Populli nuk ha bar a as është shurdhmemec/Speciale nga Kristo Mërtiri: Kriza e besimit dhe pakënaqësia po arrin kulme të reja e të frikshme. Faktet po nxjerrin lakuriq rrumpallën e kupolës politike që zbraz thasë me gënjeshtra përball njerëzve të thjeshtë e të ndershëm që shtyjnë muajin me shpirt ndër dhëmbë

672
Sigal

Sa t’u vijë qejfi pasanikëve politikanë, fakirfukarenjve u ka dalë shpirti ! Është fjala për hajdutët me spaleta zyrtare, me çizme e pa çizme, me kollare e pa kollare, me kolltuk të falura e të rrëmbyera. Majtas e Djathtas ! Këta po e thajnë e përthajnë besimin e publikut të gjerë te Shteti i së Drejtës, te qeveritë që vijnë e shkojnë duke tundur flamurë e banderola hipokrizie, moralshitëse e fasadashitëse të pacipa. I njëjti avaz vazhdon edhe kur kalojnë në opozitë, por me ngjyrime e theks të tjerë gati-gati si në pozicione persekutimi e skllavërimi. Të gjithë betohen për të vërtetën dhe të nesërmen përqafohen e puthen me gënjeshtrën. Rrëmbejnë rroga, favore të pamerituara e ryshfete të majme. Me firma e pa firma. Me vula e pa vula. Me borde e pa borde. Madje mbushin xhepat, portofolat, kartat e kontot bankare me soj e sorollop, duke mashtruar në mes të ditës e pa pikë përgjegjësie qytetare e juridike. Të varfrit i përcjellin si turmë të verbër a shurdhmemec ! Dhe mburren me fjalime e premtime lumë në qytete e fshatra dhe gjer në tribuna evropiane e perëndimore.

Ndërsa përballë fitimeve të pista nuk mendojnë hiç për Drejtësinë e vërtetë, të cilën e karfosin nën thundrat e parasë vrastare e kallpazane. Për shembull, nuk ka si shpjegohet ndryshe heshtja ogurzezë përgjatë 3 dekadave ndaj zyrtarëve të lartë në pushtetin ekzekutiv e legjislativ, të cilët rrojnë, notojnë e mbretërojnë në luksin e tyre të shfrenuar. Pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë! Dhe nuk pushojnë së ligjëruari nga maja e kalit si mëmëdhetarë të kulluar dhe pastaj bëjnë gjumë të trazuar gjoja për fatet e ekonomisë, shëndetësisë, arsim-kulturës etj. Atje, nëpër vila e apartamente të shumtë të siguruara me “rroga shteti”! Por ç’po na shikojnë sytë e ç’po na dëgjojnë veshët kohët e fundit?

Konkretisht, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po mësojmë mjaft shifra e fakte të reja tronditëse rreth pasurive të pista që zotërojnë jo pak gjyqtarë e prokurorë zuzarë. Dhe u bëhen ende temenara e tralalara me shkresa e parashtresa pa fund, me pyetje e përgjigje ceremoniale, me avokatë e pa avokatë privatë, me ekspertë e pa ekspertë ekonomiko-financiarë, me kallauzë e pa kallauzë dëshmitarë, me kontrollorë vendas e ndërkombëtarë. E, këto odisera juridike duken thjesht sikur duan të shuajnë urinë e medias përtace të mbërthyer nëpër sallat e metropolit. Pra, ujkun e kanë para syve dhe kërkojnë me zell gjurmët! Askush nuk pyet drejtpërdrejt: Si dhe përse u pasurove pasi u ule në karrigen e prokurorit a të gjyqtarit? Po “dhuratat” e “trashëgimitë”, “borxhet” a “kreditë”, përse vërshuan vetëm kur kryeje këto detyra në piramidën e Drejtësisë?

“-Nuk e harroj atë dialogun me thumba therës, para dy muajsh te Ura e Tabakëve në Tiranë. Sapo ishe takuar me një gjyqtar të njohur dhe po e dëgjoje se si u kishte falur fëmijëve nga një apartament me garazh për veturat fringo… Ti, miku im, 20 minuta më parë kishe dalë nga Banka ku shlyen këstin mujor të çatisë që fut kokën për strehim. Befas, e pyete si me shaka:

-A të kujtohet kur punova pak kohë në ministri? Mua më paguante shteti sa dyfishin e rrogës tënde. Aman, më qafsh, si ke kursyer kaq shumë që arrite të blesh disa apartamente të reja?! Apo, atje ku ka rrjedhur edhe do pikojë…

Veçse ti buzëqeshe paksa hidhur, ndërsa ai palo gjyqtar pa orën si vetëtimthi dhe u largua shpejt se do i fillonte seanca e radhës për një “çështje me spec”. Por pyetjen tënde e la varur e të pakallur, pa përgjigje…”.

Në mesditë televizionet dhanë lajmin e zakonshëm për ecurinë e Vettingut në Drejtësi, e konkretisht për një prokuror që nuk i justifikoi dot pasuritë përballë Komisionit (KPK). Mirëpo, asnjë gazetar nuk u ndal sadopak te një dukuri irrituese që meriton vëmendje e fshikullim publik: Të shkruarat zyrtare nga Inspektorati i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive, në rastin konkret e nxirrnin të larë e qelibar!? Pra, gjetkë dasma e gjetkë daullja korruptive.

