Një qëndrim i paprecedentë për një eurodeputete

577
Sigal

Dr. Qemal Lame

Eurodeputetja Eleni Theocharova që u shpall, më 10 nëntor 2018, person “non grata” nga Qeveria e Shqipërisë, pas pjesëmarrjes së bujshme në funeralin e terroristit Kaçifa, për shkak të qëndrimit të saj armiqësor ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, ka reaguar po në mbrëmje me qëndrimin e saj të njohur shovinist e antishqiptar. Ajo e konsideron “regjim diktatorial” qeverisjen në Shqipëri apo siç e perifrazon fjalë për fjalë aji vetë “regjim të Edi Ramës”. Eleni Theocharova ka thënë se: “non grata” është një titull nderi për mua dhe ndjehem krenare për këtë, duke theksuar se do të vazhdojë pa u ndalur në denoncimin e shkeljes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Eurodeputetja theksoi se ditën e hënë do të flasë në Parlamentin Evropian për këtë çështje. “Do të mbroje në Parlamentin Evropian të drejtat e grekëve në Epir”! Eleni Theocharova, eurodeputetja e demokracisë parlamentare evropiane, me krenaritë çuditshme, por jo të papritur për shqiptaret, vihet demonstrativisht në mbrojtje të shovinizmit e të politikës naziste të disa grupimeve greke. Ajo akuzon me cinizën në vend që të reflektojë e të kërkojë falje ndaj kombit shqiptar dhe Qeverisë së Shqipërisë për qëndrimet e saj armiqësore, shoviniste në shërbim e në mbrojtje të nazizmit. Me papërgjegjshmëri ajo guxon të nënvleftësojë institucionet shqiptare dhe vlerëson veten të nderuar që në Shqipëri u deklarua person “non grata” dhe betohet se do të vazhdojë për mbrojtjen e të drejtave të grekëve në Epir! Me këtë qëndrim publik të dënueshëm, ajo edhe një herë vetëdeklarohet antishqiptare, shoviniste e mbështetëse e nazistëve të Agimit të Artë dhe grupimeve politike ultranacionaliste greke.

I rikujtojmë kësaj zonje,

së pari, se ajo shfrytëzon statusin e saj të nderuar si deputete e Parlamentit Evropian. Ajo ka njollosur dhe dëmtuar rëndë demokracinë evropiane duke mbrojtur terrorizmin dhe nazizmin e grupimeve politike shoviniste greke.

Së dyti, Epiri ka qenë e mbetet shqiptar, territor i banuar historikisht nga shqiptarët. Edhe sot, në Epir janë në shumicë shqiptarët, me gjithë gjenocidin, asimilimin e dëbimin.

Së treti, helenizimi dhe greqizimi artificial i shqiptarëve është demaskuar ndërkombëtarisht. Vdiq ideologjia shoviniste zyrtare e fetare ortodokse e helenizmit dhe greqizimit të shqiptarëve. Mendimet e kësaj eurodeputeteje kërkojnë reagim e shpjegimin, pasi nuk janë të izoluara. Ato dihet se janë edhe platforma politike qeveritare, por maskohen me imponimet e njëanshme për të realizuar qëllimet vjetra aneksioniste me qëndrimet për bashkëpunim, miqësi e integrimin evropian. Ngjarja në Bularat dëshmoi për agresivitetin e ultranacionalizmit grek të paramenduar dhe inskenuar me arrogancë e në mënyrën më poshtëruese që demaskoi Greqinë para opinionit publik shqiptar dhe gjithë botës së qytetëruar rrezikshmërinë e politikës shoviniste. Toleranca e shtetit dhe mikpritja e njohur e popullit shqiptar, u shpërdoruan me barbarizëm. U shfrytëzua një funeral mortor për të bërë politikë dhe kërkuar pretendime territoriale. Forcat e rendit kishin marrë masa për të garantuar sigurinë, por situata mund të dilte jashtë kontrollit dhe mund të shkaktoheshin pasoja të rënda. Ngjarja me viktimën që terrorizoi nuk u politizua nga Qeveria dhe Parlamenti i Greqisë.

