Sigal

Fatos Arapi, poeti ynë zë- ëmbël dhe i dhembshur, bregdetas dhe epik, vetanak dhe social, nga 12 tetori do t’i përkasë përjetësisë. Do t’i përkasë përjetësisë poeti që i deshi të gjithë që nga lashtësia, deri sot dhe e deshën të gjithë. Pas kësaj, Fatos Arapin ne nuk do të mund ta gjejmë në bregdetin e Vlorës anës së detit Jon, me të cilin ai ndërtoi tharmin e qëndrueshëm të formimit të tij, por dhe të poetit, metaforën universale të poezisë së tij, të cilën e ndërtoi mbi raportet e fatit të individit me atë të kohës dhe shoqërisë, të historisë, të humanizmit, të luftës dhe jetës, të dhimbjes dhe të gëzimit. Askush poet shqiptar nuk e rroku më mirë dhe më poetikisht kohën që jetoi si Fatos Arapi. Poezisë shqipe do t’i mungojë shqisa mesdhetare, e një poezie të harmonishme me kohën, brenda së cilës ishte e tashmja e përjeshme, e kaluara dhe e ardhmja. Poezisë shqipe do t’i mungojë ai petku blu ku deti dhe qielli bashkohen në horizontin e detit Jon, i cili ishte bashkëudhëtari i përhershëm i Fatos Arapit dhe kur ai ishte në Vlorë dhe kur ikte larg, dhe kur i këndonte historisë apo luftës dhe kur i këndonte dashurisë. Do t’i mungojë aroma e portoklleve, limonëve, kuajt e bardhë të dallgëve të detit që i shuheshin tek këmbët netëve të dimrit. Do t’i mungojnë brenga dhe mërzia e poetit larg Vlorës si tij të dashur, të njerëzve të saj jetësorë dhe të shtrenjtë.

