Sigal

Dr. Bujar Leskaj

Kryetar i KLSH

Në 125 Vjetorin e lindjes së njërit prej shkencëtarëve të shquar të Europës së shekullit të XX-të për kërkimet në naftë dhe gjeologji,  Prof. Stanislav Zuberit, si KLSH, në bashkëpunimin me profesoratin e Fakultetit Gjeologji-Miniera të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, organizojmë këtë Akademi Përkujtimore në nderim të Prof. Zuber, në formën e një simpoziumi shkencor, për të njohur veprën e tij shumëpërmasore, në ndihmë të zhvillimit të shkencës dhe shoqërisë shqiptare, por edhe për të shprehur veneracionin tonë të thellë ndaj veprës së tij.  Në vitet 1927-1947, vendi ynë pati rastin fatlum të përfitonte nga kontributi i jashtëzakonshëm shkencor 20-vjeçar i Prof. Zuberit. Ai i ka lënë trashëgim Arkivit qendror të Gjeologjisë dhe të Institutit të Naftës 551 punime dhe bocete shkencore, me 480 punime të plota. Prof. Stanislav Zuber është hartuesi i hartës tektonike të Shqipërisë në shkallë 1:4 000 000, i Hartës Gjeologjike e Shqipërisë në shkallën 1:200 000 dhe i Hartës Minerale të Shqipërisë në shkallë 1:300 000. Deri kohët e fundit gjeologët tanë punonin me hartat e tij. Në nivel shkencor ndërkombëtar,  numri i përgjithshëm i studimeve tij arrin prej mëse 480 artikujsh te publikuar në revista të ndryshme të botës në vitet 1925-1946, por edhe më vonë, duke fituar 62 tituj shkencorë. Sikurse e cilëson Prof. Arqile Teta, studjuesi i tij më i njohur dhe autor i librit monografik kushtuar Prof. Zuberit “Prof. Stanislav Zuber-Jeta dhe vepra”, i përkthyer edhe në gjuhën polake në vitin 2017, ”Me Zuber-in filloi industrializimi i Shqipërisë. Disa ekonomistë të ditëve të sotme, në diskutimet që kemi bërë, e pranojnë këtë tezë; nuk gjejnë argumente ta rrëzojnë…Vetëm Prof. Zuberi arriti të zbulojë pellgun naftëmbajtës të Devollit(siç e quante atëhere Kuçovën Zuber-i) dhe në vitin 1928 shpoi pusin e parë që dha naftë në sasi dhe vlera industriale…Më vonë, kur u shtua dhe nafta e Patosit dhe nisi transporti i saj, Zuberi e zmadhoi diametrin e tubacionit nga Fieri në Vlorë në 300 mm. Filloi kështu eksporti i naftës shqiptare, si produkt industrial shqiptar. Kështu u hodh hapi i parë i industrializimit të vendit, që filloi nga industria e naftës që e projektoi dhe e ndërtoi Prof. Zuber-i”. Për 45 vite të tjera rrjesht (1947-1991), mrekullia 20 vjeçare që Profesor Stanislav Zuber iu ofroi aseteve të Shqipërisë(zbulimin e dhjetëra vendburimeve të naftës) dhe shkencëtarëve gjeologë të vendit (me dhjetëra e dhjetëra harta me vlerë të jashtëzakonshme që u përdorën deri vonë)  u “shpërblye” me sjelljen brutale dhe persekutimin absurd deri në vrasje të regjimit komunist, si dhe me heshtjen dhe indiferencën po aq vrastare pas krimit të kryer. Me përulësi kërkojmë një falje të madhe për krimin që i solli diktatura shqiptare Prof. Stanislav Zuber-it, por njëkohësisht falenderojmë profesorët e nderuar të Fakultetit të Gjeologjisë dhe nga Akademia e Shkencave dhe i gjithë profesorati shqiptar, që me praninë dhe kumtesat e tyre do të hedhin dritë të plotë mbi vlerat dhe meritat e kontributit të këtij inxhinieri të naftës dhe gjeolologu polak gjenial. Në librin me titull “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, i cili shkëlqen për nga vërtetësia, faktet e shumta, nxjerrjen lakuriq të rregjimit komunist, humanizmin e thellë dhe qëndrimin burrëror e atdhetar të shumicës së ajkës së shkencëtarëve e specialistëve, që bënë të mundur zbulimin e vendburimeve të reja të naftës në Shqipëri, gjeologu Nuredin Skraparit thekson:

