Protestoj! Jo për partinë por për Shqipërinë

43

Nga Elio Laze

Pak ditë na ndajnë nga protesta masive e 16 shkurtit e njoftuar nga opozita. Që do të jem në shesh së bashku me miq, familjare e këdo që kam mundësi ta nxjerr aty, kjo nuk ka asnjë dyshim. Por le të sqarojmë përse unë do jem dhe përse kujtdo që unë njoh do i bëj thirrje të vijë.

Sigurisht që si çdo qytetar i këtij vendi edhe unë kam një bindje politike dhe jam votues i një partie. Dhe kjo është LSI. Por nuk është ky motivi që unë do të jem në protestë. Motivi është Shqipëria.

Po, Shqipëria sot është në rrezik. Që prej vitit 2013 kur në kurrizin e këtij vendi hipi Edi Rama si kryeministër, telashet që u betua dhe u stërbetua që do i mbyllte, vetëm i hapi shumë herë më të mëdha.

Nëse para ciklit “Rilindje” në sistemin shëndetësor kishte mjek por mungonte shërbimi, sot pas 6 viteve e kusur në pushtet të Ramës, nuk kemi as mjekë dhe as shërbim. Kemi vetëm koncencion për ca shokë dhe shoqe të kryeministrit. Drama nuk është se ca lekë po vidhen por drama e madhe është që shumë shpejt nuk do ngelin në këtë vend jo doktorë por as infermierë që të na bëjnë një gjilpërë. Dhe për këtë unë do të protestoj.

Nëse para ciklit “Rilindje” në sistemin arsimor kishte shumëllojshmëri zgjedhjesh për të ndjekur arsimin që nga parashkollori e deri në doktoraturë por mungonte cilesia, sot pas 6 viteve e kusur në pushtet të Ramës, nuk kemi as cilësi dhe as përmirësim. Kemi vetëm një fasadë me mbylljen e disa Universiteteve priv ate, por batërdia vijon. Ca shokë të kryeministrit hartuan ligjin e arsimit të lartë ku pas të cilit sistemi jo vetëm që nuk rilindi por u zhyt më keq në një batak që një zot e di si do dalë. Dhe me këto ritme, jo arsim që nuk kemi, por shpejt do vihet në dyshim a do këtë më studentë apo jo. Dhe për këtë unë do të protestoj.

Para ciklit “Rilindje” kishim një polici barkderre që i binte çiftelisë (sipas Ramës) por sot pas 6 viteve e kusur jo vetëm që rend dhe siguri nuk kemi por Policia që këta e ndërtuan siç deshën vetë është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Dhe ata efektivë të ndershëm e të përkushtuar në rradhën e trupës policore, vazhdojnë të jenë të keqpaguar e të nëpërkëmbur nga të fortët që rastësisht kanë patjetër një lidhje me kryeministrin. Dhe për këtë unë do të protestoj.

Deri në vitin 2013 kishim një media që sipas këtij që kemi, e kontrollonte ai që iku nëpërmjet presionit dhe reklamave. Por sot pas 6 viteve e kusur të Rilindjes në pushtet kemi jo vetëm kontroll nëpërmjet reklamave por një presion sade për pronarët, drejtorët, kryeredaktorët dhe moderatorët. Censura e tmerrshme e krijuar nga enturazhi kryeministror arriti të mbyllë programe televizive, të mbyllë gojë gazetarësh, sy pronarësh e arriti deri sa mbylli komplet një televizion. Dhe për këtë unë do të protestoj.

Me datën 16 shkurt do të protestoj as për Lulin as për LSI por për Shqipëri. Sepse Shqipëria ime po shpopullohet. Shqipëria ime po përçudnohet. Shqipëria ime po vidhet, po coptohet e po ndahet mes ca shokëve si një biftek i pjekur mirë. Do të protestoj për këdo që nga 2013 e deri më sot, në vend që të jetonte më mirë, ka marrë rrugët e botës duke iku nga ky vend si ikën Shejtani nga temjani.

Do të protestoj për miqtë e mi gazetarë, të politikës, kronikës apo investigimit të cilët ranë pre e dhunës dhe presionit të banditëve dhe sot jetojnë nëpër Europë apo Amerikë. Do të protestoj për çdo bisnesmen të ndershëm që nëpërmjet dhunës dhe shantazhit ka paguar haraçe të mëdha tek banditët e pushtetit apo banditët privatë.

Do të protestoj deri në largimin e Edi Ramës për t’i thënë kujtdo që do vijë pas tij, që e pret i njëjti fund në rast se sillet si ai me shtetin dhe pushtetin.

Unë do të protestoj me datë 16 dhe nuk do të jem në atë shesh për partinë por për Shqipërinë.