Kjo u mirëprit nga opinioni publik në Shqipëri. Por më pas u zhgënjyem. U mbajt një minutë heshtje në Parlament. U avancua edhe më tej me deklarimin e vazhdimësisë së politikës shoviniste greke për Vorio Epirin. Me deklarimet që bëri zëvendëskryeministrja u vërtetuan dyshimet, se Qeveria e Greqisë vazhdon pretendimet shoviniste ndaj Shqipërisë. “Me Shqipërinë duhet hapur një dialog i sinqertë dhe në thellësi për të drejtat e pakicës kombëtare në funksion të perspektivës evropiane, parakushti i të cilave është zbatimi i plotë i tyre. Shqipëria duhet të pranojë qartë d.m.th, aq sa pretendon për shqiptarët jashtë vendit të tyre, autonomi ose edhe pavarësi, duhet të japë për pakicat kombëtare të gjitha të drejtat. Këto janë parakushte për pranimin nga Evropa dhe Greqia duhet t’i kujtojë”, deklaroi zyrtarja e lartë greke në një status në rrjetet sociale. Qeveria dhe parlamenti i Greqisë kërkohet të heqin dorë nga presionet e tyre të njohura për votën e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në shkëmbim të faljes së territorit e të detit. Institucionet e larta shtetërore të Greqisë, në marrëdhëniet me Shqipërinë kërkohet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare në kushte të barabarta ndërshtetërore, respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, njohjen, respektimin e garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Greqia akoma nuk ka ligj për minoritetet, ndërsa Shqipëria ka ligjin dhe ka garantuar praktikisht në jetë standardet e larta për minoritetin grek. Minoritarët u bënë edhe pronarë të tokës, duke mos iu njohur të drejtën pronarëve shqiptarë të vërtetë të tokës. Politika zyrtare dhe ortodoksia greke nuk do të mundin të veprojnë hapur e qetësisht për të asimiluar shqiptarët me pensione, dhënien e shtetësisë, viza për qarkullimin e lirë në Bashkimin Evropian, pagesa për politikanë, gazetarë, bisnesmenë, intelektualë në shërbim të politikave antishqiptare aneksioniste. Shovinistët e nazistët grekë e turpëruan Greqinë, demokracinë evropiane dhe Aleancën Euroatlantike. Thirrjet shoviniste në Athinë, Selanik e Bularat për pushtimin e Sarandës e Korçës dhe djegin e Tiranës, i dënojmë me forcë. Ato i dënon edhe gjithë qytetërimi evropian e botëror. Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë me përgjegjësi marrëdhëniet zyrtare, bashkëpunimin me pozita të barabarta, miqësinë me Greqinë e popullin grek. Minoriteti grek gëzon realisht të drejtat e liritë, garantimin e tyre nga shteti e gjithë populli shqiptar me standardet më të larta që njeh Bashkimi Evropian dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare. Shteti dhe populli shqiptar janë bashkë me minoritarët grekë, ashtu si në gjithë historinë që nga ardhja e tyre në Shqipëri.

Shteti dhe populli shqiptar nuk lejon që ekstremistët terroristë e nazistë grekë apo të ndonjë kombësie e shteti tjetër të dëmtojnë sovranitetin, integritetin territorial, nderin e kombit tonë. Ata nuk do të mund të hyjnë në territorin shqiptar legalisht ose fshehurazi si banditë. Cilido që cenon Kushtetutën, ligjet, sovranitetin, integritetin territorial, nderin e kombit, jetën e shëndetin e njerëzve, veprimtarinë ligjore të forcave të rendit, do të përballet me ligjet që shprehin vullnetin e popullit. Shqipëria është demokratike dhe qeveriset nga shteti i së drejtës, ashtu si dhe gjithë shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO ku Shqipëria dhe Greqia janë anëtarë. Miqtë i presim me dashuri kurdo që vinë dhe ju gjendemi përherë në ndihmë ku kanë nevojë. Armiqtë i luftojmë me të gjitha mundësitë tona. Këtë e provuan shovinistët grekë edhe në provokacionet në gusht të vitit 1949. Besojmë se do të reflektohet me përgjegjësi për të mënjanuar këto probleme dhe vazhduar marrëdhëniet e mira shqiptaro-greke.