Një replikë me ata, të pasuruarit në vitet e demokracisë

655
Sigal

Dhimitraq Thoma Trajani, Doktor  i  Shkencave, Inxhinier

Ju intelektualët, që u arsimuat, pikërisht në ato kohë të vështira ekonomike të vendit tonë, pse nuk e kini përmendur asnjëherë, dhe në asnjë rast të vetëm, se pikërisht në atë periudhë rimëkëmbje, që ju s’lini vështirësi pa e kujtuar, pse e fshihni në “xhepat” e mosmirënjohjes dhe nuk e shprehni mirënjohjen ndaj popullit tonë, ndaj atyre të varfërve, që kanë sakrifikuar edhe për ju, duke hequr “kafshatën e gojës” që ju të arsimoheshit në universitetet më me emër të Evropës? Përmendeni ju lutem, pohojeni qoftë edhe një herë të vetme, nëse nuk jini “bukë shkalë”: kush ka paguar për ju, që të specializoheshit në klinikat më të kualifikuara të Parisit, Romës, dhe në kryeqytetet e tjera të Evropës?!

Natyrisht çdo largim nga vendi i një të afërmi por edhe të një të njohuri, nuk përjetohet mirë nga shumica e njerëzve që janë të vendosur “të mbyllin sytë” këtu ku kanë lindur. Kur dëgjojnë për të larguarit, ndjejnë sikur diçka shkëputet nga trungu ynë. Por, emigrimi nuk është dukuri specifike e shqiptarëve, të cilët e kanë provuar atë që nga pjesa e dytë e shekullit të 19-të, ashtu si kanë emigruar me qindra milionë evropianë në SHBA deri në Australinë e largët. Dhe ky është një problem sa social aq edhe psikologjik, shpirtëror, që nuk mundet të kufizohet. Njeriu është gjithmonë i prirur drejt jetesës më të mirë, dhe e kërkon atë gjithmonë dhe me të gjitha mundësitë që ka dhe që i ofrohen. A nuk lidhet kjo sjellje edhe me ndjenjën për pronën, me gjithçka që është vetjake?  Por qëllimi që dëshiroj të shpreh disa mendime, në këtë  shkrim, që të them të vërtetën, të cilat nuk mund të mos më provokojnë dhe për më tepër s’kam të më bëjnë të hesht.

