Pasiguria tek investitorët dhe kleptokracia

694
Sigal

Nga Prof. Dr. Bajram Hysa

Përfaqësuesit qeveritarë deklarojnë vazhdimisht se strategjia makroekonomike e qeverisë shqiptare për të thithur investimet e huaja ka sjellë si rezultat rritjen e këtyre investimeve. Por realiteti flet ndryshe. Duhet veçuar ushqimi i së vërtetës prej krundeve të gënjeshtrës. Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe që ka numrin më të madh të bizneseve të huaja, tashmë renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 686 milionë euro (8.9% e totalit). Nga Italia kanë munguar investimet e mëdha në vite dhe sipërmarrjet që kanë hyrë janë përgjithësisht të vogla. Rënia e këtyre investimeve shpjegohet me rritjen e presionit fiskal në vend. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të katërt, Greqia kaloi si investitori i dytë në vend, sa i përket stokut, duke ia lënë vendin Zvicrës. Duhet theksuar se Investimet nga Zvicra kanë shënuar një rritje të shpejtë që nga mesi i vitit 2016 jo si pasojë e politikës fiskale të qeverisë por ato në fakt përkojnë me fillimin e punimeve për gazsjellësin TAP, një projekt prej rreth 1.5 miliardë eurosh, më i madhi historik në Shqipëri. Ndonëse TAP është investim i një konglomerati shtetesh, ai është i regjistruar me seli qendrore në Zvicër. Greqia, që për shumë se 20 vjet ishte investitori më i madh në vend, kishte në fund të vitit një stok prej 1.2 miliardë eurosh, ose 16% të totalit. Vitet e fundit, ky tregues ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele, duke reflektuar stanjacionin e kompanive të telekomunikacionit, të cilat në një treg të maturuar nuk po bëjnë më investime. Që prej fillimit të viteve 2000, dy kompanitë që hynë në tregun e telekomunikacioneve përmes Greqisë, Cosmote dhe Vodafone realizuan investime të larta në Shqipëri. Cosmote u tërhoq nga Shqipëria në fillim të këtij viti duke shitur aksionet e Telekom Albania tek shoqëria “Albania Telecom Invest AD”, një shoqëri e themeluar dhe e regjistruar në shtetin Bullgar. Edhe bankat me kapital grek po tërhiqen gradualisht nga Shqipëri. Në vitin 2010, katër banka me kapital grek zinin rreth 24% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar (Alpha Bank, Tirana Bank, NBG, Emporiki), ndërsa sot ka mbetur vetëm një bankë, që zë rreth 5% të totalit (Alpha Bank). Të tjerat u shitën apo janë në proces shitjeje, si rrjedhojë e strategjisë së bankave greke për t’u tërhequr nga rajoni. Në vend të pestë renditet tashmë edhe Turqia, me një stok investimesh prej 604 milionë eurosh, ose 6.9% e totalit. Investimet kryesore të Turqisë janë në telekomunikacione dhe banka.

“Ne kemi probleme me mjedisin e biznesit përfshirë korrupsionin dhe informalitetin. Këto probleme janë ndër më kryesoret në listën e pengesave për rritjen ekonomike, si në Shqipëri, ashtu edhe në rajon, u shpreh Guvernatori Sejko në Forumin Ekonomik të Tiranës, organizuar ditët e fundit. Një ankesë e përbashkët që dëgjohet shpesh prej investitorëve të huaj, është se tregjet tona të vogla të fragmentuara, ofrojnë një atraktivitet të ulët. Ndonëse kjo është pjesërisht e pasaktë, ne duhet të bëjmë më tepër për të rritur integrimin tonë në aspektin e tregtisë dhe infrastrukturës. Duke konkurruar për të njëjtin grup investitorësh ndërkombëtarë, vendet e rajonit tonë shpesh përpiqen të rrisin dhe të nxisin profilin e tyre individual, duke ofruar lehtësira tatimore, apo subvencione të tjera. Kjo garë për të kapur fundin nuk është produktive”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Pengesat që investitorët e huaj, por edhe ata vendas hasin në Shqipëri janë të ndryshme dhe në varësi të industrisë ku ato operojnë. Megjithatë, në mënyrë të përgjithshme cilësia e institucioneve qeveritare mbetet veçanërisht e rëndësishme për vendet në zhvillim si Shqipëria. Disa nga arsyet shpjegohen me korrupsionin e pandalshëm që favorizon interesat vetjake të klasës politike dhe i jep mundësinë për t’u pasuruar me anën e komisioneve zyrtare për ndjekjen e legjislacionit dhe kontratave, si dhe me mos pagimin e taksave, me dhënien e lejeve për monopolet për shumë privilegje dhe shpenzime të veçanta që i ka në dorë një grupim politik. Dihet që korrupsioni dhe klientelizmi rrit korrupsionin, duke sjellë rritjen e kostos së investimit dhe uljen e fitimit. Rrjedhimisht kjo rrit edhe pasigurinë tek investitorët. Funksionimi i gjyqësorit, korrupsioni, të drejtat e pronësisë, procedurat burokratike, sistemi fiskal dhe sigurimi i lejeve të planifikimit dhe ndërtimit janë sektorë thelbësorë për investimet e huaja dhe vazhdojnë të mbeten sektorët më problematikë në Shqipëri. Nëse qeveria nuk ndërmerr reforma strukturore konkrete për adresimin e këtyre problemeve, investimet e huaja në Shqipëri mund të vazhdojnë të mbeten në baza projektesh, deri në procesin e fundit të pagesës dhe paguajnë një total taksash prej 30.7% të fitimit të tyre.

Sistemi ekonomik kleptokratik që është instaluar në vendin tonë duket se e ka kthyer ekonominë në një makinë pa jetë, duke krijuar kriza sektoriale të papritura dhe depresion kronik. Dështimi i projektit ekonomik në Shqipëri si pasojë e kleptokracizmit e ka kthyer ekonominë shqiptare në një ekonomi pa jetë, pa aftësi të brendshme për të ndryshuar, përshtatur e rritur.

E vetmja zgjidhje është shpërndarja e pushtetit, rithemelimi i sistemit, që parakupton ekzistencën e një klase tregtarësh, sipërmarrësish apo investitorësh të aftë për të marrë vendime ekonomike dhe për t’i përdorur ato në mënyrë konkurruese. Përvoja perëndimore na mëson se një klasë e tillë nuk mund të krijohet vetvetiu, por nga loja e një dinamike të brendshme, duke funksionuar një opozicion politik i ashpër dhe sendërtues. Marrja e vendimeve në vendet demokratike kalon përmes një debati të madh publik, eksperimenteve pa fund, peshimit të kostove dhe fitimeve, kundërthënieve mes opinioneve të ekspertëve, ankesave të vazhdueshme në juridiksione politike të ndryshme. Shqipëria po i vonon artificialisht novacionet derisa nuk arrin të gjejë edhe pas afro 30 vjetësh tranzicion një konsensus politik pozitë-opozitë. Si e tillë do të mbetet mjaft pas shoqërive që nuk i kanë këto pengesa. Ndaj është momenti që shoqëria civile dhe qytetarët e thjeshtë të ngrenë zërin në kupë të qiellit, të organizohen dhe të veprojnë për të përballuar këtë provë të vështirë me politikën e mbrapshtë që po shpërfill autoritetin moral të gjithsecilit dhe po na zhyt në një krizë të thellë ekzistenciale.