Prof. Elmaz Sherifi: Traditë sulltanore!

555
????????????????????????????????????????????????????????
Sigal

Nuk shkëputemi ende nga tradita sulltanore. Statusi është bërë tre vjet më parë. Çfarë po ndryshon? Komisioni parlamentar i të ashtuquajturës “Reformë Zgjedhore”, sepse të gjitha i nominojmë reforma pa qenë aspak të tilla, kanë filluar diskutimet për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Po diskutohet që numërimi i votave të bëhet elektronikisht, dhe kështu duhet bërë, por asnjë fjalë nuk u dëgjua për komisionet zgjedhore me qëllim që ato të mos ndërtohen me përfaqësues partiak. Pa harruar se “batërdinë” në zgjedhje e bëjnë blerja e votave, presionet, manipulimet, premtimet për vende pune etj. Shpesh kam menduar se nga dreqin i mësuam këto metoda, kur në diktaturë nuk kishte nevojë të manipulojë, se dihej që të gjithë në rresht duhet të votonin “kandidatët e frontit”, partinë. Në fakt ne kemi një trashëgimi të keqe, që prej kohës kur ishim nën Perandorinë Osmane. Në prill 1912 gjashtë muaj para se të shpallej mëvetësia, u bënë zgjedhje të parakohshme për parlamentin osman. Shqiptarët ishin të pa organizuar politikisht dhe nuk kishin një parti. Elita e kohës ishte e ndarë e konkurronin njëri-tjetrin. Disa u regjistruan si kandidatë të Komitetit “Bashkim e Përparim”/ xhonturqit, disa për opozitën liberale. Xhonturqit e rritën presionin mbi popullsinë shqiptare që të zgjidheshin kandidatët e saj. Sipas Jani Vruho, një personalitet i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ata përdorën të gjitha mjetet “shkopin, thikën, koburen, dhe paranë”. Dhe ai jep një rast se si për të eliminuar Hasan Prishtinën premtuan 2000 lira, që ishin shumë e madhe atë kohë, ndërsa në Berat për të eliminuar Ismail Qemalin që konkurronte me Syrja Bej Vlorën u përdorën, aq shume intriga sa “nuk rrëfehen, e as nuk shkruhen me kalem”. Madje në Dibër e Elbasan nuk përmirësuan listat zgjedhore, por lanë ato të vitit 1908 për grup fshatrash, dhe fshatarët dërgonin një delegat që votonte edhe për ta. Në disa zona u përdoren edhe forcat e policisë dhe xhandarmërisë. Pra ishin të gjitha ato forma që përdoren edhe sot. Kot mundohemi për zgjedhje demokratike. Tradita sulltanore ka rrënjë të thella në Shqipëri. Këto i ruan etja e tejskajshme për pushtet, jo për qeverisje.