Dëshiroj të pyes: Kush jeni ju që ju dhimbsen kaq shumë intelektualët, “truri i kombit”, sidomos ai i sektorit të shëndetësisë që po largohen nga vendi ynë?! Që e kini përdorur këtë “keqardhje” edhe si një kauzë, pse jo edhe politike, nga ata që janë si në ethe për të ardhur në pushtet, që  s’lenë rast për të ngjyer “penelatat e tyre politike” në çdo gjë  “që pikturojnë”  vetëm në bojën e zezë! Por a nuk jini ju, më të shumit prej politikanëve, që po na drejtoni për afro tridhjetë vjet, të arsimuar në shkencat mjekësore, “që varët të parët bluzat e bardha të mjekut dhe të pedagogut në gardërobat e partive politike, për të marrë prej tyre uniformën partiake?!” Ja po ja u them me bindje dhe vërtetësi: Vështirë se mundet të gjendet ndonjë vend tjetër në Evropë si i yni, ku personalitete  studimore dhe shkencore, sidomos në ato të shkencave të natyrës dhe mjekësisë, që të kenë “kapërcyer ylberin”, për t’u bërë politikanë! Dëshiroj t’ua u kujtoj, sepse  nuk besoj se nuk e dini: Nuk mund të gjendet një vend tjetër si i yni, që profesorati i lartë ose akademikët, të kenë braktisur auditorët e mësimdhënies dhe punën shkencore për t’i hyrë rrugës të politikbërjes! Dhe ndërsa i mbani dhe i ruani si simbole të CV-ve tuaja, titujt dhe gradat shkencore, gjithmonë e më shumë po deklaroheni: “Unë si politikan…”! Dhe njerëzit duke nënqeshur nga revoltimi i brendshëm pyesin: “Ku konsistojnë dhe çfarë i kanë sjellë vendit tonë “vizionet” tuaja politike përpos  shkatërrimit edhe asaj që ishte ndërtuar me sakrifica të pashembullta…?! Dua t’ju kujtoj juve profesorëve të fushës të arsimit, se asnjë personalitet i shquar i shkencës, krijimtarisë muzikore dhe letërsisë botërore, që me veprat e tyre janë shënuar me germa të arta në librin e epokave të zhvillimit të njerëzimit, nuk ka qenë i pasur!  Kush e di, qoftë edhe në mënyrë të përmbledhur jetën e fizikanit dhe kimistit të shquar anglez Majkëll Faradeit, që para dyqind vjetëve zbuloi induksionin elektromagnetik, dukuritë elektrokimike dhe përvijoi studime të suksesshme edhe zbulimet në shkencën e elektronikës optike, e që aktualisht këto zbulime shërbejnë si baza në konstruimet inxhinierike më të avancuara të elektronikës të zbatuar. Ky kolos i shkencave të fizikës dhe kimisë, biografët e tij, theksojnë se ky personalitet që ka bërë epokë  në shkencat e natyrës, ka qenë shpërfillës ndaj lavdisë dhe pasurisë, që e shprehu edhe me refuzimin e ofertës së oborrit mbretëror anglez, për  postin e kryetarit të Akademisë Shkencore Mbretërore. Të ishte ky qëndrim, për shkak të prejardhjes të tij sociale, për shkak se vinte nga një shtresë e varfër?! Por a nuk janë jetët e Hygoit, Verdit, Moxartit, Bethovenit, Shubertit, pse jo edhe e Ajnshtajnit, që kanë sfiduar lavdinë dhe parajsën pasurore dhe kanë mbyllur sytë në varfëri, duke shkruar edhe në testamentet e tyre kërkesën: Për t’u varrosur në varrezat e të varfërve dhe me karrocat e tyre?! Cilido që ka lexuar romanet e Viktor Hygoit, dhe të mos t’i ketë veçuar ato për përmbajtjen në përgjithësi dhe mesazhet që ai nëpërmjet atyre kryeveprave botërore, skalitjen e personazheve dhe gjuhën letrare të paarritshme?  Kush nuk është impresionuar nga krijimtaria e Moxartit në veprat operistike të tij: “Dasma e Figaros”, “Don Zhuani”,  “Fyelli Magjik”? Kush nuk është trishtuar kur ka lexuar për “Rekuiem-in”, të porositur për një njeri  tjetër, që vinte prej “një dere të lartë”, por që do dëgjohej dhe do të këndohej prej tij dhe shokëve më të afërt, një ditë para asaj ditë me stuhi dëbore të 5 dhjetorit të vitit 1791, kur ai u braktis nga të gjithë, dhe arkivoli me trupin e tij, do shoqërohej vetëm nga dy varrmihësit që do ta vendosnin atë në varrezën masive të Vjenës, ku preheshin eshtrat e të varfëve, të vdekurve në rrugë dhe atyre që gjendeshin nën urat e Vjenës! Cilido që dashuron muzikën klasike, sigurisht që do dëshirojë të dëgjojë simfonitë e pa përsëritshme të Bethovenit, “Sonatën e Hënës”, të cilën ai ia dedikoi asaj dashurie që i solli pak ditë të lumtura, dhe pas të cilave do vazhdonte jeta e tij fatkeqe. Dhe ky njeri i madh në krijimtarinë muzikore, por i “dënuar” për të jetuar në varfëri, një artist i pasionuar mbas letërsisë dhe filozofisë, lexues i krijimtarisë së Homerit, Plutarkut, Shekspirit, Shilerit, Getes dhe Rusoit, me siguri tek veprat e tyre ka gjetur edhe frymëzim ndërmjet të tjerave, edhe për kompozimin e “Simfonisë të Nëntë” , që sot ekzekutohet si himn i Bashkimit Evropian, Ky personalitet i paarritshëm në veprën e tij muzikore, na ka lënë edhe një mësim moral në lamtumirën e trishtuar të tij, nëpërmjet porosive që i transmetonte të vëllezërve: “Po vdes i varfër dhe s’kam pasuri për t’ju trashëguar. (Bet’hoveni nuk ka qenë i martuar). Mësojini fëmijët tuaj të jenë të virtytshëm, se virtytet dhe jo pasuria e paratë, të bëjnë të lumtur në jetë! Dhe këtë mësim e sjell nga përvoja ime e jetës. Kur kam qenë i trishtuar, virtytet më kanë ngritur peshë dhe më kanë dhënë forca të përballoj vështirësitë dhe vuajtjet!”    

