qeveria si reagim ndaj nënvleftësimit të të drejtave të ligjshme të Kosovës. Shqiptarët dëshmojnë mbështetjen ndaj SHBA dhe kanë përherë në vëmendje orientimet e politikës amerikane.

Për të ndryshuar taksën, kërkohet që Serbia, të tregojë reflektimin e mundshëm në respektimin e marrëveshjeve të arritura. Nuk dëshirojmë destabilizimin në Serbi. Prandaj edhe ndjekim me vëmendje edhe protestat në Beograd. Demonstrohet për lirinë e medias dhe paprekshmërinë e gazetarëve, por vihen në plan të parë dorëheqja e Presidentit Vuçiç. Demonstratat e sotme, pas vizitës së Putin, tregon se opozita kërkon të largojë Vuçiçin nga pushteti, të mos arrihet marrëveshja Serbi-Kosovë, të marrë impulse më të fuqishme antishqiptarizmi, antievropianizmi, antiamerikanizmi dhe të vazhdojë edhe më i fuqishëm sllavizmi me strategjinë serbo-ruse.

Është në dobi të paqes e sigurisë në Serbi dhe arritjes së marrëveshjes me Kosovën që Rusia, Bashkimi Evropian dhe SHBA të reagojnë e dëshmojnë mbështetjen dhe të garantojnë fillimin e plotësimit të kërkesave të drejta të Qeverisë së Kosovës dhe në tërësi respektimin e mbrojtjen e interesave të ligjshme të shqiptarëve. Nuk duam të përfitojmë nga taksa, por as të viktimizohemi. Dëshirojmë marrëveshje të ndershme, dinjitoze, të barabartë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.