Sigal

“Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet me të njëjtin mentalitet që i krijojmë ato”                                                                                                                                      Albert Einstein

Të nderuar miq, Churchill ka pasur shumë të drejtë kur në vitin 1941 theksonte se “Ballkani prodhon më shumë histori se sa konsumon”. Dje por edhe sot ka një diskutim të tensionuar për ngjarjet në Bularat. Ekstremistët i shfrytëzojnë këto ngjarje. Zgjidhja nuk duhet të ishte me protesta ballëpërballë, por duke u kujdesur që këto protesta të përfundojnë paqësisht. Çdo tensionim i strukturave shqiptare si kundërpërgjigje ndaj protestës do të ishte taktika më e keqe. Inspiruar nga qëndrimet paqësuese të disa personaliteteve të politikës dhe shkencës në Greqi duke filluar me Ministren e Kulturës që ishte në Bularat ditën e ngjarjes, prononcimi publik i ish-Ministrit të jashtëm, Pangallos dhe të disa gazetarëve dhe personaliteteve publike në Greqi që e dënuan qëndrimin e viktimës, duket dëgjuar deklarimin e kryeministrit grek Tzipras, se është një incident i kufizuar, është e domosdoshme që edhe qëndrimi ynë publik të jetë paqeruajtës.
A kishte provokim në ceremoninë e varrimit?

Patjetër që po, por nuk ishte shtetëror, policitë e dy vendeve bashkëpunuan. Institucionet publike nuk u provokuan, veprime vandale ndaj simboleve kombëtare nuk u konstatuan. Pjesëmarrja e deputetëve që përfaqësojnë minoritetin duhet mirëkuptuar, ata nuk nxitën ekstremistët dhe nuk u bënë pjesë e agresivitetit te tyre. Rrymat ekstremiste në Ballkan kanë një tendencë rritëse, por jo në nivelin që të imponojnë politikat qeveritare në vendet e tyre. Marrëdhëniet tona shtetërore kanë pasur ulje ngritjet e tyre, por vlerësoj shumë ndihmën e spitaleve të Janinës gjatë krizës 1997-1998 ku disa qindra të plagosur u kuruan falas në këto spitale. Mbaj parasysh komunitetin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, mikpritjen e tyre në fazat e para dhe lehtësimin e mirë arsimimit dhe promovimit të tyre. Dënoj nacionalizmin e sëmurë që shfaqet në disa raste në disa struktura të policisë greke, i cili në dinamikë ka pasur ulje. Dënoj vrasjen e çdo shqiptari të pafajshëm dhe të çdo emigranti në Greqi. Dënoj rritjen e ekstremistëve në djepin e demokracisë. Por mbi të gjitha dënoj çdo përpjekje në Greqi dhe Shqipëri që tentojnë të keqpërdorin situata të tilla, pa qenë të ndërgjegjshme për kohën e humbur dhe varfërinë e tejzgjatur në vendet tona, pikërisht për shkak të konflikteve që në Ballkan i vetë-ushqejnë me “bujarinë” ekstremiste. Ju lutem lexojeni me kujdes këtë postim, parafytyroni pasojat, nëse do të kishim ndjekur nacionalizmin e sëmurë, do të kishim mbyllje të kufijve, do të kishim turma të eksituara përballë njëri tjetrit, do të kishim ngrirje të marrëdhënieve, pra do të ishim viktima të vetvetes. Një konflikt krijohet shumë shpejtë, një rikthim në normalitet kërkon edhe vite. Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë sekondë në rrugën e saj të fqinjësisë së mirë dhe të integrimit euro-atlantik.