Gëzim Llojdia

A është një vendim apo ka filluar një reformë tipike shqiptare, e cila në thelb përmbledh, mbylljen e shkollave me pak nxënës ose ato me klasa kolektive dhe grupimin e tyre në qendra më të mëdha ose në fshatra më afër. Një studim i tillë sipas disa zërave ka filluar, shumë shpejt, mirëpo ajo nuk u zbatua duket se është marrë parasysh se arsimi 9-vjeçar është detyrim i shtetit dhe shteti duhet të financojë ende për të mësuar fëmijët edhe në fshatra me pak nxënës dhe me klasa kolektive. Megjithatë edhe atëherë u mbyll shkolla e qytetit ilir të Amantias u mbyll shkolla e fshatit Frashër, fshati i atdhetarisë shqiptare dhe i vëllezërve Frashëri. Ky fillim shtatori, mund të quhet i zymtë, për sistemin e 9-vjeçar apo më tej kur dryni do të duhet të mbyllë dhjetëra shkolla në fshatra e zona të largëta të të gjithë vendit.

A nuk duhej diskutuar në parlament më mirë, sepse arsimi ka të bëjë me ardhmërinë kombit?

A nuk duket e parakohshme kjo masë arsimore, sepse bëhet fjalë për një sistem shkollor, që shteti e ka detyrim arsimimin e fëmijëve të kësaj moshe?

Që shteti duhet t’i lëvizë qindra fëmijë nga zonat e tyre të banimit për t’i shpurë në qendra të mëdha është një lëvizje e madhe edhe me kosto, sepse janë të njëjtat mësues, plus shtimin e kostos së lëvizjes. Si mundet vallë qindra vocërrak të ngrihen herët dhe në diell, shi, erë dhe të presin mjetet për të shkuar në fshatrat fqinje a më tej për të ndjekur mësimet?

Çfarë do të bëhet me godinat shkollave, që janë ndërtuar dhe janë harxhuar miliarda lekë, për ndërtimin e tyre, rikonstruksionin, mirëmbajtjen e tyre. Pra, çdo të bëhet me këto godina të ndërtuara në atë sistem, në këtë sistem kur dihet, që këto para kanë dalë nga taksapaguesit shqiptarë. Si do të vejë fati i këtyre ngrehinave, ku do të fërshëllejë era në dimër, shiu dhe dielli, në pranverë, verë, por ndërkaq në ato godina, që kanë vite e jetën e shkollarëve, madje nuk do të dëgjohet zëri i vocërrakëve. Fshatit, po i hoqe shkollën, i hoqe pulsin e gjallërisë. Cili do të jetë destinacioni i këtyre godinave, përveç drynit dhe inventarit, që do ta ketë DAR? Përse shoqëria civile, intelektualët, kryetarët e fshatrave, këshillat heshtin ndërkohë, që mbështetën fuqimisht një lëvizje për të mbrojtur një godinë teatri dhe për qindra godina të tjera, që do të kyçen, drynosen përfundimisht, pra vjeshta tjetër dhe të tjera vjeshta do t’i gjejë të rrënuara, po s’thonë asgjë! Më me interes do të ishte, që shteti për ato shkolla, të cilat janë në gjendje të mjeruar, të rrënuara, të shkatërruara e që nuk mund t’u jepen investime për mungesë fondesh, le të mbyllen dhe nxënësit të shkojnë ndërkaq të mësojnë, në ambiente të reja në qendra qytetesh apo bashkie. Nuk ia vlen vërtete të bësh investim në godina të rrënuara dhe kushdo do ta mirëpriste këtë nismë. Mirëpo, nëse ka godina të reja dhe të mirëmbajtura, përse duhet të kryhet zhvendosje apo transferim e mbyllje shkollash? Meqenëse në TV çdo ditë flitet për këtë reformë do të ishte e udhës, që shtetarët të nxjerrin fotot e atyre godinave, që vërtetë nuk ia vlen të investosh, është detyrim dhe një transparencë para qytetarëve të tyre, por edhe për të mësuar çfarë po ndodh në të vërtetë, sepse mund të jetë edhe e kundërta, dhe zhurma jonë mund të jetë në drejtimin e gabuar. E kisha llafin te fati i këtyre godinave, që kanë ngrënë miliarda, e do të mbeten si çdo gjë në këtë tokë e vend, jetime të heshtura dhe të mbuluara, pas do kohe nga pluhuri dhe harresa e kohës. Por, paradoksi shqiptar është se ndërsa mulliri e ynë i fjalëve bluan llafe për mbyllen e shkollave 9-vjeçare në çdo cep e anë kënd këtij vendi, ende ky shteti ynë i dobët dhe i pafuqishëm financohen me po atë ritme, 8 universitete shtetërore nga jugu në veri. Erdhi, kjo vjeshtë, mirëpo universitetet shtetërore i gjeti me po atë ritual të kahershëm. Produkti i gatshëm, i Maturës Shtetërore kaloi te universitetet shtetërore, financimet dhe pagat etj., po atëherë përse u bë Ligji i Arsimit Lartë? Vetëm për ca gjëra të vogla?! Më i korruptuari dhe më i përfoluri, që ka i ka bërë “rrush e kumbulla” paratë e taksapaguesve shqiptarë, quhen universitetet shtetërore. Të gjitha mediumet shqiptare kanë treguar raste me zë e figurë, kur pedagogët e sistemit shtetëror kanë përfunduar prapa hekurave për ryshfet dhe marrje parash nga studentet, kur auditet e ministrisë dhe KLSH kanë raportuar ndër vite, për humbje dhe vjedhje të hapur në këtë sektor nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Universitetet shtetërore kanë vite, që marrin të gatshme produktin, që del nga Matura Shtetërore. Shtetërori ka mjaft probleme, të cilat në asnjë vend të botës nuk ndodhin. Në një sipërfaqe të vogël, mësojnë mijëra studentë. Numri i madh i studentëve, ka krijuar mbipopullim. Korrupsioni këtu, ka qenë i lexueshëm dhe i përhershëm. Asnjë masë, nuk ka mundur dot ta përballojë këtë “gangrenë” të arsimit të lartë. Studentët përveç taksës që i paguajnë shtetit, një taksë tjetër, por nën dorë u shkon pedagogëve. Një problem më vete, janë emërimet. Në universitete janë punësuar gjithfarë pedagogësh, emërime politike dhe korrupsioni ka qenë dhe është prezent. Në universitetet shtetërore, është një prapavijë e madhe punonjësish që ha paratë e taksapaguesve shqiptarë pa u ndjerë. Për këtë duhen lexuar ndër vite raportet e KLSH. Dhe natyrshëm shtrohen disa pyetje, që të duhet të bëjnë të mendosh,se:

