Sigal

Dr. Qemal Lamaj

Serbia me politikën e saj shoviniste meriton izolimin politik dhe bojkotin ekonomik nga shqiptarët. Reagimi zyrtar ndaj mallrave serbe është qëndrim ndaj fushatës agresive të Serbisë kundër njohjeve ndërkombëtare dhe rezultatit të mos anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Taksa është goditja më e efektshme që tronditi shpirtin e shovinizmit serb, shfvleftësoi forcën e pushtetit të Serbisë që kërcënon hapur me armatimin rus dhe mbështetjen e padrejtë të saj nga disa shtete. Reagimet e menjëhershme nga Serbia, Rusia, Bashkimi Evropian etj., tregojnë shqetësimin për rrezikun e dëmtimit të marrëdhënieve e të marrëveshjes që diskutohen me vite të tëra dhe nuk arrihet zgjidhje, megjithë ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe lëshimet e bëra nga institucionet dhe populli i Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk reagon me masa kundërvënëse. Ky qëndrim vlerësohet, pasi nuk përshkallëzohet situata. Por mbrohet politika e vjetër, mbetet shqetësuese, e rrezikshme dhe pa shpresa nevoja për reflektim dhe qëndrim bashkëpunues.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, sipas njoftimeve të Tanjug, Vuçiç ka thënë se “Ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë, sepse ne përfundimisht nuk do ta pranojmë pavarësinë.” Të gjitha organet serbe janë në gjendje gatishmërie për të reaguar, ndaj veprimeve të pamatura të autoriteteve të Prishtinës. Ai ka përsëritur se kompromisi dhe dialogu edhe më tutje janë e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Djegien e produkteve serbe, ai e ka krahasuar me djegien e librave hebrenjë në Gjermaninë naziste atë kohë. “Kjo është diçka që nuk është parë më herët. Djegia e produkteve serbe në Kaçanik është si djegia e librave hebrenj në Gjermaninë naziste. Ky është një lloj i keq nazizmi, për të cilën disa njerëz janë krenar.” Vuçiç është e domosdoshme të kërkojë në radhë të parë falje për krimet e kryera nga Qeveria e kryesuar nga Sllobodan Millosheviçi, ku ai ka qenë ministër i Informimit. Krimet serbe janë pothuajse të njejta me ato të nazifashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato kanë ndodhur në kohën e sotme të demokracisë dhe pa kërkuar falje pretendohet për antarësimin në Bashkimin Evropian e integrimin e përbashkët me shqiptarët.Sipas raportimeve të medieve serbe, më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka zhvilluar një bisedë me ambasadorët e Kinës, Rusisë, BE-së dhe të SHBA-së si dhe aleatët e saj nga Quinti. Ai ka thënë se Serbia nuk do të ndërmarrë kurrfarë kundërmasash, me argumentimin se është një partner i besueshëm dhe nuk dëshiron të shkelë as Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, as marrëveshjen e CEFTA-s.Vuçiç pret që  para së gjithash vendet e Bashkimit Europian do t’ia bëjnë me dije Prishtinës se janë të papranueshme veprimet e njëanshme, të cilat rrezikojnë përshkallëzimin e konflikteve dhe kërcënojnë paqen në rajon. Rusia si mbështetësja dhe inspiruese e politikës shoviniste të Serbisë, deklarohet kundër taksës dhe thekson qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës. Bashkimi Evropian duhet të ndikojë urgjentisht tek autoritetet e Kosovës që menjëherë të hiqet taksa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, ka deklaruar ministria e jashtme ruse. Në komunikatë rikujtohet fakti se Kosova duke shkelur obligimet e saj që dalin nga marrëveshja për tregti të lirë, ka vendosur taksë 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja. “BE-ja si ndërmjetësues në dialogun Prishtinë-Beograd, duhet të ndikojë tek autoritetet e Kosovës që sa më parë të hiqet ky vendim ilegal, i cili sjell përkeqësim të gjendjes në Ballkan”, thuhet në komunikatën e ministrisë së jashtme ruse.

