OSBE-ja në Shqipëri është totalisht e dështuar

709
Sigal

Av. Kujtim Cakrani

 OSBE prej 26 vitesh duhet theksuar se ka heshtur përballë shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri, përfshi këtu të drejtat politike që është vetë demokracia dhe sistemi saj ekonomik që është ekonomia e tregut të lirë, pra kapitalizmi.

Është fare e pashpjegueshme, por më se e vërtetë që OSBE qysh në fillimet e saj heshti për shkeljen më të madhe historike të së drejtës, atë që iu bë pronarëve shqiptarë për kthimit të pronës së tyre private të sekuestruar nga regjimi komunist.

Nga një analizë e thjeshtë, por me bazë faktesh, OSBE Shqipërinë nuk e ka parë ndonjëherë me ndonjë seriozitet të madh, si zhvillimet, por edhe problematikën e saj, gjë që na çon në konkluzionin se nuk i ka dhënë rëndësinë e duhur.

Koha ka vërtetuar se përfaqësuesit e saj me të ardhur në Shqipëri janë bërë palë me qeveritë dhe nga ku më pas si shpërblim beneficesh kanë bërë një luks që nuk e kanë pasur as andej nga vinin, kanë shijuar bukuritë natyrore, kulturore, por dhe seksuale të Shqipërisë.

Misioni OSBE në Shqipëri prej mbërritjes së tij ka qenë pa u përshtatur me konjukturat e krijuara, gjithmonë jashtë pothuaj gjithë funksionit të saj si organizatë. Fakti që ajo është bërë kurdoherë pjesë e krimeve elektorale, ku ka parë me prova vjedhjet e votave nga bandat e partive dhe ka heshtur, me pretendimin e stabilitetit, të kujton qëndrimin e kolonizatorëve ndaj kolonive afrikane apo kushdo qofshin.

Me deklaratat e saj groteske për çdo proces zgjedhor, thuhej se ishin shfaqur probleme por zgjedhjet ishin “një hap para”, ku si refreni më i ulët dhe fyes, shqiptarët e kanë dëgjuar dhe me sa duket, do ta dëgjojnë gjatë. OSBE është institucion shumë i rëndësishëm, dhe operon dhe ka zyrat e saj në vendet ish-totalitare, dhe si të tilla në këto vende liritë dhe të drejtat e njeriut shkelen pafundësisht.

Në Shqipëri OSBE duhet thënë se ka dështuar totalisht, a thua se është një biznes privat, që duke u kthyer në një shoqatë marionetë, bën qokat e qeverisë në kurriz të qytetarëve. Natyrshëm që nuk kemi dëgjuar në asnjë rast që drejtuesit e misionit të OSBE të dalin në mbrojtje të qytetarëve, të mbrojnë ata nga shkelja e të drejtave të tyre që iu bëjnë qeveritë.

OSBE nuk ka mision të mbrojë qeverinë nga populli, pasi dihet se populli nuk ka çfarë t’i bëjë qeverisë, por ajo ka si mision dhe detyrë të saj të mbrojë popullin nga qeveritë, pasi ato i ka të gjitha mekanizmat që mund ta shtypin popullin, jo vetëm me anë të dhunës policore por edhe si ekzekutiv apo parlament, ku me anë ligjeve të ndryshme i sjellin popullit një dëm të pallogaritshëm dhe parikuperueshëm në kohë.

OSBE në Shqipëri përfundimisht siç faktohet mund të quhet e dështuar, ndërsa në sytë dhe mendjen e qytetarëve shqiptarë, të perceptohet si e kapur nga qeveria, dhe të përdoret prej saj për qoka sa herë ajo është në vështirësi.