-Përse shteti, ende duhet të mbajë në këmbë këtë sistem arsimor, ku shteti bënë sikur favorizon privatin, por produktin e maturës shtetërore, financimet për paga e godina vijon ta bëjë te shtetërori?

A i ka dhënë ndonjë financim direkt apo indirekt universiteteve private? Asgjë.

A duhet mbajtur ajo administratë e madhe e fryrë, burokratike me rroga milionerësh në universitete shtetërore?

A duhet të qëndrojnë në këmbë ende ky sistem arsimor, që i zhvat buxhetit të shtetit miliarda lekë?

A duhet të paguajmë ne, taksapaguesit shqiptarë, para për të mbajtur në këmbë një sistem të dështuar arsimor që vijon dhe i rendit universitet shtetërore shqiptarë ndër më të fundit në botë dhe shumë larg asaj që aspirojnë e dëshirojnë shqiptarët për arsim e dituri?

Përse shteti duhet të financojë ende universitet shtetërore dhe t’i furnizojë ata me studentë kur në të gjithë botën maturantët, duhet të aplikojnë direkt te universitetet?

Ç’’punë ka maturanti tek E-albania për tu pranuar në universitet?

Përse këto financime shteti nuk i bënë për të mbajtur në këmbë ato shkolla 9 vjeçare që po mbyllen kudo, duke dërguar edhe vocërrakët e mësuesit nëpër fshatrat të tjerë ?

Nëse një student nuk shkon te shtetërori ka alternativë, privatin?

Përse duhet të vijojë financimi, kur ky financim mund të bëhet vetëm për 3-4 universitete më të mira në kryeqytet dhe ato të rretheve të rivalizojnë privatin, nëse jo le të mbyllën dhe parat e tyre të shkojnë për shkollat, që po kyçen këtë vjeshtë?

Pra e thënë shkurt,qartë dhe prerë:Përse ende duhet financuar universitetet dhe të mbyllen shkollat 9 –vjeçare?

Nëse ka financime, le t’u jepen këtyre të fundit. Këta të fundit, kanë më shumë nevojë për arsimim ngase nuk kanë alternativë tjetër. T’i thërrasim edhe kujtesës, në fshatrat e largët, qysh në kohërat e muzgut u hapën shkollat shqipe. Ato u mbijetuan kohërave, luftërave, pushtuesve që kërkonin me çdo çmim, të zhduknin shqipen si gjuhë. Do ikë vjeshta dhe dimri, lluca, suferina dhe ujërat do të mbulojnë qendrat e fshatarëve dhe si atëherë ndanë xhadeve do të piqemi me mësuesit e fshatrave si në krijimin më të bukur të Kadaresë:

Në udhëkryqe ndanë xhadeve.

Ditët e shtuna dalin shpesh.

Dhe zgjatin dorën nga makinat.

Herë dy nga dy herë veç e veç.

 

Po shpesh ata që janë Brenda.

Me njëri-tjetrin shkëmbejnë fraza.

Si shumë pretendime kanë.

Mor shoku Jani, këto vajza.

Dhe janë ata që bëjnë zhurmë.

 

Që kanë për vete dyzet gojë.

Që i shkruajnë letër presidiumit.

Për një kuzhinë po t’ju mungojë.

Dhe ato presin makinën tjetër.

Atje në rrugë atje në shi.

 

Ato të urtat gjer në dhembje.

Të thjeshtat gjer në madhështi.

 

Tek presin, java që kaloi.

Iu kujtohet si në tym.

Klasa me nxënësit, gabimet.

Q’u përsëritën në hartim.

 

Në mbrëmje radion dëgjon njëra.

Tjetrës në mend i vjen sërish.

Shikimi i fotoreporterit.

Q’andej kaloj rastësisht.

 

Koha e fejesës i ka ardhur.

Dikujt ndoshta i shkon çdo ditë.

Pluhur i shkumësit, vello e bardhë.

U bie mbi supe e i trondit.

 

Po s’ngrenë ato botën në këmbë.

Në komitet në ministri.

Ato të urtat gjer në dhembje.

Të thjeshtat gjer në madhështi.