Tragjedia e të ashtuquajturve sabotatorë apo grupe armiqësore, që realisht përbënte një genocid ndaj inteligjencës se naftes, fillon me dënimin e dijetarit, gjeologut të shquar polak Stanislav Zuber në vitin 1947. Profesor Zuber la si trashëgimi një hartë gjeologjike dhe tektonike të Shqipërisë të punuar deri në detaje, e cila përdoret edhe sot nga gjeologët tanë. Me puset që projektoi në Kuçovë në vitin 1928 dhe në Patos në vitin 1942, ai arriti të nxjerrë naftë industriale në zonat ranore. Me ardhjen në fuqi të rregjimit komunist, ai do të arrestohet si agjent i italianëve dhe do të lihet të vdesë në burg nga shkelmat e gardianit në mënyrën më shtazarake”. Momentet e fundit të jetës së Prof. Zuber-it i ka pershkruar me një penelatë mjeshtërore bashkëvuajtësi i tij i qelisë, shkrimtari i njohur Petro Marko:” Dhe tani ja ku ishim të dy: – ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë i ngarkuar me hekura. Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: – ai, i shtrirë përdhe, – unë, i varur. Ai murmuriste gjithë ditën dhe, pasi e pyesja se ç`murmuriste, thoshte: – Tani jam duke bërë një leksion për shkaqet pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme . .. Tani jam duke u lutur, – ai ishte katolik dhe lutej. E ngacmova dhe i thashë:”Si ka mundësi që një intelektual si ju të besojë?”. “Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vite“, m’u pergjigj. “Feja ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: edhe unë do të duroj dhe do të qendroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes. Pse njerëzimi beson? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani”.  Për gati një gjysëm shekulli, drama e Prof. Zuberit nuk mund të mos ngacmonte kujtesën e bashkëkohësve shqiptarë që patën mundësinë të punojnë ose edhe thjesht ta njohin. Për ta, e vërteta mbi fatin e tij ishte ngërthyer në një brengë lënduese, e cila bëhej më e dhimbshme nga fakti që nuk duhej folur kurrë për të.  Mirëpo nëse kujtimi dhe vepra e inxhinierit dhe gjeologut të famshëm polak u “ngrinë” në Shqipëri për 45 vjet, në vitet e demokracisë figura, kontributi dhe veprat që la pas po nisin të shpalosen të plotë.  Më 17 tetor 1991, në qytetin e Kuçoves u përurua busti i Profesorit të madh. Profesorati shqiptar ia njohu meritat dhe kontributin e jashtëzakonshëm në vitin 1992. Po në këtë vit, Presidenti i Republikës Prof. Dr. Sali Berisha  nderoi kujtimin e Prof. Zuberit me medaljen “Martir i Demokracisë”. Më 17 tetor 2011, Presidenti Bamir Topi i akordoi Inxh. Stanislav Zuber (pas vdekjes) Urdhërin “Nënë Tereza”. Ne si KLSH do t’i propozojmë Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta për të vlerësuar Prof. Zuber me titullin më të lartë në Shqipëri, me Urdhërin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Së shpejti, busti i Profesorit të madh polak, vepër e Skulptorit të popullit Muntaz Dhrami, i cili do të vendoset në Tiranë, si dhe ky simpozium shkencor që po organizojmë sot si Kontroll i Lartë i Shtetit, në nderim të thellë të veprës së Prof. Zuber, në vlerësim të marrëdhënieve miqësore të popullit shqiptar me popullin liridashës polak, si dhe të ndihmës dhe mbështetjes që i ka dhënë KLSH në këto 6 vite 2012-2018 institucioni më i lartë i auditimit publik në Poloni, Zyra Kombëtare e Auditimit (NIK), do të synojnë të jenë vetëm një pjesë shumë e vogël e borxhit të madh që kemi ne si shqiptarë përpara gjenialitetit dhe kontributit të jashtëzakonshëm të dhënë për Shqipërinë nga inxhinieri dhe gjeologu Stanislav Zuber.