Për mësuesit, për njerëzit e thjeshtë pesha e të cilëve nuk mund të matet

598
Sigal

Nga Mirela Karabina, ish-ministre e Arsimit

Letër për mësuesit

Të dashur mësues,

Në këto ditë të nxehta politike të qershori, të rëndësishme për fatin e jetëve tona , të fëmijëve tanë dhe të vendit jemi duke shkuar drejt instalimit të diktaturës, pasi në datë 30 Qershor nuk do ketë zgjedhje demokratike, por votim për një kandidat, doja t’ju drejtohesha me disa fjalë zemre.

Të mirët mësues,

Ju jeni arkitektë të shoqërisë, jeni Ju, dhe vetëm Ju që e mëkoni atë. Ndaj dhe jeni të rëndësishëm, ndaj dhe jeni njerëzit më të besuar për fëmijët, pas prindërve.

Ju jeni mendja, zemra, shpirti dhe forca e shoqërisë, pasi Ju nuk jeni vetëm profesionistë të fushës por Ju keni një mision:

  • Të ndërtoni një shoqëri të mirë,
  • Të ndërtoni një shoqëri ku morali është i pari,
  • Të ndërtoni një shoqëri vlerash ku më i miri fiton,
  • Të ndërtoni një shoqëri ku virtyti e mirësia duhet të jetë mes nesh,
  • Të ndërtoni një shoqëri për zhvillimin, vazhdimësinë dhe ardhmërinë.

Ndaj dhe Ju, në fakt, si pararojë e shoqërisë, keni një detyrë të rëndësishme më 30 qershor:

T’iu tregoni nxënësve tuaj, që ju kurrë nuk do të jeni projektuesit dhe ndërtuesit e diktaturës, atë, të cilën prindërit dhe gjyshërit e tyre e rrëzuan 30 vite më parë.

Sepse Ju jeni njerëzit e dijes, jeni një hap para shoqërisë, pasi Ju më mirë se kushdo e dini çdo të thotë diktaturë: Shpërfillje, denigrim, jozhvillim, një sistem – Filozofia e të cilit është dhuna.

Dhe Ju këtë kurrë nuk do ta lejonit për nxënësit tuaj të dashur, sytë e të cilëve janë të drejtuar nga Ju në çdo ditë të vitit, pasi ju jeni model për ta.

Ndaj, bëjini nxënësit tuaj krenarë, shpërblejuani atyre dashurinë dhe respektin që kanë për Ju, tregojini atyre dhe prindërve, që Ju nuk mund të jeni pjesë e një farse të tillë votimesh, pasi Ju i keni mësuar atyre demokracinë, ku njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin më të mirët për të drejtuar dhe jo t’iu diktohet votimi.

Ju jeni njerëz të thjeshtë, por me peshë të pamatshme, me vlerë të paçmuar.

Ndaj dhe Ju, si pararojë, duhet ta drejtoni shoqërinë në konsolidimin e demokracisë drejt rrugës evropiane të zhvillimit.

Dhe, më shumë se kurrë duhet ta bëni tani, nesër do të jetë tepër vonë…

Sinqerisht,

Mirela Karabina