Prof. Dr. Zamira Çavo: Varfëria dhe korrupsioni 28-vjeçar i qeverive. Tekstet, reforma jo cilësore dhe kriza student – pedagog

635
Sigal

Arsimi që po na shket ndër duar!

Me dhjetëra herë e kam ngritur nevojën për fuqizimin e sistemit tonë arsimor. Sot ky problem është jetik. Kam kohë që dëgjoj se arsimi në Shqipëri është njësoj si në vendet e tjera, se ne po marrim modelin e tyre, se shkolla jonë po i afrohet asaj perëndimore e të tjera gjepura si këto. Ajo që vërehet është se shkolla shqiptare sot është në nivelin e saj më të ulët historik!

 Dhe ja disa konstatime:

  • Reformat në sistemin arsimor shqiptar (duke filluar nga parashkollori deri në arsimin e lartë) kanë pasur në qendër jo cilësinë por sasinë, jo edukimin por financimin, jo qytetarin por egoistin dhe oportunistin. Mjafton t’i hidhni një sy sot anës formale që mësuesit duhet të përmbushin (një tog shkresash me tituj bombastikë, si “kompetencat e të nxënit”, “portofol i nxënësit”, “karakteristika” etj), dhe bindeni që reformat janë thjesht për të anashkaluar cilësinë dhe, realisht, procesin e të nxënit.
  • Tekstet që i kemi marrë nga Oksfordi apo Kembrixhi, janë tekste që po i marrin në qafë fëmijët për shkak të nivelit të tyre tejet joformues. Hidhi një sy teksteve të matematikës, e fizikës dhe le të gjykojnë pedagogët e këtyre shkencave se sa punë duhet që nxënësit që vijnë nga gjimnazet të hyjnë në nivelet që kërkon universiteti. Dhe flas për universitetin shqiptar se atë evropian me siguri e ndjejnë nxënësit që konkurrojnë në universitete të huaja.
  • Cilësia e mësimdhënies është jashtë çdo kontrolli e vlerësimi. As inspektoratet e as modelet e dikurshme për të parë e vepruar mbi cilësinë e mësimdhënies nuk funksionojnë. Sot edhe mësuesi e ka pothuaj të pamundur të përgatitet cilësisht, pasi duhet të merret më shumë me shkresat se sa me mësimdhënien. Puna e mësuesit sot matet vetëm me kalueshmërinë, e cila duhet të jetë 100% domosdoshmërish!!!
  • Është në krizë raporti mësues/nxënës dhe pedagog/student. Nën idenë e lirisë në një sistem liberal është harruar se këto raporte janë përveçse raporte institucionale dhe raporte hierarkike intelektuale. Nxënësi apo studenti nuk mund ta shohë mësuesin apo pedagogun si  një individ çfarëdo, ndaj të cilit mund të  keqveprojë apo mund t’i shkatërrojë procesin mësimor. Kjo ndodh, sepse nuk ka më instrumente të vlerësimit të sjelljeve të tilla. Ndaj nuk mund të pranohet një politikë të tillë që t’i japë studentit “kartën” e vlerësimit cilësor të pedagogut! Nxënësi dhe studenti mund të pyeten, të japim mendimin për çdo gjë që ka të bëjë me mësuesin dhe pedagogun, por ata nuk mund të japin dot asnjë gjykim për cilësinë e leksionit, të tekstit apo të kurrikulës.
  • Shkolla nuk është më vend i edukimit qytetar. Askush nuk mendon më për këtë. Në vend të qytetarit sot po “krijojmë” individin egoist, të riun që i mbushet mëndja se është më i miri dhe se askush nuk ka të drejtë ta kritikojë apo t’i kërkojë llogari. Po krijojmë një brez që ka humbur respektin për dijen dhe solidaritetin njerëzor.
  • Institucionet që drejtojnë arsimin sot në Shqipëri janë ose inekzistene në funksionet e tyre ose drejtohen nga individë të paaftë , të cilët po e shkatërrojnë çdo ditë sistemin.