Moska e përshkruan provokimin e Prishtinës si një shenjë tjetër e shtetësisë jolegjitime të Kosovës. “Dhjetë vende tashmë e kanë tërhequr vendimin e tyre për njohje të pavarësisë së Kosovës.” “Ne kërkojmë për durim nga ana e Beogradit në zhvillimin e ngjarjeve dhe dëshirën për t’u ulur tensionet”, ka përfunduar kjo ministri. Bashkimi Evropian kërkon me të drejtë bashkëpunim dhe marrëveshje midis Kosovës e Serbisë. Por nuk vihet në dukje përgjegjësia për gjendjen e krijuar, për shkak të qendrimeve të politikës së vjetër serbe. Serbia është vënë në pozita të barabarta me Kosovën, pa kërkuar falje dhe pa ndërmarrë veprime për pranimin e realitetit politik. Kërkohet arritja e marrëveshjes kur pretendohet korrigjimi i kufijve që është, faktikisht, dhurimi i teritorit të shqiptarëve. Për këto arësye, në opinionin publik të shqiptarëve bëhen kritika për njëanshmëri dhe favorizime të padrejta për Serbinë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka kërkuar që të bëhet tërheqja e menjëhershme e kësaj takse. Në komunikimin me median, zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç nga Brukseli ka thënë se BE-ja pret ndryshimin e taksës. “Mesazhi ynë është i qartë dhe konsistent. Kjo është një shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s dhe nuk është në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.” Vendimi për taksa nuk është rruga e drejt, duke shtuar se ka mënyra tjera për të zgjidhur këto çështje. Të gjitha problemet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, duke theksuar se vendimi për taksë është jo i favorshëm për normalizimin e marrëdhënive ndërmjet dyja palëve. “Veprimet e fundit, masat dhe deklaratat nga Kosova dhe Serbia, po shihen si një provokim dhe fyerje, shqetësuese, jo e favorshme për dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe të minojnë çdo gjë që palët kanë bërë gjatë viteve në dialog.” “Prandaj, ne i bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, që menjëherë të pushojnë provokimet dhe të përqendrohet në përfundimin e normalizimit të marrëdhënieve.”

Politika evropiane kërkohet te reagojë me forcë ndaj mosrespektimit të marrëveshjeve nga Beogradi. Me objektivitet kërkohet të dëgjohen edhe kritikat. Ambasadorin Bosch shpehu qartë mendimin se Bashkimi Evropian nuk reagon kurrë ndaj Serbisë, edhe kur këta të fundit shkelin marrëveshjen, ndërsa ka kujtuar deklaratën e çmendur të Daçiqit ndaj vendeve që përkrahën Kosovën në INTERPOL dhe veçmas ndaj kancelarit austriak.“Kjo ishte e fortë, por ku është reagimi i BE-së ndaj Serbisë për shkëputjen e marrëveshjes 12 pikëshe mbi normalizimin e marrëdhënieve e cila thotë se të dy vendet nuk duhet të pengojnë njëri-tjetrin në rrugën drejt BE-së, gjë që Serbia e bën gjatë gjithë kohës me Kosovën. Të mos e përmendim deklaratën e egër të Daçiqit për vendet që votuan për Kosovën, veçmas ndaj kancelarit Kurz. BE nuk harron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por harron t’ia kujtojë Serbisë përgjegjësitë e tyre. Me veprimet e tyre ata po e përbëjnë procesin e ‘normalizimit të marrëdhënie’ objekt tallje. Përgjigja e kryeminstrit të Kosovës, se taksa do të hiqet kur Serbia të njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, është edhe thirrje për reflektim dhe bashkëpunim për zgjidhjen e problemeve me të cilat Serbia mban peng marrëdhëniet ndërshtetërore, dëmton paqen e sigurinë rajonale e më gjerë. Qeveria dhe në tërësi politika e Serbisë kërkohet ta analizojnë me qetësi këtë masë e të gjejnë kurajon për të dëgjuar zërin e arsyeshëm të shqiptarëve të gjenociduar, të pranojë pa kushte pavarësinë dhe të mos kushtëzojë marrëveshjen me ndryshimin e kufijve shtetërorë ekzistues. Qeveria e Shqipërisë kërkohet të zbatojë detyrimet kushtetuse në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar kudo në trojet antare dhe kudo në botë. Kosova ka të domosdoshme mbështetjen ekonomike për të përballuar vështirësitë që dalin nga mospranimi i mallrave serbe. Këshilli i përbashkët ndërshtetëror kërkohet të reflektojë në detyrat për bashkërendimin ekonomik e buxhetor, heqien e taksës për mallrat dhe bashkimin doganor. Të zbatojmë të njëjtat rregulla të Bashkimit Evropian ku do të antarësohemi bashkërisht me Serbinë.