A mund të mendohet se këta korifej të shkencës dhe kulturës botërore të mos e njihnin dhe mos kishin përvetësuar filozofinë e Solonit të para shumë shekujve mbi pasurinë: “Ngopja gjithmonë –ka theksuar ai,- lind vrazhdësinë, sidomos kur kamja e madhe shkon dhe përfundon te ata që nuk dallohen për mend!” Dhe elegjinë e tij drejtuar të pasurve: “Brenda në gji pajtoheni zemrën tuaj të ashpër, ju që nga kamja pafund velur më jeni sa s’ka! Mendjes të madhe i vini një fre se…”. Apo Mesazhin bazë të Budës para 2600 vjetëve nëpërmjet  katër të vërtetave: së pari, jeta njerëzore në parim është e pa kënaqshme, shkaku për këtë është egoizmi njerëzor dhe pangopësia; egoizmi dhe pangopësia e çdo njeriu, merr fund kur të gjitha dëshirat dhe synimet e tij shuhen. Dhe sa e gjetur është prej tij, simbolika numerike të oktapodit,(tetëkëmbëshit), si  mënyra më e mirë për t’u larguar nga egoizmi dhe pangopësia! Qëndrimet dhe sjelljet e tyre tregojnë kundërtën! Mendohet dhe kjo është pranë të vërtetës, se ato i njihnin pikëpamjet e Platonit dhe Tuqiditit: “Drejtësia nderohet më shumë me fjalë sesa me vepra, dhe respektohet më shumë nga të varfrit sesa nga të pasurit e kësaj bote!”

Ju intelektualët e pasur, flisni shpesh për ato kohë kur vendi ynë kalonte vështirësi ekonomike, pse jo edhe me kufizime në furnizime me produkte ushqimore, me të vërtetë ashtu siç përmendet tek ajo shprehja popullore që simbolizon ndjenjën e kursimit, “shtrëngonte rripin”. Sigurisht historianë që nuk e kanë të mbushur kokën me “lakra” politike, do e analizojnë atë kohë me objektivitet dhe do të thonë të vërtetën. Por diçka po e them edhe unë, dhe me gjithë bindjen që kam personalisht, sigurisht lexuesi le të gjykojë. Ato sakrifica duheshin, por ndofta më të kujdesshme dhe jo aq radikale! Por megjithatë ato sollën frytet e tyre. U ndërtuan vepra energjetike dhe ndonjëra prej tyre edhe nga më të lartat që gjenden në Evropë, që do ta bënte Shqipërinë vend plotësisht të elektrifikuar. Edhe pse me vështirësi infrastrukturore, diku edhe me ndonjë shtyllë druri të shtrembër, por ajo, edhe pse e shtrembër, e transmetoi dritën elektrike edhe në shtëpinë më të largët malore, duke i thënë: Mjaft! Shtupës të pishës dhe të kandilit shekullor, që aq sa ndriçonin aq edhe tymonin dhe nxinin ato mjedise jetese në zonat më të thella të vendit. U zbatua një politikë e rreptë kursimi, se duheshin të ndërtoheshin impiante industriale për përpunimin e lëndëve të para, deri me atë që në industri quhet “me cikël të mbyllur”, si ajo e përpunimit të bakrit dhe prodhimin e telave; u ngrit një industri kimike moderne për prodhimin e plehrave kimike dhe komponimeve kimike të nevojshme për degët e tjera të industrisë; u ndërtua një sistem ujitjeje e kullimi, që do të vinte afërsisht 80 për qind të sipërfaqes të tokës të punueshme nën ujë, dhe kur vetëm për këtë projekt u investuan disa miliarda dollarë; u ngrit një industri moderne tekstili dhe përpunimit ku ishin punësuar afërsisht pesëdhjetë mijë gra dhe vajza; do ndërtoheshin rrugë, shkolla, spitale dhe do krijoheshin plantacione në të gjitha zonat kodrinore dhe bregdetare, Nuk e di, nëse do ta besojnë banorët e zonave matanë Adriatikut të dëmtuara nga tërmeti i pak kohe më parë, të atij shteti të madh, shumë më i fuqishëm se Shqipëria e vitit 1967, që në vendin tonë u rindërtuan brenda një muaji fshatra të tëra të dëmtuara nga ai tërmet në mes të atij dimri të ashpër, dhe për pak kohë më shumë u ngrit një Qytezë e Re, si ajo e Baçallëkut në Shkodër?!