Dikush  mund të thotë, se kështu po ndodh në të gjithë botën. Nuk kam asnjë kundërshtim me këtë. Por duhet të sjellë në vëmendje se Shqipëria ka disa karakteristika të vetat:

  • Jemi një vend i varfër, por me shumë resurse që në vend t’i njohim e shfrytëzojmë po i shkatërrojmë.
  • Kemi një popullsi ende relativisht të re, por që nuk ka kurrfarë dëshire për dije, ama preferon të “studiojë” jashtë vendit.
  • Jemi një vend me një qeverisje të korruptuar prej 28 vitesh, një qeverisje që po e varfëron shoqërinë çdo ditë e më shumë e që ka nevojë për “turma injorantësh” dhe jo njerëzish të qytetëruar e të ditur!
  • Shqipëria ka nevojë për ARSIM! Dhe arsimin e bëjnë njerëz me dije dhe shpirt, e bëjnë ata që kanë në gjak artin e edukimit dhe profesionalizmin.

Lee Kuan Yew, (të cilit i dedikohet zhvillimi i jashtëzakonshëm i Singaporit) e pati arsimin shtyllën e tij kryesore mbështetëse dhe sot  pothuaj të gjithë bien dakord se meritokracia, e cila fitoi sfidën me burimet njerëzore, është faktori i dytë (pas bërjes së shtetit) që i dha shkëlqimin këtij vendi! Pra, sot kush fiton sfidën me burimet njerëzore, ka fituar sfidën e së ardhmes. Por çfarë burimesh njerëzore po përgatitim? Çfarë të ardhmeje po i lemë vendit?  Arsimi nuk është lodër në duart e fëmijëve, nuk është as fusha ku mund të shprehet anarkia mendore e qeverisjeve. Arsimi është e ardhmja e të gjithëve ne. Sot  kemi në drejtim, në vendimmarrje, në edukim një pjesë të madhe të të lindurve në vitin’ 90.  Ka prej tyre që  nuk dinë të kuptojnë atë çka lexojnë. I kemi quajtur ‘analfabetë funksionalë’. Por a mendoni se çdo të ndodhë pas disa dekadash?  Të mos harrojmë që janë po këto politika të qeverisjeve që i kanë dhënë vendit “tituj pa fund  të doktoraturave”, të cilat nuk i kanë lexuar në shumicën e rasteve as edhe komisionet e vlerësimit të tyre.

Nuk mund të jemi kurrë dakord me pretendimet e qeverisjes sot se “u mbyllën shkolla e universitete fantazma” dhe kjo është arritje e madhe e paparë. Sigurisht që u bë mirë që u mbyllën, por kush po vlerëson cilësisht çfarë realisht ndodh në arsim? Askush.

Unë mendoj se arsimi shqiptar sot  ka tri sfida madhore:

  • Gjetjen e kurrikulave të përshtatshme për krijimin e nxënësve qytetarë e me dije të qëndrueshme në fushat e nevojshme për kohën sikundër janë  matematika, fizika, logjika e historia”. (Kemi një brez fëmijësh shumë më të informuar se brezat paraardhës dhe shumë më të paformuar se ata të shkuarit). Gjetjen e kurrikulave të përshtatshme dhe të ofertës së re akademike për studentët me synim përshtatjen me nevojat e vendit por edhe me teknologjinë e sotme. Universitetet janë kthyer në gjimnaze dhe gjimnazet në shkolla fillore. Mjaft më me këtë maskaradë!
  • Cilësinë në formimin e nxënësit dhe studentit. Krijimin e një modeli të qëndrueshëm të vlerësimit të të dy anëve të medaljes . Boll më me teoritë e vetëvlerësimit e shkollës komunitare që vlerëson fëmijën, detyrat dhe tekstet! Boll më me testimet e huaja që i bëjmë sa për t’u hedhur sy statistikave dhe jo për një cilësi të qëndrueshme të dijeve të nxënësit apo studentit! Boll më me gënjeshtra  të tipit “rezultate të Maturës Shtetërore” ku për shkak të formalizmave nxënësit i nivelit të ulët shfaqet me notë të lartë dhe kjo cilësohet si “arritje”.
  • Organizimin institucional të vetë sistemit të drejtimit arsimor. Duke filluar këtë organizim nga institucionet e arsimit parauniversitar e deri tek dekanatet e rektorati në sistemin universitar. Këtu përfshijë edhe organizimin e Ministrisë së Arsimit në funksione dhe  meritokraci!

Arsimi shqiptar ka nevojë të shihet seriozisht nga politika, por ka nevojë të shihet seriozisht nga të gjithë ata që e duan vendin dhe të ardhmen e tij!