Sigal

Jakup B. GJOÇA

 Prof. Dr. Zamira Çavo në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se nuk u beson statistikave të qeverisë për rritjen e mirëqenies së shqiptarëve, ndërsa pretendimet për një turizën elitar në Shqipëri, është më tepër se një propagandë, derisa nuk kemi infrastrukturë, ujë, drita, kulturë profesionale, etj. Prof. Çavo pohon se nuk beson te sinqeriteti i kryeministrit Rama se mund të ndërtojë institucionet e drejtësisë. Shteti jep modelin më të keq në politikë, në legjislacion e në zbatimin e ligjit

– Prof. Çavo, ministri i Financave deklaron që mirëqenia e shqiptarëve është rritur në këto 5 vite të fundit. Mirëpo, është fakt, që 1 milion shqiptarë në këto 3 vite të fundit kanë aplikuar lotarinë amerikane të largohen nga Shqipëria. Cilin realitet të besojmë?

– Mendoj se çdo qeveri në Shqipërinë demokratike ka spekuluar shumë me këtë punën e rritjes ekonomike që gjoja na sillka detyrimisht mirëqenie për njerëzit. Unë mund ta pranoj ministrin e Financës kur thotë se “rritja ekonomike është e dukshme në shifra”. Sigurisht, që kështu mund të jetë, por ama unë pyes: Kjo rritje ekonomike, ky model i zhvillimit ekonomik publik privat, a e ka ndryshuar jetën e shqiptarit të thjeshtë? Sepse, kur flasim për mirëqenie, nuk mund të kemi parasysh vetëm mirëqenien e biznesmenëve, apo politikanëve, por të çdo individi. Ndaj të pretendosh se rritja ekonomike ka rritur mirëqenien e shqiptarëve është, jo vetëm një frazë demagogjike, por edhe e dëmshme teorikisht e praktikisht. Sot kur flasim për mirëqenie kemi parasysh, jo thjesht pagën që marrim e që ka tashmë disa vite që as indeksohet e jo më të rritet, por mbi të gjitha është cilësia e jetës, janë shpenzimet që bëjmë për shëndetësinë, për arsimin, për ushqimin. A janë rritur pozitivisht në favor të individit këta tregues? Sigurisht që jo! Shëndetësia jo vetëm nuk i ka ulur shpenzimet për individ, por duke ndryshuar strukturën e medikamenteve të rimbursueshme i ka detyruar njerëzit të rrisin shpenzimet për të blerë ilaçet që u nevojiten. A vazhdon struktura e blerjes nga individi shqiptar të jetë më e madhe për konsum ushqimor se sa për argëtim e kohë të lirë? Përgjigjet për të gjitha këto pyetje janë përgjigje me një fjali të vetme: Asgjë nuk ka ndryshuar pozitivisht për të mos thënë që në ndonjë rast janë përkeqësuar! Kështu pra, me pak fjalë, rritja ekonomike ka sjellë mirëqenie për një grup të vogël, por kurrsesi për shqiptarët.

– Shikojmë përditë e më shumë në bregdetin tonë shezlone bosh. A mund të pretendojmë se ofrojmë turizëm elitar?

– Shikoni unë nuk e kam kuptuar asnjëherë këtë pretendimin për turizëm elitar. Po si mund të mendojmë për këto nivele turizmi në Shqipërinë, ku mungon infrastruktura e duhur, ku mungojnë elementet bazë; dritat e uji, ku papastërtitë janë pjesë e ditës, ku shërbimi është gati primitiv? Shqipëria duhet të pretendojë turizëm masiv, sepse kushtet janë të tilla. Por kjo puna “elitare” mua jo rrallë më sjell në vëmendje dyshimin për ta shitur si elitar një biznes, që, pasi bën ca rregullime fasadash, “hyn” në listën elitare dhe sigurisht përfiton nga taksat e ulëta, që shteti ka vendosur për këtë “lloj turizmi”, Pra, me pak fjalë, nuk qëndron problemi te shezlonet bosh, por tek boshllëku që ka në politikat publike!

– Cilat janë shkaqet e krimit familjar në Shqipëri? Përse ka tendencë në rritje?

– Krimi është bërë sot pjesë e shoqërive postmoderne. Por në këtë Shqipërinë tonë të varfër është kthyer në “model” familjar. Shkaqet janë të shumta. Por ajo që do të veçoja ka të bëjë me dy elementë: Shtetin dhe shoqërinë! Shoqëria shqiptare është po e njëjta, si 100 vite më parë; indiferente, thashethemexhie dhe mbështetëse e agresorit kundër viktimës. Një shoqëri e tillë më shumë e nxit krimin e dhunën në familje. Ndërsa shteti jep modelin më të keq, si në politikë, në legjislacion, e në zbatimin e ligjit. Nëse në parlament “baballarët” e kombit, jo vetëm krijojnë skena dhune fizike e verbale, por në disa raste janë vetë përfaqësues të krimit. Ligjet për të mbrojtur viktimat janë të paplota, por edhe kur kryhet krimi gjykatat tona shikojnë xhepat dhe jo aktin, për të cilin duhet të japin gjykimin. Ndaj mendoj se krimi në familje do të vazhdojë të jetë në të tilla nivele, falë edhe ushqimit që i bën media vrastare!

Çdo të thotë për ju, (por edhe për ne shqiptarët) deklarata e Ulsi Manjës, pas bojkotit të opozitës për mosvotimin e projektligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”, që maxhoranca nuk kthehet më tek konsensusi i 23 korrikut 2016 për reformën në Drejtësi?

