Prof. Ahmet Osja, emblema e Malësisë së Madhe

1603
Sigal

Kadri Ujkaj*

Këto ditë, në Malësinë e Madhe, në praninë e një pjesëmarrjeje të kompletuar, këshillit bashkiak, kryebashkiakut Marinaj, u përcoll një ditë e veçantë, mbresash nderimi dhe dinjiteti maksimal vlerash, të koncentruara në nderimin e birit të kësaj treve, Prof. Dr. Ahmet Osjes me titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Do të ishte pikërisht 13 dhjetori 2018 që në memorien e tij do të shënonte njërin nga momentet më të bukura, si sadisfaksion i mbarë Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit” nderimi me këtë titull, jo thjesht si një risi, sepse nuk qe e tillë nga pikëpamja e formës, por si një cilësi e përzgjedhjes së merituar të kësaj embleme të gjallë të trevës sonë, malësorit Ahmet Osja, i mirënjohur dhe i nderuar mes nesh dhe në mbarë Shqipërinë Natyrore për ato që ai ka arritur në studimet shkencore, në degën e agronomisë.

Jo rastësisht, me shumë dinjitet moral dhe profesional, do të shprehej kohë më parë Prof. Dr.Shukri Sh. Fetahu: “Prof. Dr. Ahmet Osja është ndër ata shkencëtarë që i takojnë krenarisë sonë kombëtare,në shkencë,në dije dhe në profesion,para së gjithash një vlerë e lartë njerëzore ndër shqiptarët kudo që janë”(Prishtinë, më 1 dhjetor 2010). Ishte pikërisht ky intensitet njohjeje, sa individuale, sa përmes kontributeve reale të tij, referuar një pasurie kulturore dhe shkencore, me mbi 6000 tituj libri elitar të bibliotekës së tij, sikur të mbi 394 artikujve shkencorë, në shtypin periodik, si revista”Shkenca dhe Jeta”,”Tribuna e ekspertit”,”Fokus” apo në gazetën “Kurora e Gjelbër“,si kryeredaktor i saj, që më sensibilizuan të jem edhe iniciativa e propozimit, nga statusi i kryetarit të shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve, M. Madhe “Nderi i Kombit”, së bashku gazetarin e talentuar Rifat Ymeri, kryetar i unionit të gazetarëve malësorë, si bashkë propozues pranë këshillit bashkiak të M. Madhe, për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” Prof. Dr.Ahmet Osos ”Mjeshtër i Madh, në 79-vjetorin e lindjes së tij.

Ahmet M. Osja, me origjinë nga Shkreli i M. Madhe, lindi në Luarsë të Velipojës, më 25 qershor 1939. Si merr arsimin fillestar në vendlindje, përfundon shkollën e mesme bujqësore në Tiranë si dhe studimet e larta në Universitetin e Kamzës, në degën agronomi, me rezultate të shkëlqyera. Kudo punoi nga Dukagjini i largët, aspak thjesht si rrogëtar-veçori dhe tipar dallues i agronomëve të rëndomtë, deri tek Zooteknika në Shkodër, ku do të hapte krahët e ardhmja e një shkencëtari serioz, po aq nga Instituti i Misrit dhe Orizit në Shkodër si nëndrejtor (1982-1992) deri në pozicionin e Ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve(shkurt-maj 1991), sikurse edhe nga pozicioni i deputetit të Kuvendit Popullor(1982-1991) , apo ajo e kryetarit të Komisionit të Bujqësisë në atë parlament(1986-1991), Prof. Osja do të do të shquhej për përkushtim dhe profesionalizëm në zhvillimin e përgjegjësive që i qenë besuar, si dhe në raport me bashkëpunëtorët e tij. Jo rastësisht nderimi që i bëri M. Madhe do të vinte në vargun e nderimeve për kontributin e tij nga Shkodra, Mirdita, Kosova etj..