Fatos Arapi, që nga vitet 50-të të shekullit të XX kur u shfaq në poezinë shqipe, duket se erdhi me një lloj petku të ndritur, një petk që e mbajti veshur gjatë gjithë jetës së tij, një lirizëm brilant, me një ndjesi prekjeje të gjithëçkaje që i shihte syri. Në poezinë shqipe diçka do ta kemi më pak, një zë lirik të ëmbël, i cili ishte vetëm zëri i tij, i pangjashëm me asnjë zë tjetër, i pakrahasueshëm me asnjë zë tjetër, një zë i papërsëritshëm në poezinë dhe lirikën shqipe.  Largimi nga kjo jetë e Fatos Arapit është një trishtim i thellë për njerëzit, për poezinë, për letërsinë, për intelektualët, për ata që e njohën, për studentët e veçmas për filologjistët, për publicistët, për studiuesit. Është një trishtim i thellë për këngët kreshnike, për lahutën, për malsorët dhe bregdetasit, për teatrin dhe ata që do ta lexojnë dhe në të ardhmen; ai ishte miku i të gjithëve në të gjithë format e jetesës, në gjithë larminë e komunikimit artistik, estetik dhe publicitar. Fatos Arapi ishte një nga njerëzit me një ndjeshmëri të pazakontë për gjithçka ndodhte në vendlindjen e tij, për gjithçka ndodhte në Vlorë, në Shqipëri, në trojet etnike shqiptare, e gjithë ajo ndjeshmëri kthehej në poezi, në letërsi, në mendim dhe në vlerë shoqërore.  Ndryshe shumë poetëve të tjerë, Fatos Arapi poet, përveçse një vokacioni të njohur arapian, ai përbën një fenomen të vërtetë në vetvete, dhe ngjan si ai lumi, i cili e nis rrugëtimin e vet ashtu pak e nga pak, e gjatë këtij rrugëtimi zgjerohet, vërshon dhe bëhet i vështirë për t’u kaluar në anën tjetër.  Kështu ndodhi që nga fillimn e jetës letrare të tij e deri sot. Duke qenë njëri nga poetët më të rëndësishëm dhe më të njohur të letërsisë shqipe dhe poezisë shqipe pas vitit 1945, Fatos Arapi është poeti i cili është kthyer në pasqyrë të kohës më mirë se kushdo tjetër krijues i brezit të tij. Tek askush poet tjetër se sa në poezinë e tij, shoqëria, marrëdhëniet, njerëzit në sakrifica dhe në ditët e gëzuara, zhvillimet kombëtare dhe ndërkombëtare, konstitucioni shpirtërorë i vlonjatit dhe shqiptarit në përgjithësi, Fatos Arapi i shndërroi në perla poetike, në një komunikim të rëndësishëm mes njëri- tjetrit dhe të një kohe për kohët e tjera. Në historinë botërore, cilësitë dhe tiparet e epokave, madje dhe nyjet e zhvillimit njerëzor, i janë dhënë historisë dhe shkencave sociale përmes poezisë. Fatos Arapi i la poezisë shqiptare një pasuri të paçmuar që nga mesi i shekullit XX deri në ditët tona. Poezia e tij duke qenë një komunikim i zgjedhur dhe njerëzor, një komunikim në të cilin duket frymëmarrja e kohës, do të jetë një tipar përfaqësues i poezisë shqipe për të ardhmen. Poezia e Fatos Arapit do të jetë një model orientues i një poezie me karakter të qartë kombëtar dhe qytetar. Duke qenë një përfaqësues i një kohe emblematike, i një momenti kombëtar, ku shoqëria shqiptare synonte progresin dhe ndërtimin e një shoqërie humane, Fatos Arapi, duke qenë një qytetar i vërtetë, një djalosh i shkolluar, një fëmijë i rritur në perlën e bregdetit shqiptar anës së detit Jon, me një kulturë dhe ndjeshmëri të madhe, do të shënonte emrin e tij në panteonin e kulturës dhe letërsisë shqiptare, si poet, dramaturg, romancier, novelist, studiues, si gjurmues i kulturës së hershme shqiptare, si pedagog dhe si kulturolg i spikatur. Ai la pas një krijimtari dhe kontribut të madh.  Nëse pas kësaj do të na mungojnë hapat e tij në rrugë e anës së detit, nuk na mungon shpirti i tij i derdhur në prozë e në poezi të shtrira në gati gjashtëdhjetë vite krijimtari. Fatos Arapi shkroi në prozës novelat “Patat e egra” (1969), “Cipa e borës (1985), “Gjeniu pa kokë” (1999), shkroi romanet “Dhjetori i shqetësuar” (1970), “Deti në mes“ (1986), shkroi dramat “Qesari dhe ushtari i mirë Zhvejk, në një front diku”(1995), “Partizani pa emër” (1962), botoi përkthimet nga letërsia e huaj, kryesisht poezi “Këngë për mjerimin” të Nikolla Vacparov (1981), “Pablo Neruda” (1989), “Safo” (1990), “Antologji e poezisë turke”dhe poezia të tjera në shtypin periodik të kohës. Në gjysmën e dytë të viteve 50-të, përkatësisht viteve 1962- 1968, poeti Fatos Arapi boton vëllimet poetik “Shtigje poetike” dhe “Poezi dhe vjersha”, ku shfaqet si një poet i dimensioneve të gjera.  Në rrethanat e kufizimit ideologjik të kohës, veçmas pas vitit 1960, Arapi si një poet i talentuar që ishte, gjeti shtigje për të dalë nga ky rreth i ngurtë. Në këtë kohë ai shkroi poemat “Alarme të përgjakura” apo “I përkasim komunizmit”, në të cilat shfaqet dimensioni i kohës, zhvillimet kohore, kushtet në të cilat ndodhej Shqipëria dhe shqiptarët. Poeti krijon vokacionin e kohës në këtë rast, pasi ai nuk e harron atdheun, por arrin ta rishfaqë atë (atdheun) përmes emocioneve patriotike të tij. Poezia “Atdheu” është një model i përkryer i dashurisë dhe sakrificës për atdheun.  Pas “90-të, poeti  Fatos Arapi botoi më shumë poezi se shumë poetë të tjerë, qofshin dhe të ndaluar, pasi në një farë mënyre dhe ai kishte qenë i ndaluar. Të një fryme ekzistenciale janë vëllimet me poezi “Ku shkoni ju statuja” dhe “Dafina nën shi” të botuar në vitin 1991, pastaj Arapi ka botuar librat “Në pikëllimin e dritave” (1993), “Më vjen keq për Jagon”(19940 , “In Tebenis”(1996), “ Më duhet një gjysmë ëndrre” (1999). Me cnlirimi nga “prangat e të kaluarës” në poezitë e kësaj kohe që pasuan me zhvillime dramatike në vend, Fatos Arapi i dha një dimension tjetër brengës dhe trishtimit të tij, nën motivet brilante të dilemës “Ç’të bëjmë me lirinë” në kushtet e lirisë. Në këtë hapësirë, e cila herë është e madhe dhe herë e vogël, Fatos Arapi solli një qasje mbi dhimbjen dhe trishtimin për atdheun, veçmas Vlorën e tij dhe Tiranën ku jeton, ndërsa “cikli i Vllasit”, i cili mban në vetvete kujtimin për vëllanë e vrarë në rrethana misterioze gjatë luftës së Dytë Botërore është i papërsëritshëm në poezinë shqiptare.

Në gati tridhjetë vite të tjera të kohës pluraliste, Fatos Arapi ka shkruar poezi, romane, studime, poema, publicistikë, vlerësime të natyrave të ndryshme, të cilët përbëjnë një fond të rëndësishëm  autorial dhe tematik, pasi në poezinë e tij ka një refleksion të gjerë dhe korrekt të kohës, mendimit estetik, qasjeve poetike bashkëkohore dhe bashkëpunues. Ikja e fundit e Fatos Arapit na ka trishtuar të gjithëve dhe pse ai la një pasuri të çmuar, një krijimtari jo të zakontë, ku pleksen dashuria, dhimbja, brenga, krenaria, humanizmi, ëndrra për jetën, deti dhe qielli, e kaluara dhe e sotmja. Fatos Arapi la pas modelin e një poeti të talentuar, ku vetë koha është poezi. I jashtëzakonshëm dhe bashkëkohor në përmbajtje dhe i përkryer në formë, Fatos Arapi pjesën më të madhe të vetvetes e ka lënë në krijimtarinë e tij. Do të trishtohet Vlora për mungesën e tij, do të trishtohet Tiranë, miqtë e tij në Prishtinë e Shkup, lexuesit e tij, portokallet dhe limonat e bregut të Jonit, që do të ketë më pak vargje për to, do të trishtohemi ne miqtë e tij, por do ta lexojmë më shumë se herët e tjera krijimtarinë e tij. Vetëm hapat dhe zërin nuk do të ja ndjejmë dhe dëgjojmë, por Fatos Arapi do të jetë me ne dhe pranë nesh. Lamtumirë miku i përjetshëm i yni dhe të gjithëve!