Prof. Dr. Zamira Çavo: Llumi nuk është pasqyra e vërtetë e Universiteteve

667
Sigal

Një emision dhe disa probleme…

Prof. Dr. Zamira Çavo

Nëse na duhet të reflektojmë si shoqëri, si politikë e si institucione në lidhje me atë çka teleshikuesi pa në emisionin Stop, do të thosha: Janë aq të shumta problemet që dalin nga një investigim i tillë, sa do duheshin orë për t’i numëruar. Madje m’u duke se jemi në një rreth vicioz problemesh nga i cili nuk di si mund të dilet.
Po numëroj disa, ato më të dukshmet:
-Së pari, nuk është e para herë që për pedagogë të institucioneve të arsimit të lartë përflitet madje edhe me fakte, për aferat seksuale. Mund edhe të jenë penalizuar individë të tillë, por as shoqëria, as institucioni e as media nuk është marrë më me “dënimin” që ka marrë individi, të paktën për të treguar, se veprime të tilla nuk janë thjeshtë të turpshme, të “pamoralshme”, por janë të dënueshme. Pra, në vend të mbajtjes fshehur , me frikën se “dëmtojmë institucionin”, duhej formatuar një opinion goditës, jo në tavolina kafenesh, por në një opinioni shëndetshëm që nxit denoncimin por edhe “frenon” këtë lloj fenomeni. Nga ana tjetër krijimi i këtij opinioni do të frenonte edhe përhapjen e thashethemeve e, mbi të gjitha, krijimin e një fryme gati çnderuese për universitetet. JO, nuk janë të gjithë pedagogët të tillë! Jo! Por ne e kemi krijuar këtë opinion me qëndrimet tona të gabuara, institucionale, sociale, mediatike e politike!
-Së dyti, një pedagog si ai që pamë, vetëm pedagog nuk mund të jetë! Fjalori, qëndrimi, pale komunikimi dëshmojnë për një nivel vulgar human, e që institucioni, i cili e ka përzgjedhur për të qenë “edukues” i një brezi, duhet të mbajë përgjegjësi!
-Së treti, situata e treguar dëshmon se nuk paska qenë vetëm “Kristali”, por paska mundësi që ky fenomen të jetë i pranishëm edhe në institucionet publike! Kjo dëshmon për pafuqishmërinë e institucioneve përgjegjëse për të kontrolluar, monitoruar e vlerësuar procesin!
-Së katërti, vajza që shfaqet në video, është pjesa e një “llumi social” i cili kërkon me çdo kusht të marrë një diplomë e që me sa duket (për nga mundësitë) afrohet pa shumë “mund”. Pra dëshmon për një mentalitet të përhapur gjerësisht se një diplomë mund të merret pa mund e pa mësuar! Dhe kjo është mjaft e rëndë e një arsye që ka zhvlerësuar sistemin tonë universitar!
-Së pesti, në gjendjen e rëndë ku ndodhet sot arsimi universitar, politika e media po i fryjnë më shumë mahisjes së opinionit me problematikat më negative që për hir të së vërtetës janë tronditëse, por “harrojnë” edhe plot gjëra pozitive e modele pozitive që ka. Kryeministri do i ofrojë burse me siguri kësaj “studenteje” që paturpësisht kërkon diçka që nuk e meriton. Media i shkon pas Kryeministrit me rastin që publikon. Ndërsa unë si qytetare prisja ndonjë lajm për atë djalin e gjorë të “rrëmbyer” nga i ati sirian, media më ofron rastin që e ka pasur në sirtar e që ia ofron në pjatë të argjendtë kryeministrit për ta siguruar, se sulmi ndaj universitetit duhet të jetë edhe më i fortë!
Së fundi, Universiteti ka problematika gjigante për të zgjidhur. Por ato nuk zgjidhen me paaftësi, me doktoratura të dhëna pa kriter e me njerëz të inkriminuar!