Jeta e tij është ajo e një hulumtuesi serioz, po aq sa e një intelektuali dhe qytetari shembullor, në të gjitha format e shprehjes së saj. Kushtrimi i thirrjes akademike, si kodi i specialistit apo shkencëtarit të vërtetë, do ta motivonte gjithnjë suksesshëm si kumtues të teknologjisë në kultivimin e misrit për kokërr dhe për silazh, në podiume të tilla shkencore si: Konferenca e gjenetikë së aplikuar (1984), ajo e blegtorisë (1987) si dhe konferenca shkencore e gjenetikës (2001)në Tiranë. Njëherësh Prof. Osjen, në operacionet e tij karizmatike shkencore, do ta kemi në konferencat ndërkombëtare: Sofje(1988), Ankona (1992), Baleta-Mata (1996) dhe në konferencën e Pragës (1998). Aspak rastësisht, profesori do të jetë njëri nga botuesit në revistat shkencore ndërkombëtare si: “Tradita e ujitjes në Shqipëri”, “Irrigacione”, revistë italiane (1997), botime në Buletinin e shkencave bujqësore, zooteknike. Rezultatet e tij si anëtar i Këshillit shkencor, në Institutin e Tokave, Stacionin e Mekanizmit dhe Entin e Farërave, do ta “orientonin” Prof Ahmetin, në karrierën e tij shkencore, drejt stimujve: “Urdhri i Flamurit” dhe Urdhri “Naim Frashëri i Artë”, dhënë nga Presidenti i Republikës, sikurse “2000 Oustonding scholars of the 20 Contry IBC, Cambridge,CB2 3 QP”, në England. Prof. Osja është autor dhe bashkautor i 13 librave për profilin e bujqësisë dhe ushqimit, sikurse pjesëmarrës në konferenca ndërkombëtare në. Ndër gjërat pikante të jetës së një studiuesi-personalitet, elegant-emblematik, si Prof. Dr.Ahmet Osja ia vlen të kujtojmë fjalën e tij si i ftuar në OKB, si specialist i bujqësisë, njëherësh edhe për takimin prej 20 minutash me Presidentin e SHBA-s, mikun e madh të shqiptarëve, Xhorxh Bush, më 17 qershor 2001, ku do të ishte i ftuar si personalitet përfaqësues i vlerave shkencore në bujqësi. Në studion e tij do të impresionohesh nga 1000 fotot, si fiksimi i takimeve dhe veprimtarive me personalitete të fushave të ndryshme nga mbarë globi. Fantastike është kultura historike, që ai të ofron me shkrimet e tij lidhur me vizitat e Heroin tonë kombëtar,Gjergj Kastriot –Skënderbeun në vitet “50 të shek. XV në M. Madhe, asokohe pjesë e sundimit venedikas. Personalisht i ndjehem në jetë të jetëve obligues për vlerësimin dhe inkurajimin që i ka bërë përpjekjeve të mia si studiues i letrave shqipe, kritik letrar profesionist, duke qenë njëri nga rekomanduesit kryesorë për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”i Bashkisë M. Madhe, po aq për Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” pranë presidentit të Republikës, pozicionime të një akademiku që kurdoherë i kam parë dhe vlerësuar si vlerësime për trevën M. Madhe, nga pozicioni i malësorit human, shkencëtarit të përmasave evropiane, shembull elitar në kërkimin shkencor, përballë një page mujore, modeste, 33000 lekë, në kontekstin e një braktisjeje të dhimbshme, nga vendi ynë, që ka mbërthyer brezin e ri, sidomos elitën e kombit.

Pas fjalës së mirënjohjes që profesor Ahmeti shprehu ndaj nderimit që Malësia e Madhe “Nderi i Kombit” si dhe të pranishmit i bënë me këtë rast, përmes konsideratave për veprën e tij, shumë domethënëse, mrekullisht e denjë, kushtrimoi thirrja e tij, si aleati më serioz i protestës së mrekullueshme studentore, që po vijon prej ditësh në vendin tonë, po aq si thirrja e një personaliteti madhor prej patrioti dhe intelektuali, po ashtu edhe si një kushtrim akademik, po aq edhe i shpirtit të malësorit – emblemë e trevës “Nderi i kombit: “Pashë hatrin e zotit mos pushoni, shkruani, hartoni projekte, gjeni rrugë e mundësi që të zhvillojmë këto pasuri të mrekullueshme, pyjore, ujore dhe diellore që kemi, të zhvillojmë fshatin shqiptar, mos u tërhiqni! Natyra dhe vendi ynë i ka të gjitha mundësitë për të lumturuar jetën tonë, jetën e të gjithë shqiptarëve në Shqipëri!”.

*kryetar i shoqatës “Shkrimtarët dhe Artsistët, Malësi e Madhe “Nderi i Kombit””