Prof. Zef Preçi: Qëndrimi ndaj trafikimit të azilantëve kërkon forcim të kufijve dhe nuk i shërben çeljes së negociatave

959
Sigal

Qëndrimi ndaj trafikimit të azilantëve kërkon forcim të kufijve shtetërorë dhe nuk i kontribuon çeljes së negociatave me BE-në

Para pak kohësh, një gazetar serioz më kërkoi mendim mbi mundësinë e ngritjes së një gardhi nga Mali i Zi në kufirin me vendin tonë. Nisur nga niveli i konsoliduar i marrëdhënieve midis dy vendeve, në përgjigjen time mbrojta pikëpamjen se ide të tilla qarkullojnë më shumë si refleksion i qëndrimeve të ngurta e udhëheqjeve populiste të disa vendeve anëtare të BE-së (siç është p.sh Hungaria) dhe se në rastin e vendit tonë duhen marrë parasysh disa specifika që e bëjnë atë të ndryshëm nga vendet e rajonit. Në fakt, është folur shumë për mundësinë e ngritjes së një gardhi nga pala Malazeze në kufirin e këtij vendi me Shqipërinë për të frenuar dhe kontrolluar fluksin migrator nga Veriu i Afrikës apo vendet e Lindjes së Mesme, përmes Turqisë e Greqisë drejt “zemrës” së Bashkimit Evropian – Gjermanisë dhe Francës. Mendoj se është një qëndrim personal i një drejtuesi të lartë të kufirit në MPB të Malit e Zi dhe jo një qëndrim zyrtar i autoriteteve shtetërore të këtij vendi.

Së pari, zhvillimet deri pra pak muajve kanë dëshmuar një fluks migrator të vogël, të paktën për periudhën e afërt. Fjala është për emigrantët e ligjshëm apo që vijnë përmes pikave të kalimit kufitar. Në fakt të dhënat zyrtare të javëve të fundit tregojnë se ka një rritje të emigracionit ilegal, kalimit të emigrantëve të paligjshëm nëpërmjet brezit të gjelbër etj. Kam përshtypjen se autoritetet qeveritare shqiptare ofrojnë një panoramë të rritur të këtij trafiku të paligjshëm të qenieve njerëzore me shpresë se kështu do të ndikohen liderit e BE-së për të nxituar disi në çeljen e negociatave me vendin tonë. Personalisht nuk besoj aspak te “diplomacia e presionit” sidomos kur bëhet fjalë vend problematik si yni, por gjithsesi kjo është çështje e qeverisë dhe brenda pak ditësh do të mësojmë se sa “e frutshme” ka qenë një diplomaci e tillë.

Së dyti, vendet pritëse të BE-së, duket se tashmë kanë ndryshuar politikën e tyre që deri dje favorizonte tërthorazi edhe emigracionin e paligjshëm. D m th respektimi i të drejtave njerëzore dhe mbështetja ndaj të ikurve nga “zonat e nxehta” të luftës si në Siri etj., ka shërbyer deri-diku edhe si nxitës për fluksin e refugjatëve përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Malin e Zi. Aktualisht në vendet pritëse të BE-së, nën ndikimin e partive populiste dhe koalicioneve të brishta qeverisëse me praninë e tyre, po shfaqet prirja e kundërt, d m th qëndrimi i prerë për refuzimin e klandestinëve dhe gradualisht edhe “zbrazja” e vendeve Perëndimore prej tyre (p.sh Italia me qeverinë e re të krijuar këto ditë). Pra vendet kryesore të BE-së, krahas me uljen e tensioneve me Turqinë, po përpiqen që të dekurajojnë emigracionin ilegal drejt tyre, dhe se në këtë mënyrë qeveritë e këtyre vendeve vlerësohet se do të frenojnë rritjen e mbështetjes publike ndaj grupimeve politike ekstremiste dhe populiste.

Së treti, edhe nëse ndodh që për shkak të përplasjeve të BE me Turqinë, kjo e fundit Turqia hap kufijtë për të mundësuar kalimin e emigrantëve drejt Evropës Qendrore dhe Evropa do të jetë gati për t’i pritur ata, territori shqiptar nuk duket se ishte deri më tani një korridor i preferuar për emigrantet. Kjo për faktin se në Shqipëri mungojnë hekurudhat dhe lidhja e tyre me vendet e tjera të rajonit. D m th, parimisht, vendi ynë nuk ka përse të shndërrohet në një rrugë kalimi e preferuar për refugjatët e ardhur nga Lindja e Mesme apo brigjet e Afrikës Veriore, por zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë se është ndryshe për rrjetet informale dhe kriminale që nxitin emigracionin dhe që përfitojnë prej tij. Duhet pranuar se në vendin tonë është ndërprerë kultivimi i marijuanës, por vazhdon trafikimi i stoqeve të saj dhe drogave të forta (kokainë, etj.) duke e kthyer vendin tonë në rrugë kalimi për këto të fundit. Pikërisht këto rrjete kriminale ndërkombëtare, në bashkëpunim me partnerët e tyre vendas përbëjnë një premisë e rrezikshme për nxitjen e trafikimit të qenieve njerëzore drejt Shqipërisë, me shpresë se prej këndej do të mund të shkojnë drejt “El dorados” (BE-së).