– Nuk komentoj deklarata emocionale. Mendoj se politika nuk mund të bëhet nga kushdo. Politika është art, është ndërgjegje, është shpirt për të menduar për publiken dhe jo personalen, qoftë ky edhe interes partiak.

A na çon në një regjim autoritar deklarata e kryeministrit Rama, që “ne (maxhoranca) do ta operojmë drejtësinë, dhe ne (maxhoranca) do të ngremë edhe institucionet e drejtësisë, pa konsensusin e opozitës?

– Autoritarizmin e kryeministrit unë e shikoj në disa drejtime të tjera. Për mua z Rama është sa autoritar aq edhe anarshist. Jam e bindur që për të çuar në vend “idetë” e tij është në gjendje të sakrifikojë, jo vetëm individë, por edhe ligje, edhe parime. Unë gjykoj se z Rama nuk mund ta dëshirojë sinqerisht reformën në drejtësi, pasi, nëse do të kishte qenë e vërtetë, nuk do kishte mbajtur pranë vetes individë të korruptuar, madje t’i vinte kryetarë bashkie apo kryetarë shteti! Ndaj z Rama nuk mund të jetë i besueshëm në sinqeritetin e tij për ngritjen e institucioneve të drejtësisë. Sa për opozitën, ajo është ende nën trysninë e frikës nga “hakmarrja” e politikës dhe jo e drejtësisë. Ndaj bëjnë pazare dhe këtu do jemi, që, kur të vijë puna, në fund të gjithë do bëhen “njësh” për ta zgjidhur situatën në “favor” të tyre. Janë lojëra të pozitës me opozitën për të ruajtur privilegjet edhe në institucionet e reja. A nuk e keni vënë re se edhe Vettingu po “kalon” tani edhe Zaganjorin me 1 miliard pasuri? A e beson dot njeri në Shqipëri që e gjithë kjo pasuri vihet me paga shteti apo me dhurime? A mund të më thotë njeri në Shqipëri që këto pasuri, të cilat nuk justifikohen a do të konfiskohen? Dhe, nëse po, do shitem për 10 mijë lekë pa e marrë vesh kush? Mos vallë do “varfërojmë” disa të korruptuar për të “pasuruar” disa të tjerë?

Çfarë do të thotë të jemi pa Gjykatë Kushtetuese për një kohë të gjatë? Cilat janë pasojat?

– Mendoj se sistemi i drejtësisë te ne ka hyrë në një rreth vicioz dhe mund të çahet vetëm nga brenda. Por nuk besoj se kjo gjendje do shkojë gjatë. Jam e bindur që në shtator gjërat do i kthehen “normalitetit” aq sa edhe ne vete do habitemi, se përse kemi bërë kaq shumë zhurmë. Dhe e dini arsyen? Sepse politikës nuk i intereson gjatë ky boshllëk institucional!

Si e gjykoni politikën e jashtme të Shqipërisë dhe qëndrimin e BE për mosçeljen e bisedimeve për negociatat dhe caktimin për qershorin e ardhshëm?

– Ka dy gjëra që më bëjnë përshtypje në politikën e jashtme e që më forcojnë besimin e asaj çka thashë më parë për zotin Rama. Në politikën e jashtme z Rama ka krijuar një model “trendy” që pëlqehet nga mediat e huaja, por edhe nga qarqe administrative të caktuara. Por në qarqet politike dyshimi është vërtetë i madh: Një vend i vogël, që për më tepër është në nivelet e mbijetesës ekonomike nuk mund të shesë “politikë të madhe” e të pretendojë rol lideri! Ndoshta kjo e ka penalizuar edhe vetë zotin Rama edhe vendin tonë të varfër.

– Prof. Çavo, ju si e shpjegoni që ambasadorja e BE në Tiranë nuk ka folur publikisht asnjëherë për kultivimin dhe trafikimin ndërkombëtar të hashashit në Shqipëri? Nuk ka parë, e as dëgjuar gjë? Po as për inkriminimin e parlamentit, nuk ka folur.

– Ne shqiptarët e kemi në ADN- tonë që i vlerësojmë të huajt më shumë nga ç’na vlerësojnë ata ne. Kështu ndodh edhe me ambasadorët. Ndoshta është një shprehje e dukshme e nënshtrimit të elitës sonë politike ndaj të huajve gjithnjë në mbrojtje të interesave të tyre. Ata kanë shitur tokën dhe nëntokën për të ruajtur këto interesa. Ndaj nuk më habit as mos përmendja e problemit të kanabisit e as mos përmendja e gjendjes së mjeruar ekonomike të shqiptarëve.

Si e parashikoni të ardhmen?

– Unë nuk jam fallxhore, por ama një gjë e kam të qartë si drita e diellit: Për aq kohë sa analizat që kanë bërë para 100 vitesh mendjet e ndritura të Rilindjes së vërtetë shqiptare, do të jenë aktuale, gjendja nuk ka për të qenë më e mirë. Kjo do të thotë se në kundërshtim me politikën, shqiptarët duhet të jenë solidarë e jo të përçarë, të kërkojnë arsim e jo të modelojnë jetën sipas interesave të klaneve partiake, të besojnë tek vetja dhe jo tek “njëshat” e, mbi të gjitha, të kuptojnë se pa pjesëmarrjen e tyre në politikë asgjë nuk do ndryshojë. Është më lehtë të rrëzosh një diktaturë, sesa një demokraci false.