Nuk ka shtet!

551
Sigal

Izet S. Çulli

Është një thënie e shpeshtë që qarkullon prej vitesh e kthyer në të rëndomtë tri-fjalëshi i mësipërm, në këtë titull kthehet si një refren i një kënge të dalëboje e që nuk të ngjit. E dëgjon atë në biseda televizive e debate të shterpëta midis dy grupeve “kundërshtare”, të cilit janë ndarë artificialisht, por tek e fundit në një çanak hanë të dy palët. Po ashtu u mëshohet edhe në ato bisedat e mëngjesit të disa televizioneve që kryhen mbas leximit të gazetave të përditshme. Natyrisht, në përgjithësi, ne nuk presim ndonjë zgjidhje të halleve e andrallave të pasosura të njerëzve, por së paku, të ndihet problemi i paraqitur prej tyre. Ndoshta do të ketë ndonjë institucion shtetëror apo pushtetar që i dëgjon dhe i vë në mendime për reflektim. Referime të më lartat ndihen edhe në emisionet hulumtuese si “Fiks fare”, “Stop”, “Boom”, ku shpesh spikatin notat groteske dhe humori i hollë. Po vëmë re që problematikat, në vend që të ulen e zbehen, shqetësimi qytetar shtohet dhe jo rrallë bisedat mbyllen me ato tri fjalë fatale e pesimiste: “Nuk ka shtet”, sepse po të kishte gjithçka do të merrte udhëzgjidhje, këtu ku s’ka rehati dhe përparim të prekshëm nga njerëzit e thjeshtë. Paskëtaj,ata zgjedhin rrugën më të lehtë e po kaq të vështirë për t’u larguar pa iu dhimbsur aspak atdheu, jeta e kaluar në këto anë, kujtimet, të afërmit e dashur, historitë dhe legjendat me të cilat janë mëkuar brez pas brezi. Një ditë një dëgjuese, e cila me sa dukej ishte pjesëmarrëse aktive në dialogë të tillë, u shpreh shkoqur e pa drojë: -Më falni zotëri gazetar, se shpesh dëgjojmë një shprehje të njëllojshme, standarde, që tek ne nuk ka shtet, domethënien e së cilës nuk e kuptoj pse përdoret. Shteti me sa dimë ne përbëhet nga institucionet dhe nëpunësit e tij. Po ashtu më thoni ju lutem, kush mungon prej atyre, madje ne shohim se ata janë me tepri nëpër dikastere, atëherë pse shprehemi se nuk paska shtet, ky i bekuar nga njerëz dhe institucione përbëhet…! Mbas një grimë kohe, ajo e mbylli bisedën me gazetar Bashkimin: -A mos duhet thënë, jo s’ka shtet, por nuk ka njerëz të aftë, të saktë e të përkushtuar për të kryer secili punën që i është ngarkuar e për të cilën paguhet!? Mesa kuptova edhe gazetari ngeli i kënaqur me analizën e mirë dhe lakonike të infermieres në këto ditë të ftohta acarimesh politike dhe nuk e zgjati më tej… Duhet vënë në dukje se ndoshta ka edhe diçka tjetër që e kemi përmendur në vëzhgimet tona të mëparshme. Pushtetarët e sotëm nuk ndihen duke menduar se ata nesër do të jenë në anën tjetër të “barrikadës” dhe kësisoj do të të vihen para përgjegjësive për atë që nuk kanë bërë apo të kryer keq. Ndaj më mirë, urtë e butë e plot tigani, siç thotë populli. Pra, edhe nëpunësit flenë të kënaqur se asgjë nuk do t’i kërcënojë as tani, as në të ardhmen. Kjo nuk është hamendje, por një realitet, paçka se i hidhur dhe njëherazi po aq tronditës për shoqërinë dhe vendin… Më e pranueshme do të ishte të shpreheshim: Pse nuk funksionin plotësisht shteti dhe strukturat e tij, të cilave nuk iu mungojnë, as shtetarët më të lartë dhe as punonjësit më të thjeshtë…?!