Prof. Dr. Besnik Gjongecaj: Terror i paralajmëruar mbi universitete

802
Sigal

Si në asnjë rast tjetër, Këshilli i Ministrave i këtij vendi heshti për një kohë të gjatë, gati 3 vjeçare, dhe nuk nxori asnjë vendim në zbatim të Ligjit të Arsimit të Lartë, megjithëse ky Ligj e ka origjinën që nga viti 2015. Mungesa e shkresave që kanë në krye tri bashkëtingëllore nga më mbytëset të gjuhës shqipe,VKM, ngurtësuan jo pak struktura universitare si dhe procese që do të duhej të funksiononin kohë më parë. Boshllëku që ato lanë pas, megjithatë, u plotësua me shpejtësi nga hamendje të panumërta, ankthe të universitarëve që ndikoheshin drejtpërdrejt, por edhe abuzime, sigurisht. Gjithsesi, universitetet mbijetuan, duke dhënë një mesazh të frikshëm dhe të acartë njëkohësisht: universitetet mund të funksionojnë edhe pa qeverinë, edhe pa VKM-të, pra edhe pa këto “fermanë” mesjetarë të shkruar në kompjuterë modernë.

E gjithë kjo mori një profil konspirativ atëherë kur kryeministri i vendit tha publikisht se është e papranueshme që Ministria e Arsimit nuk i ka nxjerrë VKM-të për një kohë kaq të gjatë. Megjithëse ato prodhohen prej tij, kryeministri i vendit e përjashtoi veten nga përgjegjësia. Ai kishte funksionuar si kryeministër i vendit pa emetuar “fermanë” për universitetet, madje edhe për tri vite me radhë, por, dhe kjo ishte pjesa më tragjikomike, ai nuk e dinte këtë! Hamendjet e universitarëve u shtuan edhe më shumë, aq sa, jo pak prej tyre filluan të mendojnë se më në fund u gjet edhe shkaku më i thellë pse universitetet publike të këtij vendi kanë kohë që “marrin ujë”. Më injorantët madje edhe klithën: Eureka! Pas një heshtje gati një mujore, e gjithë kjo situatë u rimor përsëri në analizë nga ministrja e re e arsimit, e cila u përpoq të shpërndajë retë konspirative dhe ta humanizojë situatën. Në thelb, ajo i komunikoi publikut se ishte e ndërgjegjshme për atë që universitetet janë organizata të pavarura, por qeveria, thjesht, kërkon të jetë e sigurtë se ato, universitetet pra, po i kryejnë mirë “detyrat e shtëpisë”. Pra, në rast se universitetet nuk bëhen transparentë, nuk raportojnë korrupsionin dhe plagjiaturat, nuk përmirësojnë cilësinë e arsimimit, atëherë…fap del menjëherë qeveria dhe e merr përsipër situatën (dmth e nxjerr shpatën sipas përfytyrimit komunist, por në një kontekst historik mesjetar) duke emetuar VKM-të e prodhuara tashmë në bashqendrën e shtetit. Dhe situata rivendoset! Kaq e thjeshtë është, foli pothuajse kështu ministrja.

Por, nuk mbaron këtu ku e la ministrja. Madje, ekzaktësisht këtu fillon. Pohimi i ministres së arsimit se qeveria është gati të ndërhyjë kur universitetet nuk janë në lartësinë e detyrës së tyre, mbështetet nga një prej diversioneve më interesant të njohur më parë. Nuk ka dalje publike, gjysmë publike, deri madje nuk ka më as mbledhje fshati, në të cilën kryeministri, njerëz që punojnë për të, nuk iu drejtohen popullit përballë: Thonë që Ligji është i keq, duhet abroguar, por asnjë deri më sot nuk më ka dalë për të më treguar një gjë, të paktën vetëm një gjë, që nuk shkon me atë Ligj! Pastaj vjen automatikisht pyetja: Çfarë nuk shkon me Ligjin…ma thoni…në cilin nen, në cilën germë…Madje kryeministri dhe kasnecët janë pothuajse gati të pyesin edhe për gjëra imateriale, për frymën…çfarë nuk i pëlqen te ajo…fryma e Ligjit. Kryeministri, në fakt thotë të vërtetën. Ata me të cilën bisedon ai përballë ekraneve, vërtet nuk dinë t’i përgjigjen atij. Mjegulla bëhet edhe më e rëndë kur pyetjes se çfarë nuk shkon me Ligjin, aq më shumë asaj që, pse Ligji është shkaku më thelbësor i krizës së sotme universitare, nuk dinë t’i përgjigjen, të paktën publikisht, as shumica e autoriteteve universitare. Madje, kur një student, i cili kërkonte abrogimin e Ligjit iu drejtua një autoriteti universitar dhe sinqerisht e pyeti se vërtet, çfarë nuk shkon me Ligjin të cilin unë(studenti) kërkoj të abrogohet, përgjigja ishte shokuese: ….studentët kanë një pjesëmarrje të ulët në organet qeverisëse të universitetit!? Madje, një zonjë me status hibrid: edhe deputete, edhe pedagoge, përbetohej një ditë se nuk ka gjetur asnjë universitar në këtë vend që identifikon Ligjin si problem…

