Nota të dobëta qeverisë

843
Sigal

Nga Vangjush Saro

Rileximi i romanit të njohur të M. Tuen “Princi dhe i varfëri” përkoi me leximin edhe të një sërë të dhënave, në medie, për jetën aktuale dhe varfërinë e qytetarëve shqiptarë, si edhe me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Në të përgjithshmen, pas gjithë këtyre leximeve e, pasi përpiqemi të kuptojmë çfarë po ndodh në vend, mund të themi se gjendemi përpara një gjendjeje që s’është për t’u vlerësuar me notë të mirë. Shumë vërejtje e pse jo, edhe zhgënjime. Por ndër gjërat më të dukshme, është polarizimi i papranueshëm. Ja pra, tek u bëmë sërish me klasa (!) Nga njëra anë, kemi pasuri përrallore të politikanëve e zyrtarëve të lartë, njerëzve të drejtësisë veças, madje edhe atyre të medies; nga ana tjetër, kemi një varfërim në vazhdimësi dhe mungesë perspektive për shumicën dërmuese të popullsisë shqiptare.  Meqë jemi në sezon pushimesh, le ta fillojmë këtë shënim me një fakt të hidhur, i publikuar tashmë, por që duhet të na bëjë t’i vëmë gishtin kokës: 65 % e qytetarëve shqiptarë nuk shkojnë dot me pushime… (“Ëndrrat e mia ishin modeste dhe s’kërkonin shumë mund për t’u realizuar.” N. Mahfuz) Lexuam në medie, gjithashtu, se Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në një studim për lëvizjet emigruese të shqiptarëve, kumtojnë se 40 % e tyre, e jona, jetojnë jashtë vendit. (Studimi bazohet pjesërisht në intervista me shqiptarë të kthyer nga Greqia, Italia dhe Gjermania, për të parë nga afër përpjekjet e tyre të ri-integrimit në atdhe.) Shqipëria renditet midis vendeve evropiane e botërore me emigrimin më të lartë për frymë të popullsisë.  Le të hedhim sytë edhe te një tjetër tregues i kësaj varfërie e, po ashtu, në këtë diametralizëm… Familjet me të ardhura nën 25 mijë lekë në muaj, ku kryesisht bëjnë pjesë pensionistët, i paguajnë “më shtrenjtë” faturat e energjisë elektrike, në krahasim me familjet që regjistrojnë të ardhura mbi 50 mijë lekë në muaj. (E pohon këtë studimi “Vlerësimi i performancës së energjisë në ndërtesa përmes konceptit të varfërisë energjetike”, i cili përfshiu 1539 familje në 5 qarqe të vendit.) Sipas këtij raporti, familjet me të ardhura mesatare nën 10 mijë lekë në muaj shpenzojnë 36 % të të ardhurave të tyre për të paguar faturën e energjisë.

