Prof. Dr. Lush Susaj: Univeristetet mes nepotizmit dhe perversitetit

884
Sigal

“Limonët e shtrydhur të politikës” si ish-drejtorët, ish-funksionarët e lartë të administratës bëjnë veprime skandaloze

Studentët do ta shpëtojnë shtetin dhe universitetin nga nepotizmi dhe perversiteti

Duken sikur janë njerëz të paprekshëm, kapardisen dhe kujtojnë që kanë lindur për të sunduar

 

Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Pamjet e regjistruara nga emisioni “X”, në Universitetin e Elbasanit, e që u transmetuan në TV-në datën 17 Shtator 2019, janë vetëm një pjesë shumë e vogël e përmasave reale të degradimit të jetës akademike, administrative e shoqërore në universitetet dhe në të gjitha hallkat e administratës shtetërore të vendit. Në ato pamjet e transmetuara bëhej fjalë për një fenomen të shëmtuar, por fatkeqësisht të kudo gjendur në universitetet dhe hallkat e administratës shtetërore e politike të vendit. Regjistrimi dhe shfaqja e tyre nga ana e gazetarëve dhe emisioneve të pakta investigative që ka Shqipëria, mbeten një mundësi apo dritare shumë e vogël dhe shumë e dobishme nga ku mund të shikohet dhe kuptohet perversiteti, dekadenca dhe gjithë hipokrizia që luhet me realitetin e trishtë që është krijuar në universitetet dhe institucionet tona shtetërore. Është fjala për sjellje, fenomene dhe realitete që ndonëse bëjmë sikur nuk i shohim, apo hiqemi sikur ato nuk ekzistojnë, realisht po përballemi çdo ditë me stresin dhe anomalitë e tyre. Është fjala për sjelljet abuzive të një grushti njerëzish të njohur e që dihet se si janë katapultuar pa asnjë rregull e meritë në institucionet dhe në të gjitha universitetet e vendit. Në këtë takëm njerëzish turpërues, pikë së pari bien në sy ata që në bisedat tona të përditshme i quajmë “limonët e shtrydhur të politikës”. Këtu bëjnë pjesë disa nga ish drejtorët, nga ish funksionarët e lartë të administratës dhe institucioneve dhe disa të tjerë“doktor gjilpëra” që në këto 25 vite kanë kryer ato studimet dhe strategjitë e tyre idiote, e që përveçse për vjedhjen dhe shpërdorimin e projekteve, investimeve dhe pasurisë publike, nuk kanë shërbyer për asgjë tjetër. Këta njerëz apo pyka politike i kanë shërbyer verbërisht klaneve politike e krahinore. Janë njerëz që nuk kanë asnjë lloj formimi qytetarë as shkencor, nuk kanë asnjë njohuri mbi letërsinë, as filozofinë, as historinë, as natyrën. Për më tepër nuk kanë etikë as ndërgjegje intelektuale. Janë njerëz të bindur në abuzivizëm e hajdutëri, janë mjeshtra të imoralitetit, shantazhit dhe manipulimit.

 

Janë personazhe të urryera e që e kanë fëlliqur e nxirë ngado që kanë punuar e shkelur

 

Këto personazhe të bindura ndajë porosive të partive të tyre, në kohën e zgjedhjeve dhe rotacioneve të pushtetit politik, për të shpëtuar nga drejtësia dhe gjykimi për shkeljet administrative dhe produktin e munguar të investimeve, gjithnjë përmes konkurseve abuzive,janë përfshirë në stafet akademike. Kuptohet që rinia dhe studentët më të mirë të universiteteve tona, nuk u morën kurrë në konsideratë. Dihet nga të gjithë fakti që mundësia dhe rruga e vetme e tyre mbeti emigracioni dhe kampet e azilit. Këta janë ata profesorët e njohur që lëvizin me makina të kushtueshme, që kanë edhe vila e prona të shumta e të lëna me qira. Kanë edhe njohje e mbështetje të fuqishme në kupolat e stablishmentit aktual të politikës përçarëse e turpëruese. Kanë edhe njohje dhe lidhje të ngushtë me mafien e projekteve, pronave dhe vendimmarrjeve abuzive. Për këto e të tjera shkaqe sillën si bajraktarë, shtrojnë dreka e darka për tarafe e grupe të pa kultivuara nepotike e krahinore. Në këtë mënyrë, kanë bërë dhe vazhdojnë që të bëjnë karrierë vetëm duke manipuluar zgjedhjet dhe emërimet e reja të cilat i degradojnë në nepotizëm dhe në besnikërinë e votës për tu zgjedhur dhe rizgjedhur në krye të universiteteve, fakulteteve dhe institucioneve. Në këtë mënyrë, kako-politika e këtyre viteve dhe dekadave, duket që ka ushqyer paligjshmërinë, tarafin, përversitetin, hajdutërinë dhe injorancën e thellë në stafet pedagogjike dhe gjithëjetën universitare dhe akademike. Ky takëm njerëzish të katapultuar e të mbrojtur nga politika, falë sistemit antivlerë që kemi ndërtuar e ushqyer në vite, është trashur e fuqizuar aq shumë sa është bërë pengesë serioze për reformat dhe funksionimin demokratik të universiteteve. Duken sikur janë njerëz të paprekshëm, kapardisen dhe kujtojnë që kanë lindur për të sunduar, mendojnë që i meritojnë nderimet dhe favoret, përfshirë dhe ato seksuale. Këtyre njerëzve u janë errur logjika dhe sytë deri në atë masë sa kujtojnë që studentët dhe pedagogët që mësojnë, investojnë e punojnë me nderë, u dukën si miza, fare të parëndësishëm e që duhet të mos bëjnë zë e të durojnë humorin, ngeljen në klasë, grabitjen e deri dhe perversitetin dhe dëshirat e tyre të ulëta.