Pothuajse në asnjë kohë të karrierës sime të gjatë universitare nuk kam hasur një shpërfytyrim të tillë, që edhe po ta karakterizosh si kaos, ke thënë shumë pak. Është më shumë se kaos. Është zhbërje. Njerëzit po humbin lidhjet me njëri tjetrin, me institucionet, me vendin. Gjithçka po disproporcionohet. Si nga të gjitha anët, po vërshon një lëndë që tret çdo gjë: lidhje, struktura, “trarët” e mendimit ku mbështetet e gjithë shoqëria, të djeshmen si eksperiencë, të sotmen si mënyrë të jetuari, të ardhmen si shpresë. Është një lëndë që nuk e kisha vënë re kurrë kaq qartë: pa ngjyrë, pa erë, pa asnjë shenjë paralajmëruese. Një lëndë që origjinon prej midis nesh dhe që, prandaj, nuk e vëmë re, por që do të na “tresë” të gjithëve brenda saj. Nesër, kur të jetë shumë vonë, këtë lëndë, ndoshta, do ta quajmë “injoranca fatale”.

* * *

Ajo që qeveria nuk bëri dot në një periudhë më shumë se tri vjeçare pas daljes së Ligjit në vitin 2015, u krye me shpejtësi dhe jashtë diskutimit universitar në një kohë dy tri javore në mbyllje të vitit 2018. Qeveria prodhoi VKM-të e shumëpërfolura, të cilat jo vetëm për shkak të shpejtësisë, fshehtësisë, përmbajtjes brutale dhe pa ekuivoke, por edhe për shkak të bashkëtingëlloreve të gjetura si më mbytëset në gjuhën shqipe, i ngjajnë fermanëve që qendra e perandorisë osmane përgatiste për periferinë e saj. Ishte një si mesazh shumë i qartë për universitarët: kryeministri, qeveria, nuk komenton, nuk fjaloset me fjalë, por me fermanë, me VKM. Urdhri – ja çfarë del nga qendra e shtetit të këtij vendi për periferinë e saj: universitetet! Fermanët kishin numrat në krye: Fermani Nr. 777 (antiplagjiaturë), Fermani Nr. 781 (transparenca), Fermani Nr. 783 (kontrolli i mësimdhënies së profesorit)…

Ka shumë arsye të konkludohet që VKM-të e përmendura janë përpiluar pa u përcaktuar as në kohë dhe as në rrethana (që lexuesi të mos mërzitet, nuk po i rendisim këtu). Sitë tilla, të papërcaktuara, këto VKM janë jashtë kohës dhe hapësirës. Ja pse, ato janë edhe të paaplikueshme. Jashtë çdo dyshimi, asnjë autoritet universitar nuk do të mundte kurrë t’i vinte ato në zbatim. Këtu qëndron edhe pjesa e errët, e fshehtë, apo pjesa okulte e VKM-ve të fundvitit. Pse u dërguan ashtu, të pazbatueshme?! Qartësisht, VKM-të e prodhuara tri vjet pas daljes së Ligjit nuk janë dërguar për t’u vënë në zbatim nga universitetet dhe universitarët. Ato janë dërguar për t’i frikësuar ata. Në momentin kur vendi tronditej nga studentët, nga qendra e shtetit u prodhuan VKM – fermanët si kërcënim që profesorët, këta të përhumburit e shoqërisë, të mos guxonin të zgjoheshin!Terror numrash, VKM – fermanë; terror politik mbi universitete -ja si do të karakterizohej mbyllja e vitit 2018 për sistemin e arsimit të lartë të këtij vendi.

