Pse ende heshtin sindikatat e Arsimit?

655
Sigal

Ermion Dulla

Armata e mësuesve po bëhet gati të nisë vitin e ri shkollor mes shumë pikëpyetjesh, që e kanë tromaksur dhe e kanë lënë të pagjumë, ende pa nisur viti i ri shkollor. Sepse mësuesi ndjehet krejt i braktisur dhe i poshtëruar nga të gjithë. Ndërsa ai nuk di të bëjë zë, po vetëm i bindet çdo lloj malukati, që e pështyn. Mësuesi tashmë me pagën e tij ka nisur të përgatitet për vitin e ri shkollor, të blejë në tregun e lirë regjistrin e notave, të blejë topat, me të cilët do të realizojë orët e mësimit të edukatës fizike, të blejë… edhe plot gjëra të tjera, që ai i di se do t’i duhen të zbukurojë klasën, që ka në kujdestari. Sepse nxënësve nuk mund t’u kërkojë ndihmë, se një gjë e tillë vlerësohet nga malukatët që e drejtojnë arsimin, shkelje. Kështu ndodh në këtë Shqipërinë tonë me mësuesin. Ndërsa ata që e fyejnë dhe e poshtërojnë 24 në 24 orë vetëm nënqeshin dhe mërmërisin: “Hajt se për kaq gjë, mësuesi është mësuar të fyhet”. Mësuesi pagën e shtatorit thuajse e ka bërë gati ta shpenzojë jo për fëmijët e tij, po për të përgatitur sa më mirë fillimin e vitit shkollor. Kur e mendon këtë, ai qesh mbyturazi nga frika, se mos e sheh njeri dhe belbëzon: Ah, mor Kryeministër! Ah, moj zonja Ministre! Na premtuat rritje page në ditët e festës së fundvitit të kaluar, ndërsa sot na thoni: Rritje page vetëm në vitin 2021. Mjafton ky mashtrim, që ne të ulërijmë. Po ne vetëm heshtim. Ju, këtë e dini ndaj dhe na mashtroni, kur t’u teket. Zonja Ministre! Në fund-vitin e kaluar nuk latë takim përshëndetës, ku të mos theksonit se, “shtesa do të nisë që në vitin 2018, një gjë e tillë parashikohet edhe në buxhetin e këtij viti. Çdo vit shtesa e pagës së mësuesit do të rritet me 10 për qind. Për gjithë mandatin e dytë të Rilindjes shtesa do të jetë 40 për qind”. Po tashmë gjithë shqiptarët e shohin se çfarë po ndodh në të vërtetë. As rritje page, as ndonjë gjë tjetër. Bile këto ditë na e theksuat pa u ardhur zor fare: Rritje page vetëm në vitin 2021. Që mësuesit nuk dinë të kundërshtojnë edhe kur u hipin në zverk, kjo gjë dihet prej kohësh. Po çudia më e madhe është heshtja e sindikatave, e sindikatave që deri tani duken vetëm kur i plaçkitin mësuesit përmes vjeljes së kuotizacionit të anëtarësisë në sindikatë. Askush nuk i pyet, po paratë ua mbajnë në pagë mësuesve të shkretë! Bile, edhe atyre që kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në sindikata. Dhe të tillë mësues ka plot. Kjo është histori tjetër, me të cilën e drejta është se duhet të merren organet e drejtësisë. Po Drejtësia në Shqipëri është një llum, që as Vetingu nuk po arrin ta pastrojë. Mësuesit të çuditur pyesin: Këto sindikata që po na plaçkitin në vazhdimësi, pse një herë nuk na dalin zot? Pse heshtin për mashtrimet që na bën ministrja dhe kryeministri? Pse hesht, kur na urdhërojnë, që me paratë tona të blejmë gjithçka për shkollën? Ne kështu detyrohemi, duke harruar edhe fëmijët tanë. Ndërsa milionerkat që drejtojnë Ministrinë vetëm na qeshin, kur na shohin ne të ndërkryer, pa mundur një herë të klithim me gjithë forcën e zërit. Një pamje tragjike e sindikalizmit në sektorin e arsimit. Po e tillë është situata edhe në sektorët e tjerë. Sindikalizmi prej vitesh ka vdekur. Veçanërisht në sektorin e Arsimit, ku shohim ende vetëm një betejë, një betejë mes dy sindikatave. Në këto kushte gjithçka ne duhet ta nisim nga e para. Për këtë kërkohet t’i bëjmë menderen të gjitha sindikatave dhe ta nisim gjithçka nga e para. Duke luftuar korrupsionin, që i ka zënë frymën edhe lëvizjes sindikaliste. Sepse tashmë asgjë nuk dihet për pronën e madhe, që trashëgoi kjo lëvizje nga ish-Bashkimi Profesional. Ku shkoi gjithë ajo pasuri? Kush e vodhi ndër vite? Pse në Shqipëri kur varfëria është në zgrip, askujt nuk i shkon mendja për një protestë? Të paktën për t’iu treguar gjithë të korruptuarve të këtij pushteti familjar se nuk mund të durojmë më nën këtë mjerim, që ka mbërthyer Shqipërinë. Për t’ia dalë me sukses kërkohet në radhë të parë zhdukja e sindikatave të tanishme, zhdukja e kësaj çerdheje mashtruesish e hajdutësh të pafre, zhdukje e mostrave të tilla, që dinë vetëm të plaçkitin, pa u dhënë ndonjë gjë mësuesve të shkretë, që po poshtërohen nga kushdo. Dhe mësuesi ka nisur të ulërijë: Mjaft më me poshtërsi të pafre. Nuk duroj më mostra që krenohen se kanë edhe doktoratura, që i kanë blerë në tregun e lirë dhe, ndoshta, nuk kanë as arsimin e mesëm. Sepse, me të tilla poshtërsi, kjo Shqipëri është e mbushur plot e përplot. Ndaj mësuesit ulërijnë: Pse hesht kjo mostër sindikatë?