Inspektorati përkatës, të duket se luan vetëm rolin e magazinës me inventar deklaratash dhe herë-herë bën tellallin e rëndomtë të një kohe të shkuar, sidomos në fshatra. Tellall që vinte pëllëmbët para gojës, kruante grykën e thërriste fort: “O mëhalla e sipërme, dëgjoni e merrni vesh, filan fistekut i ka ardhur një kartë me zarf nga kasabaja!…” Vetëm kaq. Pa i hyrë verifikimit e analizës së plotë, ligjshmërisë e paligjshmërisë pasurore të individëve me poste shtetërore. Duke u tjetërsuar edhe në noterë symbyllur të deklaratave personale. Por rrënjët e kësaj dukurie, me siguri janë më të thella e erërënda.

Fjala vjen, për 6 vitet e fundit, opinioni i ndershëm publik do të dijë nga ky Inspektorat se sa e cilët zyrtarë janë paditur në Prokurori (me emra e mbiemra) për shumat marramendëse të rrëmbyera dhe ç’përgjigje ka marrë. Apo rrofshin raportet paradë me përrenj parafabrikatesh e përqindjesh gjumëndjellëse një herë në hënë, në Parlament (Një herë në mot, dil e kullot!). Dhe shushatin njerëzinë, vetëm duke i rënë kambanës pa thumb të Transparencës sa për “aperitiv” oreks-pashuar. Ose sa për të na kujtuar se “jemi gjallë”…

“Pasuria dhe posti zyrtar janë miq të përkohshëm”, thonë vërsnikët e mi të mençur te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit. Po kush i dëgjon vallë?! Papërgjegjshmëria nganjëherë kapërcen çdo kufi: Gati 15 vite më parë, ky Inspektorat parazit e plot ligësi i kërkonte hesap një diplomati të shquar karriere, se përse nuk raportonte pasurinë me shkrimin e vet. Në një kohë, kur ai njeri tepër i nderuar nga Skrapari, po prehej i qetë me veten dhe të tjerët në Varrezat e Sharrës(!).

Tragjikomikja doli menjëherë sheshit dhe lëndoi shumë të njohur e të panjohur… Tjetër. Befasisht e pabesisht (pasi më kishin hedhur në rrugë hajdutët milionerë me spaleta Ministri) më lakuan edhe mua emrin në median e çoroditur. Mbaj mend që u bëra edhe një kërkesë të hapur publike e gati në lutje në shtyp: Të evidentonin sa më shpejt pasuritë e mia dhe ato të drejtuesve kokëtul të atij Inspektorati me emër intrigues e vezullues. Fol o gur, fol o mur! Zero përgjigje private e zyrtare gjer më sot …Por tragjikomedia nuk u mbyll këtu. Ç’farë ndodhi? Pak kohë më vonë, në një gazetë të përditshme, u lodhëm së lexuari pasuritë e Kryeinspektorit të emëruar nga Parlamenti në një seancë të posaçme! Krye/kontrollor në shkallë Republike, jo shaka!

Nuk thonë kot: “Paraja dhe mëkatet nuk rrëfehen”. Atëherë vumë duart në kokë, por një mhalleli tiranas që dikur ishte specializuar në Kinë, i vendosi kapak muhabetit me një thënie jo të shkurtër aziatike. “-Paraja mund të blejë një shtëpi, por jo një vatër familjare; mund të blejë një shtrat, por jo ëndrrën; mund të blejë një orë, por jo kohën; mund të blejë një libër, por jo ndërgjegjen dhe diturinë; mund të blejë një post, por jo respektin; mund të blejë doktorin, por jo shëndetin; mund të blejë shpirtin, por jo jetën; mund të blejë seksin, por jo dashurinë”.

Populli nuk ha bar, e as është shurdhmemec. Kriza e besimit dhe pakënaqësia po arrin kulme të reja, të frikshme. Vetë faktet dhe shifrat ulëritëse po nxjerrin lakuriq rrumpallën e kupolës politike në Shqipërizën tonë, kupolë që zbraz trasta e thasë me gënjeshtra përballë njerëzve të thjeshtë e të ndershëm që shtyjnë muajin si me shpirt në dhëmbë. Majtas e Djathtas !

Disa kokoroçë të regjur e ftujakë, të përdorur vazhdimisht nga Polit(h)ika pa moral nëpër vite (edhe pasardhës të tyre), po hyjnë serbes-serbes edhe nëpër Këlëpëra e Këlëgjëra, gjithnjë sipas fasadës në emër të “pavarësisë”, “profesionalizmit” apo në emër të “meritokracisë” (kupto: militantizmi e nepotizmi sa një mal). Prandaj edhe Vettingu zhurmëmadh në media, shpesh nuk dallon shumë nga mitingu. Shkurt, Inspektorati i Pasurive i bie gozhdës, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i bie patkoit! Dhe njerëzinë e pushton dëshpërimi e zhgënjimi real, përballë pyetjes taze e pa naze: Kush ia fut si kau pelës në këto dy institucione hijerënda?! Apo le të shpresojmë ende te Parlamenti reumatik e astmatik që s’po mban dot poturet e veta këllirë…