Një grup tjetër qartësisht i dallueshëm i atyre që po e shkatërrojnë imazhin dhe jetën akademike në universitetet e vendit (por dhe institucionet lokale e qendrore) janë anëtarët (fëmijët, gratë, kushërinjtë etj) e familjeve nepotike që e kanë kapur për fyti dhe paralizuar vendimmarrjen, drejtimin kolegjial dhe funksionimin demokratik në universitetet e vendit. Anëtarët e këtyre klaneve nepotike kanë zgjedhur drejtuesit dhe kanë gjithë kontrollin mbi punësimet, projektet, investimet, shkëmbimet me jashtë, etj. Klanet e trasha nepotike kanë në dorë edhe votat për zgjedhjet që do bëhen në vitin 2020. Kanë në dorë edhe ngeljen në klasë të atyre studentëve kurajoz e me aftësi të mira menaxheriale, siq kanë në dorë edhe serinë e dhjetave për ata që i servilosen dhe shërbejnë klaneve nepotike e krahinore. Klanet nepotike të konsoliduara me shumë konspiracion dhe egoizëm në këto 20 vite, kanë në dorë edhe mërzitjen dhe dëbimin nga shkolla për të gjithë ata që guxojnë të debatojnë, të kritikojnë apo të kërkojnë të drejtat e tyre minimale, Djemtë e klaneve nepotike nuk kanë vetëpërmbajtje, ata guxojnë dhe veprojnë sa herë që ju jepet rasti, njëlloj si ai që pamë në regjistrimin e bërë në Elbasan. Kurrë nuk kam arritur që të kuptoj arsyen dhe as logjikën e sëmurë të punësimit të familjeve, mëhallave apo katundit në universitete. Nuk është aspak e vërtetë që djali im, pavarësisht nga puna që bëj, të mund të ketë prirje, aftësi dhe rezultate për tu marrë me pedagogji, mësimdhënien dhe kërkimin shkencorë në universitet. Duke shkatërruar meritokracinë dhe konkurrimin e vlerave, po shkatërrojmë të tashmen dhe të ardhmen e universiteteve. Në këtë mënyrë po i kontribuohet degradimit të mëtejshëm të laboratorëve, teksteve dhe kapaciteteve pedagogjike. Me nepotizmin, korrupsionin dhe politizimin e universiteteve, po dëmtohet dhe degradohet mësimdhënia, administrimi transparent dhe debati intelektual. Po reduktohet mundësia e përmbushjes së misionit edukues e qytetarë të shkollave dhe universiteteve. Gjithnjë e më shumë, në vend të krijimit të qytetarit dhe intelektualit aktiv po stimulohet modeli i studentit, pedagogut dhe nëpunësit servil, tinëzarë, ligaç, imoralë e të korruptuar. Jetojmë në një kohë dhe vend ku abuzuesi, sharlatani, mashtruesi, imorali dhe i korruptuari quhen njerëz të zotë. Akoma më keq, në vend që të kuptohet e të thuhet se puna dhe shkolla do dije dhe karaktere të fisnikëruara, dëgjojmë që të thuhet se “puna do b…”. Limonët e shtrydhur të politikës dhe anëtarët e familjeve nepotike që janë punësuar jashtë kritereve në universitete, janë dhe do të mbetën pengesa më e madhe e reformimit dhe prosperimit të universiteteve. Pa asnjë dyshim që janë edhe burimi i vazhdueshëm i skandaleve dhe nxirjes së imazhit. Në këtë moment me vjen ndërmend një vjershë e shkruar nga Luigj Gurakuqi, në të cilën thuhet: “Ndër beteja nuk ban me u ligshtue/ Mjerë ai që nuk qëndron”. Qëndresa dhe beteja jonë e përbashkët për demokratizmin e universiteteve, për etikën, për meritokracinë, për liberalizimin dhe për lirinë akademike, është detyrim,domosdoshmëri. Më shumë se tek deklaratat demagogjike, besoj në guximin, reagimin dhe ringritjen e studentëve dhe profesorëve, besoj në zgjuarsinë dhe në forcën transformuese të tyre. Vetëm studentëve bashkuar kanë forcën dhe mundësinë për ta ndalur degradimin e mëtejshëm të jetës universitare dhe gjithë marrëdhënieve tona shoqërore e politike. Studentët do ta mbrojnë Shqipërinë dhe universitetin nga limonët e shtrydhur të politikës dhe nga kalamajtë e përkëdhelur të nepotizmit, korrupsionit dhe perversitetit.