Punësimi në “Shqipërinë Tjetër!”

714
Sigal

Nga Silvana Begaj

Gjermania kërkon inxhinierë, saldatorë, mjekë, infermierë…! Gjermania po heq vizat e punës me vendet e Ballkanit! Çfarë “gëzimi” për Shqipërinë! Shqipërinë tonë që kaloi një periudhë të gjatë komunizmi (45 vjet), pastaj tranzicion të tejzgjatur (30 vjet) dhe kurrë në zhvillim…Unë nuk e kam përjetuar periudhën e gjatë të komunizmit, por kam dëgjuar dhe lexuar për të. Njerëzit sot janë të ndarë në dy grupime: Ka nga ata që e urrejnë atë periudhë dhe nga ata që e vlerësojnë. Nuk dua të futem në detaje, por do përmend disa pika të rëndësishme:

  • Thuhej, se njerëzit ishin të barabartë, por realisht ndaheshin në njerëzit e Bllokut dhe pjesës tjetër.
  • Si në çdo vend komunist punohej fort me ideologjinë, propagandën dhe për të ashtuquajturën “meritokraci”. Pra, krijonim dhe shkatërronim figura sipas rastit dhe në interes të propagandës.
  • Kishte shumë pak kuota për arsimim, të cilat ishin ëndrra e kujtdo që donte të studionte.

Për shkak të periudhës së gjatë të komunizmit dhe mungesës së mundësive për t’u arsimuar të brezit të prindërve tanë, ne u ushqyem me ndjenjën që me arsim ne mund të arrijmë majat dhe do të ishim një nga njerëzit e Bllokut, por harruam që Bllokun tashmë nuk e kanë të arsimuarit.
Sot, po lexoja me kujdes disa statistika online për punësimin dhe papunësinë në përqindje dhe që personalisht nuk mendoj që janë relevante dhe nuk dua t’u referohem!  Tradicionalisht, në vendin tonë, ndodh që pasi fëmija mbaron shkollën e mesme, prindërit rendin e regjistrojnë në shkollë të lartë duke menduar që ajo që ka vlerë realisht është thjesht një diplomë. Nuk është se janë totalisht gabim, pasi me një kërkim të thjeshtë kupton që Shqipëria është një vend paradoksal. Për shembull: Kush ka studiuar për gjuhë të huaja fillon punë financier dhe kush ka studiuar për financë punon përkthyes e kështu mund të përmendim plot shembuj. Kjo mënyrë e funksionimit të palogjikshëm heq dhe motivimin për ata që duan të bëhen profesionistë në profesionin e tyre. Në fakt, vrasja e ëndrrave fillon që në Universitet kur kupton që nuk mjafton thjesht të mësosh e të lexosh për të filluar hapat në formimin tënd, por kupton që ke ardhur në një mbretëri me disa principata (departamente) ku kërkohet nga një ”taksë” për secilën. Zakonisht, për një kërkim shkencor duhen muaj, e shpesh vite, që të kerkosh, formulosh dhe shkruash, një artikull shkencor e akoma më shumë për t’u aprovuar nga institucionet përkatëse dhe publikuar si i tillë, kurse në Shqipërinë tonë shkruhen libra me faqe e faqe të tëra nga një ”super profesor gjeni”, i cili bën një plagjiaturë të hapur,duke përkthyer në mënyrën më të pakuptueshme punën e të tjerëve.

  • Kjo është jeta që ne duam për vete dhe për fëmijët tanë?
  • Të investojmë për një shkollë apo profesion që nuk e pervetësojmë kurrë?
  • Të investojmë për të qenë askush?

Unë ftoj ata intelektualë që vërtet i duan e i çmojnë vlerat e vërteta të dijes me baza shkencore të punojmë së bashku për Shqipërinë Tjetër! Kjo thirrje vlen dhe për ata shqiptarë që janë integruar dhe njohin botën e qytetëruar ku duam te shkojmë.

Sepse në Shqipërinë Tjetër do të ketë:

  • Marrëveshje me kompanitë që studentët e universiteteve apo nxënësit e shkollave profesionale të krijojnë kontakte me punëdhënësit potencial.
  • Union studentor të mirë organizuar.
  • Punët verore, të cilat duhen nxitur dhe aplikuar për ata që duan të hyjnë në tregun e punës.
  • Temat e diplomave mos të hidhen në kosh si një punë copy-paste, por të inkurajojmë që kërkimi i tyre të jetë real dhe të vihet në zbatim, dhe pse jo te sjellë një punë në organizatën, institucionin apo kompaninë që është kryer ky kërkim.
  • Mikrofinancime dhe programe të tjera financuese që inkurajojnë të rinjtë për hapjen e SME
  • Organizime për të takuar, lidhur dhe për të shkëmbyer eksperiencat, problemet dhe kompetencat e duhura midis atyre që duan të jenë sipërmarrës dhe atyre që aktualisht janë.
  • Programe të cilat ndihmojnë të rinjtë për të gjetur rrugët e karrierës (Guidë karrieristike)
  • Internshipe të paguara
  • Të gjithë e dimë që sot ka rënë ndjeshëm niveli i besueshmërisë, që studentët apo nxënësit e shkollave profesionale, kanë kapacitete dhe aftësi për të praktikuar profesionin e tyre, pra, duhet një punë kolosale për rritjen e besimit (Trust building)

Në Shqipërinë Tjetër nuk lind drejtor, por fitohet duke u angazhuar në pozicione të ndryshme brenda të njëjtës organizatë për të krijuar perceptime të vlefshme dhe të nevojshme për postin drejtues në të ardhmen. Rrogat mujore nuk duhet dhe nuk do të jenë sa fatura e energjisë elektrike.
Garanci, organizim dhe krijimi i një sistemi i cili siguron pagimin e rrogës ne datat e caktuara.
Njerëzit me aftësi të veçanta duhet të kenë dhe do të kenë përkrahje te veçantë. Agjensia e punësimit e Shqipërisë Tjetër do të jetë funksionale.

A e dini si e çan njeriu rrugën e tij këtu?


“Ose me shkëlqimin e gjenisë, ose me artin e të korruptuarit…Duhet të hysh në këtë masë njerëzish si një gjyle topi ose të depërtosh si murtajë…Ndershmëria s’pi ujë..” Honore Balzak

Bashkohuni t’i tregojme Balzakut që ne nuk kemi nevojë për shkëlqimin e gjenisë si në kohën e komunizmit dhe as për artin e të korruptuarit që po na shkatërron çdo ditë sot…
Shqipëria Tjetër nuk është një ëndërr. Shqipëria Tjetër duhet të krijohet! Është domosdoshmëri, sepse ne nuk do ndërtojmë më Gjermaninë, Italinë, Greqinë apo shtete të tjera, por Shqiperinë tonë….