Ju intelektualët, që u arsimuat, pikërisht në ato kohë të vështira ekonomike, pse nuk e kini përmendur asnjëherë, dhe në asnjë rast të vetëm, se pikërisht në atë periudhë rimëkëmbjeje, që ju s’lini vështirësi pa ia kujtuar, pse e fshihni në “xhepat” e mosmirënjohjes dhe nuk e shprehni mirënjohjen ndaj popullit tonë, ndaj atyre të varfërve, që kanë sakrifikuar edhe për ju, duke hequr “kafshatën e gojës” që ju të arsimoheshit në universitetet më me emër të Evropës? Përmendeni ju lutem, pohojeni qoftë edhe një herë të vetme, nëse nuk jeni “bukë shkalë”: Kush ka paguar për ju, që të specializoheshit në klinikat më të kualifikuara të Parisit, Romës, dhe në kryeqytetet të tjera të Evropës? Shprehuani atë mirënjohje të munguar në sjelljet dhe qëndrimet tuaja ndaj popullit tim të dashur, të shumëvuajtur, edhe pse disa nga ju, me “kapërcimet prej pehlivani dhe zhongleri profesionist” kanë  shpërdoruar ato sakrificat e populli që, edhe pse i varfër, s’ka kursyer kurrë për të arsimuar bijtë e bijat e  tij. Por ju i tradhtuat interesat e atyre që investuan për ju; Vrapuat sa mundët për të arritur aty ku menduat se do fitonit më shumë; ju i mashtruat njerëzit e thjeshtë me titujt dhe gradat shkencore si “karta krediti”, jo vetëm profesionale, por edhe politike. Po tani njerëzit janë zhgënjyer nga ju! Politikat tuaja me ato “Çeqet e…”, jo vetëm rrënuan ekonominë, ashtu në ato nivele si ajo ishte ngritur deri në atë kohë, por me sakrifica të pashembullta. Por edhe atë institucion që duhet ta mbronit, si njërës të botës akademike dhe shkencës nga ju vinit, edhe asaj i vutë kazmën, rrënuat Akademinë e Shkencave dhe institucionet që ajo integronte dhe tani e kini lënë në “gjendje kome”!

Në propagandën që zhvillojnë të dy krahët e politikës, duke dëshiruar të bëhen zëdhënës të interesave dhe mençurisë të popullit, në mënyrë tepër të rëndomtë përsëritni një thënë se “populli ynë nuk është b…!” Mos e ulni kaq shumë propagandën! Populli i ynë e shikon se si ju politikanë pasuroheni çdo ditë. Ai nuk ju beson më se jua di vilat luksoze që kini, ku pushoni dhe ku kuroheni; ku i arsimoni fëmijët tuaj; jua lexon pasionin dhe ëndrrat tuaja për t’u pasuruar edhe më, pse jo edhe në paraqitjen dhe veshjet tuaja, që shpesh nuk mund të mos i “dekoroni” edhe me ato shamitë që vendosni në xhepin e majtë xhaketave, që kohët e fundit po i jepni edhe format e trëndafilave me ngjyra blu dhe rozë! Pikërisht për këto mos u bëni qesharakë duke ia qarë “hallet” popullit dhe të varfërve, të paktën mos zbrisni kaq poshtë!

Dhe dikush, në qoftë se do lexojë këto rreshta, do më etiketojë nostalgjik për regjimin që lamë pas, pse jo, nuk do hezitojë të më quajë edhe komunist i …, si shprehen shpesh shumë persona kameleonë që dikur e tundnin atë teserë si “certifikatë sigurie dhe të besuari politik”, me të cilën janë mburrur dhe janë përpjekur të përfitonin sa më shumë prej saj. Jo Zotërinj, unë e dua demokracinë e shëndetshme, e dua atdheun tim! Dhe jam betuar para flamurit, kur isha ende në moshën e adoleshencës, se do ta mbroj atë edhe me me gjak; e dua të vërtetën e prandaj po shprehem edhe në këtë shkrim. Edhe tani, do të isha i gatshëm dhe do të gjeja forca të hipja në kullën e tankut dhe të kryeja detyrën e shenjtë po të më thërriste atdheu, po ku ta gjej tani tankun me kumur 028 dhe disa të tjerë që vinin në radhë pas tij që kam komanduar, kur janë filmuar ato duke parakaluar në Festën e 20-vjetorit të çlirimit të atdheut, në paradën e 29 Nëntorit të vitit 1964, që gazetari atdhetar i shquar Marin Mema, na i kujtoi pas 54 vjetëve. Ata u shkrinë si skrap apo kushedi ku u shitën për t’u përdorur akoma edhe sot?!