Kurse familjet me të ardhura mesatare 10 mijë deri në 25 mijë lekë, shpenzojnë 19.5 % për ta kryer këtë pagesë. Sasia e të ardhurave që shkon për faturën e energjisë ulet me rritjen e të ardhurave, duke shkuar në 12 % për familjet me mbi 50 mijë lekë të ardhura. Siç shihet, ka një hendek të madh midis zotërinjve të politikës e drejtësisë dhe pjesës tjetër të popullit e të intelektualëve. Ndërkaq, nuk ndjehet ndonjë dëshirë a lëvizje demokratike për ta ndryshuar gjendjen, për të synuar përmirësimin e saj; populli gjithnjë pret t’i shkojë thika gjer në kockë. Për më tepër, ai, populli, nuk është i mirëpërfaqësuar. Pjesa afër partive e pushteteve, qendrore dhe vendore, ia del disi. Ata që kanë një biznes, po se po. Kurse populli është, si mund ta themi… Po kërkojmë ndihmë gjetkë: “Një popull i strehuar brenda zërit të tij”. (Xh. Xhojs) Krahas këtyre pamjeve, prej disa kohësh, prej shumë kohësh duhet thënë, kemi edhe një fushatë politike për të ribërë (rilindur) Shqipërinë, për të shkundur drejtësinë, për të parë se ç’pasuri kanë e ç’jetë bëjnë politikanët, zyrtarët e lartë dhe një pjesë e njerëzve të drejtësisë. Këtë e pohojmë vetëm si fakt, pa diskutuar problemet se si po zhvillohet fushata, institucionet që ka marrë përpara dhe pasojat e tjera. (“Kërcënimi më i madh i lirisë është përqëndrimi i pushtetit…” M. Friedman) Për hir të së vërtetës, fushata dhe Vetting-u e zbuluan edhe më mirë gjendjen, polarizimin në fjalë. Por ndërsa ato përcillen me shumë diskutime e kundërshti, në medie, ka gjithnjë e më shumë fakte, shifra dhe rrëfime diskretituese; që jo se nuk i dinim apo nuk i merrnim me mend, por që, gjithsesi, të trishtojnë. Kemi të bëjmë me një diametralizëm të pamatë. Një telenovelë tejet fyese për pjesën tjetër të popullsisë. Pa le që shumica e këtyre pasunarëve, Plepaxhinj të drejtësisë e të politikës – dhe këtu s’është fjala vetëm për ata të Kursit në fjalë – janë personazhe për të cilët Ç. Dikens thoshte:Mendimet e tij zor se ngriheshin më lart se laureshat. (“Dombi dhe biri”) Kjo ndodh për shkak se pa injorancë, pa kuturisje, pa ndjenjë aventure e përfitimi me çdo kusht, nuk bëhet pasuri. Por le të ndalojmë pak. Është një pamje që ndeshet edhe në vende të tjera, në çdo vend, madje më së pari në Perëndimin e adhuruar (pothuajse) nga të gjithë ne; së paku në kohërat e diktaturës. Veçse në çdo rast, ka një histori rritjeje e një trashëgimie; këto pasuri a lukse vijnë brezash, nuk janë krijuar për një apo dy dekada. Nuk mund të themi se nuk ka (atje apo andej) edhe pasuri të vëna me mënyra kriminale. Gjithsesi, nuk janë shfaqur kaq të befta e të pakontrollueshme dhe nuk janë mizorisht lënduese, ndërsa në mënyrë demagogjike thuhet se bëhet reformë e ka përmirësime për sa i takon varfërisë ekstreme, jetës me probleme të pjesës tjetër të popullsisë. Nuk ka si të shkojë mbarë ekonomia dhe jeta e një vendi, për sa kohë politikanët protagonistë dhe protagonistët e Drejtësisë së Plepave mendojnë vetëm për veten e tyre. Tashmë ka individë shumë të pasur, me disa shtëpi – kjo ishte një fjalë e vogël – me mjete udhëtimi nga më luksozet, me veshje nga më të shtrenjtat, me pushime e festa ku çuditet i madh e i vogël. Por edhe me male akuzash mbi shpinë, jo? Midis atyre që tallen me ligjet dhe me rregullat elementare të një demokracie, ka asish që çfarë nuk kanë bërë e për çfarë nuk janë akuzuar; por asnjëherë nuk u përballën me ligjin, fundja me të vërtetën. Edhe s’iu veton syri. Ky është realiteti. O kasolle, ku na mblodhe! (“Ligji duhet të jetë i hapur për të gjithë dhe vazhdimisht.” F. Kafka) Amullia ekonomike, që sapo u cek më lart, jep edhe ajo shpjegimet e veta në këtë gjendje; përveç dukurive të tjera, të njohura tashmë, si mungesa e vëmendjes ndaj deformimeve në politikë e drejtësi,  angazhimi në këto sfera i abuzuesve më të mëdhenj, ndërtimi i jetës dhe përfitimeve sipas interesave të klaneve, etj. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, që u zu goje edhe në krye të këtij shënimi, vizaton një klimë jo të mirë për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik në tërësi. Po ndaloj, ndërkaq, edhe në disa të dhëna të Institutit Vienez për Studime Ndërkombëtare Ekonomike, institucion të cilit gjithnjë i jam referuar në një sërë shkrime, jo për të sjellë ndonjë thellim në analizat modeste, por për të mbështetur interpretimet e mia si gazetar. Kështu, lexoj se papunësia në vitin 2015 ka qenë 17.1 %;  në vitin 2916 ishte 15 %; kurse në vitin 2017: 13.7, shifër që e kam gjetur kohë më parë, kur shkruaja në mënyrë kritike ndaj atyre që janë sot në opozitë, duke pasur parasysh që, si atëherë edhe tani, këto shifra, gjithsesi, nuk e përjashtojnë deformimin e fakteve dhe të vërtetës, për shkak të detajeve që ekspertët e qeverive dinë t’i “vizatojnë” shumë mirë. Po aty, shoh se ka një rritje të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por për çudi, Rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Industrial (që tani përmbledh gjithfarëlloj biznesesh e të dhënash) është në kuota minusi; dhe vetëm gjatë vitit 2017 ka një rritje prej 0.7 %. Nuk do shumë vëmendje për të konstatuar se me gjithë propagandën e madhe për zhvillim e ndryshim, të dhënat kryesore ekonomike nuk flasin me të njëjtën gjuhë.

Mund të ketë disa ndryshime në shërbime, zyrat kryesore të marrëdhënieve me publikun, si ato të pensioneve, të gjendjeve civile, etj. Po ashtu, mund të shihen përpjekje për të ringjallur bujqësinë, tani në shembullin e disa fermave të mira, etj. Mund të ketë më shumë hotele e kulla anembanë vendit. Por të gjitha këto, janë pak për të mbyllur a drenazhuar hendekun e madh për të cilin flasim në këto radhë.  Qeveritë shqiptare, edhe kjo e radhës, nuk e kanë në objektivat e tyre këtë gjë, zbutjen e varfërisë e të disnivelit; ose e ndryjnë atje, në programe, sa për të qenë brenda. Kjo histori s’është romani që përmenda në hyrje të këtyre radhëve, por një jetë reale, me një diametralizëm të papranueshëm, në një kohë… moderne, kur rendi aktual po quhet… “Demokraci”. Qytetarët shqiptarë, kanë pasur gjithnjë shansin, e kanë sërish një shans me zgjedhjet vendore, të tregojnë se duan një ndryshim të vërtetë, por edhe ndryshues të vërtetë; pra, të  mos zgjedhin e të mos pranojnë në lista horra, të japin sinjale se duan një shtet e një qeverisje më të përgjegjshme dhe më rezultative. Në këtë temë, intelektualët dhe shoqatat e sindikatat (që këtu po i lë pa ndonjë epitet) duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Një fjalë e urtë popullore i thotë këtij populli: “Lumi i thellë mendje e kthjellë.”