Ndërkaq zhvillimet e dy-tre muajve të fundit duket se kanë sjellë një panorame tjetër. Kështu përpjekjet e ethshme të autoriteteve shqiptare për të përshpejtuar procesin e integrimit Evropian (marrjen e ftesës për çeljen e negociatave të vendit tonë me BE-në), pavarësisht faktit të diskutueshëm se sa i përgatitur vendi ynë për këtë qëllim, po ndodhin njëkohësisht me shtimin e numrit të refugjatëve të paligjshëm që penetrojnë në territorin shqiptar, e prej këndej drejt Evropës qendrore (të dhënat flasin se të paktën gjysma e tyre nuk kërkojnë azil në Shqipëri). Kjo e ka vënë qeverinë shqiptare në një pozicion tejet delikat dhe të pafavorshëm në raport me hapjen ose jo të negociatave me BE-në.

Në një situatë normale, interesi i përbashkët i Shqipërisë dhe BE-së, por edhe që ndihmon hapjen e negociatave do të ishte rritja e kontrollit të kufijve të saj, paraliza dhe ndëshkimi i rreptë i grupeve kriminale që lehtësojnë kalimin ilegal të kufirit nga emigrantët e Veriut të Afrikës dhe Lindjes së Mesme nga jashtë brenda dhe prej këtu drejt Evropës qendrore. Mirëpo që të ndodhë kjo nevojitet jo vetëm propagandë qeveritare, por edhe rritje të kontrollit, të përgjegjësisë dhe bashkëveprimit të agjencive ligje-zbatuese vendase dhe me ato të BE-së. Çfarëdo qëndrimi i dyzuar i qeverisë apo më keq akoma trajtimin e këtij problemi si një mundësi për përshpejtimin e çeljes së negociatave duke e kthyer vendin “de facto” në një kamp për strehimin e ekstra-komunitarëve të paligjshëm është tejet i rrezikshëm, jo vetëm për sot, por edhe për perspektivën Evropiane të vendit. Në këtë optike meriton të analizohet edhe deklarata e zëvendës-Ministres së Brendshme dhënë Televizionit Kombëtar KLAN, se “Shqipëria nuk ka asnjë njoftim nga vendet e BE-së, apo nga Komisioni Evropian për ngritjen e qendrave të azilantëve… Nëse një gjë e tillë do të kërkohet qeveria shqiptare do të marrë një vendim të tillë. Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të pritur dhe trajtuar emigrantë të tillë” (https://tvklan.al/shqiperia-e-gatshme-te-prese-emigrante/). Ne aspektin formal zyrtar, një deklaratë e tillë tingëllon “politically corect”, por realisht mendoj se nuk qëndron. Nuk qëndron sepse kapacitetet strehuese të vendit tonë janë tejet të kufizuara – vetëm në disa qindra shtretër dhe për një kohë të shkurtër. Po kështu, deklarime të tilla mund të “përkthehen” kollaj si gatishmëri për të lehtësuar problemet me azilantët për qeveritë mike të vendeve të BE-së, por me keq akoma edhe si një inkurajim i tërthortë për rrjetet kriminale të sipër përmendura. Është pikërisht ky rrezik i dytë që duhet të kthejë vëmendjen drejt kontrollit të rreptë të kufijve për të ndëshkuar trafikimin e paligjshëm të tyre në brendësi të territorit shqiptar.

Në vlerësimin tim, është tejet e gabuar të lidhësh problemet e mprehta të qëndrimit ndaj azilantëve të trafikuar ilegalisht me çeljen e negociatave dhe akoma edhe me e gabuar angazhimi pa pasur kapacitetet njerëzore, materiale dhe financiare të nevojshme për këtë qëllim. Në ditët e sotme, bëhet përherë e me vështirë në mos e pamundur, edhe për një periudhë kohe shumë të gjatë, rikthimi i tyre drejt vendeve të origjinës.