Nikos Kotzias akuzon dhe demaskon politikën greke ndaj Shqipërisë

729
Sigal

Dr. Qemal Lame

Politika greke tronditet dhe na ndihmon të njohim të vërtetën për marrëdhëniet greko shqiptare. Nikos Kotzias hoqi dorë nga detyra e lartë e Ministrit të Jashtëm të Greqisë në kohën që ai i duhej edhe më shumë diplomacisë dhe shtetit grek. Fakt është se ai ka qenë nga ministrat e jashtëm dhe diplomatët më të suksesshëm. Deklarimi i guximshëm e me përgjegjësi shkaktoi në mënyrë surprizuese diskutimet e menjëhershme dhe lajmet që publikohen evidentojnë edhe ndërhyrjen e gjithanshme të Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë. Vërtetohen shqetësimet për ekspansionin dhe ndërhyrjen e gjithanshme të Greqisë në Shqipëri. Nga artikulli i publikuar nga gazetari grek Dhimitris Takis në gazetën elektronike iefimerida.gr., mësojmë me indinjatë se Ministria e Jashtme greke financonte me fonde sekrete media dhe gazetarë në Shqipëri. Më 10 tetor 2018, e Mërkurë, ka kaluar për miratim në parlamentin grek dokumenti i klasifikuar sekret me tre kode. Shuma e përgjithshme e fondit thuajse 1 milion Euro, ishte ndarë për pagesa në median në Shqipëri dhe për median ne Maqedoni, ndërsa një fond tjetër për mbështetjen e kishave ortodokse e Ortodoksisë në përgjithësi. Theksohet se deputetëve iu dha shpjegimi për fondet për median në Shqipëri: “për të siguruar publikime pozitive për imazhin e Greqisë e krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë”. Fondet janë dhënë me qëllime të studiuara mirë dhe në drejtimet më të rëndësishme për mbështetjen e politikës greke, manipulimin e opinionit publik dhe ndikimin në besimin fetar. Pra në veprimtarinë e dhetit, pastrimin e trurit dhe helmimin shpirtëror të shqiptarëve. Këto të dhëna të veprimtarisë së fshehtë agjenturore greke u bënë të njohura nga debati i ashpër mes Panos Kamenos, ministër i Mbrojtjes, dhe Nikos Kotzias, tashmë ish-ministër i Jashtëm, në mbledhjen e këshillit ministror pak ditë më parë. Debati shkaktoi dorëheqjen e ministrit Kotzias, pasi ai nuk u mbështet nga kryeministri Aleksis Tsipras. Ministria e Jashtme e Greqisë nuk ka përcaktuar se ku konkretisht janë shpërndarë këto fonde ne Shqipëri. Ndërkaq, si kryetari i parlamentit grek ashtu dhe kryeministria greke kanë reaguar kundër reportazhit, duke u referuar secila palë në transparencën e punës së Kotzias dhe te drejtës së fondeve sekrete, por nuk kanë mundur te përgënjeshtrojnë dokumentin konkret dhe fondin e investuar për mediat.

Edhe në këtë veprimtari subversive kundër shqiptarëve, dalin të dhëna për politikën e Soros-it në zhvillimet politike në Ballkan. Fondacioni Sorros investon fuqishëm edhe në zhvillimet politike që të arrihen qëllime të paracaktuara. Këto nuk mbeten më dyshime, por bëhen fakte që tensionojnë politikën. Debati Kamenos-Kotzias, nisur nga ky i fundit, ka nxjerrë në pah edhe akuzën e Kamenos, se janë dhënë 45 milionë Euro nga fondacioni Soros për mbylljen e marrëveshjes së Prespës. Pikërisht kjo akuzë drejtohej personalisht edhe ndaj Kotzias. Akuza e hapur në Parlament dhe reagimi neutral i kryeministrit Tsipras kanë shkaktuan nervozizëm tek ministri Kotzias, i cili e konsideron shpifje dhe sulm politik. Së fundi, ministri Kamenos ka akuzuar hapur dhe gazetën “Efimerida ton syntakton” për propagandë me fonde të Soros-it. Dëshmi më të qarta dhe fakte zyrtare më të sakta nuk kemi patur ndonjëherë në marrëdhëniet greko-shqiptare. Është e domosdoshme të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime. Ndërhyrja greke është zhvilluar zyrtarisht dhe pa asnjë rezervë me rënien e shtetit, kalimin nga socializmi në kapitalizëm, nga diktatura në demokraci, dhe katastrofën që pasoi nga viti 1990 – 1992 e deri në ditët e sotme, me shkatërrimin e ekonomisë, financave, ushtrisë, infrastrukturës, mirëqenies, demografisë me ndryshimin e shtetësisë së shqiptarëve kundrejt pagesave, pensioneve, vizave e pasaportave greke, diskriminimin dhe asimilimin e shqiptarëve etj. Shqetësimet për ndërhyrjen e hapur dhe shpesh brutale greke ndaj Shqipërisë e shqiptarëve janë ndjerë dhe përjetuar me dhimjbe në vazhimësi, sidomos gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit. Aktualisht, ato bëhen më konkrete dhe më të adresuara për mësymrjen agresive në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, ekonomike, financat, ndërtimet, kulturën, median, pensionet, ndihmat ndaj personave që mbështesin dhe zhvillojnë politikën greke në Jug dhe kudo në Shqipëri. Fonde të mëdha financiare përdoren nga Ministria e Jashtme e Greqisë për të realizuar ambiciet e politikës greke në Shqipëri dhe në shtetet e tjera të Ballkanit. Presim deklarimet që do të bëhen publike nga Nikos Kotzias ditën e hënë, më 22 tetor 2018. Çështja më jetësore që na intereson dhe shqetëson seriozisht është Marrëveshja e Kufirit Detar dhe pasojat e dyshuara ndaj integritetit teritorial, interesave ekonomike e financiare etj. Qeveria, Ministria e Jashtme, Shërbimi Informativ, Policia, Prokuroria etj., vihen para përgjegjësisë për të sqaruar, hetuar, marrë masa efektive për të mbrojtur interesat kombëtare, rregulluar pasojat e rënda dhe vënë para përgjegjësisë personat fajtorë. Qeveria e Shqipërisë vihet para faktit që të kërkojë shpjegime nga Qeveria e Greqisë.