* * *

Megjithatë, një pyetje shumë e rëndësishme mbetet: Si arriti qeveria e këtij vendi, i cili quhet edhe demokratik, të dërgojë urdhra ose VKM-fermanë te universitetet publikë, kur presupozohet që institucione të tilla janë autonome nga pikëpamja strukturore, administrative dhe financiare? A ndodh kështu edhe në vendet e tjera demokratike? Jo, sigurisht. Kur universitetet marrin autonomi reale, atëherë krejt sistemi i arsimit të lartë nuk mund të qeveriset direkt nga qeveria, e cila, nga ana e saj, nuk mund të bëjë më shumë se hartimi i politikave, Ligjit dhe buxhetit financiar në shërbim të zbatimit të tyre. Qeveria, në këtë pikëpamje, nuk mund të ushtrojë asnjë element qeverisës direkt te universitetet, ashtu sikundër edhe vetë universitetet, nuk mund të mos i përgjigjen politikave të hartuara prej saj. Për të shmangur pra të dyja, si influencën direkte të qeverisë (politikës) në universitete, ashtu edhe mosreagimin e universiteteve ndaj politikave shtetërore (publike) mbi arsimin e lartë, midis tyre, pra në hapësirën midis universiteteve dhe qeverisë, krijohen struktura të veçanta, jashtë qeveritare. Këto struktura quhen edhe struktura ndërmjetëse dhe veçoria më esenciale e tyre është ajo që, ato nuk i përkasin as universiteteve dhe as qeverisë. Këto struktura kanë gjetur legjitimitet në një sistem universitar të një vendi demokratik, sepse luajnë një rol “buferik”, “tampon”, midis qeverisë dhe universiteteve. Në fund të fundit, ato nuk lejojnë ndërhyrjen direkte të qeverisë te universitetet. Por, nga ana tjetër, ato përmbushin përgjegjësi që nuk mund t’iu lihen as qeverive dhe as universiteteve. Strukturat ndërmjetëse janë përgjegjëse të bëjnë një shqyrtim analitik të programit politik (policies dhe jo politics) në funksion të zhvillimit të sistemit të arsimit të lartë dhe ta detajojnë atë për universitetet. Sigurisht, jo duke urdhëruar, por duke aplikuar incentiva dhe parime të njohura që i detyrojnë universitetet t’i zbatojnë ato.

Qeveria e këtij vendi ka bërë të kundërtën. Në Ligj, ajo i ka projektuar këto struktura si shtojca të drejtorive të Ministrisë së Arsimit, megjithëse me definicion ato janë ndërmjetëse. Është kështu sepse qeveria përcakton drejtuesit, anëtarësinë e tyre, si dhe çdo aktivitet që kryejnë këto struktura (qeveria i quan agjenci). Të zbrazura nga përmbajtja e tyre natyrore, duke i lënë pa mision, pra të denatyruara, qeveria i vendosi këto struktura në Ligj dhe priti ditën kur do t’i përdorte ashtu brutalisht, kundër universiteteve. Ashtu sikundër i përdori: si instrumente për të ushtruar presion mbi universitetet dhe universitarët. Nëse këto struktura do të ishin konceptuar në statusin e tyre natyror, pra si struktura ndërmjetëse, atëherë qeveria nuk do të mund të prodhonte VKM – fermanë të fund vitit që kaloi. Ato do t’i prodhonin vetë strukturat e ndërmjetme, dhe nuk do të quheshin as VKM dhe as fermanë. Thjesht, do të kishin formën e politikave analitike të pajisura me incentiva inkurajues për universitetet. Kaq!

* * *

VKM – fermanë të fundvitit të shkuar ishin dhurata më e zezë që qeveria do të mund t’i bënte universiteteve të këtij vendi. Ato u përgatitën në mënyrë okulte dhe po kështu u përdorën për të terrorizuar universitetet dhe universitarët. Për ata që kuptojnë, ishte edhe një dhuratë e paralajmëruar, tri vite më parë dhe me miratimin e Ligjit.

Në këtë pikëpamje, Ligji i sotëm i universiteteve është një nga shembujt më brutalë, prandaj edhe më të dhimbshëm, se si politika arrin deri në pikën ku krijon pushtet për vete duke rrënuar universitetet. Nëpërmjet këtij Ligji politika bëri copë e thërrime të gjitha parimet, standardet, mbi të cilat do të duhet të ndërtohen universitetet dhe sistemi i arsimit të lartë i këtij vendi. I shndërroi strukturat ndërmjetëse të sistemit: Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), Bordi i Akreditimit, Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH) Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI); në shtojca drejtorish ministeriale, “kamxhik” në duart e qeverisë, që e përdori menjëherë sapo vuri re se universitetet kërkonin ndryshimin politik të vendit.

Nëpërmjet këtij Ligji, qeveria shpërfytyroi ndërtimin strukturor të universiteteve dhe u bë pjesë e administrimit të brendshëm të tyre. Në këtë mënyrë ajo shënoi një hap barbar, parademokratik, në procesin tridhjetë vjeçar të shndërrimit të sistemeve universitarë në vendet e ish Lindjes.

Nëpërmjet këtij Ligji, për herë të parë u ravijëzua profili i një standardi moral të panjohur më parë: kapitulli XII, atje ku qeveria ndërton interesin privat mbi rrënimin e interesit publik.