Paralelet Bruksel-Tiranë

629
Sigal

Jeta parlamentare e Brukselit e parë nga optika ime gjatë qëndrimit tim në parlamentin evropian dhe paralelet e hequra me parlamentarizmin shqiptar

Nga Mario Kokonozi

Për vite të tëra të pluralizmit në Shqipëri, mendimi, këshillat dhe sugjerimet e Bashkimit Evropian kanë qenë dhe mbeten baza nga e cila ne jemi përpjekur të ndërtojmë shtetin tonë. Politika shqiptare është munduar gjithnjë të shfaqë veten e saj më të mirë në arenën evropiane, qëllim që pak herë ia ka dalë ta arrijë. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian ka treguar gatishmëri për të ndihmuar vendin tonë në sfidat e veta. Në terma të përgjithshme, vendet e Bashkimit Evropian e njohin Shqipërinë thjesht si një nga vendet e Ballkanit. Thënë kjo, ndryshe nga mendimi shqiptar i perceptimit evropian që nënvizon që vendi ynë ka një rëndësi të veçantë. Për sa kohë që ne etiketohemi si ‘Ballkan’, bien poshtë shumë nga pretendimet e politikës sonë në Tiranë, ku deklarohet veçantia e vendit tonë në arenën e madhe.

Njihen vetëm disa data të rëndësishme si histori evropiane ku mund të futen, Samiti i Thesalonikit, marrëveshja e Stabilizim Asociimit, aderimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit të vendit kandidat. Edhe këto si rrjedhojë e një procesi të vazhdueshëm natyral i politikave zgjeruese të vetë BE-së. Andaj dhe miti i krijuar i vëmendjes së madhe ndaj nesh dhe ndaj Ballkanit nuk duhet të na kufizojë që ta shohim nga një tjetër perspektivë rrugëtimin tonë evropian.

Paralelja e parë që dua të sjell në vëmendje është administrata. Të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian janë të depolitizuara, kjo është e ditur botërisht. Por paralelja hiqet për të ndarë vijën se ku mbaron administrata dhe ku fillon politika. Sigurisht që në parlamentin evropian ka politikë dhe madje shumë. Por kolona ndarëse është krejt ndryshe nga ajo e parlamentit shqiptar. Jeta  politike në parlamentin tonë fillon që në postet më të ulëta administrative në parlament e sigurisht si në çdo vend shkon deri tek organet vendimmarrëse.

Kjo sigurisht që është një simptomë e vjetër e politikës sonë. Nga njëra anë, emërimet  politike në administratë në një vend të vogël si Shqipëria janë i vetmi shpërblim që politika i jep elektoratit. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në organika shumë të mëdha si Parlamenti Evropian ku ka vend për të gjithë. Pra linja  politike punëson dhe e mban elektoratin të kënaqur, pa prekur pjesën administrative të parlamentit, funksion i cili nuk mund të zbatohet në vendin tonë.

Një koncept tjetër që bie në sy sapo hyn në çfarëdo lloj mbledhjeje, konferencë apo dialog në dyert e parlamentit evropian në Bruksel është qetësia dhe niveli i ulët i debateve, të cilat të bëjnë të mendosh se çdo gjë shkon mirë dhe të gjithë janë të lumtur. Këtu dalim tek paralelja e dytë, një ligj i pashkruar, ‘sherri’ bëhet gjithmonë në shtëpi. Andaj dhe në parlamentin e përbashkët të Evropës nuk ka asnjëherë debate të forta midis zyrtarëve, të cilët vijnë nga i njejti shtet. Koncept që politika shqiptare nuk ka arritur ta kuptojë dhe ta zbatojë në vizitat e saj në Bruksel. Të gjitha vizitat përbëhen nga mazhoranca dhe opozita, të cilat nuk mundet të qëndrojnë pa prekur dhe diskutuar me zë të lartë përballë zyrtarëve të BE-së, konfliktet, mospëlqimet, luftën politike të Tiranës. Konflikte midis mazhorancës dhe opozitës ekzistojnë në çdo vend të Bashkimit Evropian, por eksperienca dhe diplomacia e tyre nuk i lejon të ‘zihen’ në dyert e Brukselit.

Një paralele tjetër që mund të diskutohet është dhe shpejtësia dhe aksesi që lejon makineria online e parlamentit evropian. Kjo mund të duket si diçka e thjeshtë dhe jo e rëndësishme, por aksesi në informacion është një element tejet thelbësor për të krijuar një paraqitje dinjitoze. Faqja online e parlamentit shqiptar lë shumë për të dëshiruar, duke filluar nga shpejtësia e operimit deri tek sasia e informacionit që ofrohet. Një faqe online, pra një instrument që ndihmon cilin do qytetar dhe vetë administratën është një instrument i thjeshtë, i cili shumë mirë mund të funksionojë në mënyrë perfekte vetëm me pak përkushtim dhe mirëmbajtje.

Paralelja e radhës lidhet me komisionet parlamentare, tregues i punimeve të kuvendit dhe tregues cilësor i deputetëve. Sigurisht që numri i komisioneve dhe deputetëve në parlament evropian është disa herë më i madh dhe struktura funksionon disi më ndryshe, por baza mbetet e njëjtë, edhe pse numri i eurodeputetëve arrin shtatë-fishin e kuvendit shqiptar. Në komisionet parlamentare në Tiranë ndodh një fenomen, mos-mbledhja e ‘korum’-it. Ndodh shpesh që në komisione jo shumë të rëndësishme mos të ketë mjaftueshëm deputetë për të votuar. Kjo sjell vonesë të konsiderueshme në punën e komisioneve. Në këto raste priten të vijnë deputetët nga komisionet paralele për të bërë votat që nevojiten për të votuar. Kjo ndodh, sepse një numër i vogël deputetësh janë pjesë e disa komisioneve në të njëjtën kohë, ndërkohë që deputetë të tjerë nuk janë fare pjesë e asnjë komisioni. Ndarja e pabarabartë sjell vonesa, mosdakordësi dhe shpesh debate me opozitën për pritjen që shkaktohet për të rritur numrin e deputetëve në komision.

Mendësitë dhe mendimet lidhur me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian

Përtej reformave dhe mbylljes së kapitujve janë disa kritere të pashkruara, të cilat një vend duhet të plotësojë që të bëhet pjesë e familjes së BE-së. Pikë së pari, duhet pasur një ‘vëlla’ i madh. Pra, një shtet i fuqishëm dhe i madh, i cili është mbështetës i padiskutueshëm i gjithë iniciativës së hyrjes në BE. Vendi ynë ka një aleat të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ata nuk shohin ndonjë interes të madh me hyrjen tonë në BE. Ata e treguan dëshirën e tyre, e cila ishte anëtarësimi ynë në NATO. Pra, hyrja e një vendi të vogël dhe me një ushtri tejet modeste ishte vullnet i pastër i një shteti të fuqishëm si SHBA. Andaj dhe për t’u anëtarësuar në BE duhet një aleat i fortë, i cili ta ketë në agjendën e tij futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për të forcuar qoftë pozitat e tij apo edhe për arsye gjeopolitike. Aleat i cili vendit tonë i mungon. Një rast i tillë i ka ndodhur Rumanisë. Franca ka qenë avokati i saj më i madh dhe mbrojtësi i saj më i fortë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Rrugëtim, i cili u finalizua me futjen e Rumanisë në BE. Pra të pasurit e një ‘vëllai’ të madh është një domosdoshmëri e madhe për t’u bërë pjesë e strukturave të familjes evropiane.

Në mbyllje dua të shtoj që BE kërkon të shohë vullnet dhe motivim nga pala shqiptare kundrejt anëtarësimit. Ngërçet politike, bllokimi i reformave, ngadalësimi i proceseve, abstenimet, hedhja e fajit, akuzat dhe shumë vegla të tjera, janë shumë të qarta në sytë e të gjithë ndërkombëtarëve. Ato janë treguesit e vërtetë të dëshirës për të ecur përpara dhe matës i pulsit të politikës në Tiranë. Për sa kohë që klasa politike shqiptare nuk tregon seriozitet dhe kërkon rrugë alternative për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit, sjell një barrë të rëndë, e cila bie mbi popullin e thjeshtë dhe njerëzit e zakonshëm.