Nga “purgatori” në “ferrin” universitar

844
Sigal

Jorgo MANDILI

LAJM I MIRË

Lajmi i mirë. U regjistruan në universitete edhe 22000 studentë të rinj. Lajm i mirë se “u çliruan” më së fundi 22000 maturantë nga “vargonjtë skllavërues” të formularit të Aplikim-Regjistrimit. Një formular ku maturantit nga dhjetë dëshira i “bie” njëra prej tyre. E ngjashme me lojën e “Bingos”. Më kujtohet që para dy vjetësh një ish-maturant, duke ndjerë në kurrizin e vet kalvarin e mundimeve për të plotësuar formularin e aplikimit për universitet, me të drejtë u bëri thirrje pasardhësve: Përgatituni të studioni jashtë shtetit, se këtu po luhet me ju! Një akuzë tronditëse për qeverinë dhe ministrinë e Arsimit (të cilët po bëjnë show me reformat) dhe njëkohësisht një apel për braktisjen e universiteteve shqiptare. Çuditërisht përballë këtij apeli të guximshëm dhe qytetar, nuk pati asnjë reagim nga ana e opinionistëve, analistëve e sidomos të ekspertëve e titullarëve të ministrisë së Arsimit. I ngacmuar nga ky reagim qytetar, shkrova një artikull me titullin metaforik: “Purgatori i maturantëve-formulari i Aplikimit”, i cili u botua të nesërmen. Pak a shumë shkrimi pasqyronte kalvarin e mundimeve të maturantëve për të plotësuar formularin e aplikimit dhe më pas atë të regjistrimit. Një sistem “kurthesh” e pengesash burokratike idioteske dhe të panevojshme. Edhe sot e kësaj dite, ende nuk e kam kuptuar se për çfarë duhet ky formular, kur të gjithë maturantët hyjnë në universitet, madje siç ndodhi sivjet që iu bë thirrje edhe ish-maturantëve. Një kolegu im më tregonte, se për të ruajtur vendin e punës u angazhuam të gjithë pedagogë e laborantë të departamentit t’u luteshim miqve e shokëve tanë për të na ndihmuar që të gjenim studentë për t’i regjistruar. E formuam grupin me pesë veta, por si do bëjmë mësim me ta? E merr me mend -më tha- se kush janë regjistruar? Për ne ka rëndësi të fillojmë. -përfundoi ai. Ja kështu është katandisur gjendja e universiteteve tona, sidomos ajo e atyre të periferisë që qëndrojnë në këmbë me “serume” të tilla, madje edhe të inkurajuara nga ministrja e Arsimit me Udhëzimin e fundit, që u jep të drejtë universiteteve të vazhdojnë regjistrimet, d.m.th., të dalin në rrugë të gjejnë “studentë”?! Atëherë përse harxhohet mund, djersë dhe para për formularët e famshëm të ministrisë A1, A2, A3, A1z etj., të trumbetuara si”sukses”I reformës në arsimin e Lartë? Në cilin vend të Botës, qeveria u bën thirrje individëve të regjistrohen në universitetet? Vendi i çudirave kjo Shqipëria jonë, që drejtohet nga bufonë! Ky vend nuk ka parë deri tani ministre më të “zgjuar dhe kreative” me “aftësi të veçanta” për të shkatërruar arsimin. Është ndoshta edhe kjo arsyeja, që kryeministri ynë i nderuar e çmon shumë pikërisht për këto “cilësi të veçanta”!? E përfytyroni gjithë këtë mund, lodhje, sorollatje të një brezi që ëndërron të zgjedhë rrugën e jetës së vet, kurse ekzekutivi i vë pengesa e kurthe burokratike? Në cilin vend të botës maturantët heqin “të zitë e ullirit” për t’u regjistruar në universitet? Bashkëmoshatarët e tyre në vendet euroatlantike vërtet “heqin” edhe ata, por jo për formularë burokratike, por për t’iu përgjigjur testeve të inteligjencës, që i organizojnë universitetet për ata kandidatë që konkurrojnë në këto universitete. Fakti që maturantë po mbushin formularin e aplikimit është, sa komik aq dhe i dhimbshëm për këta 18-vjeçarë, që u kufizohet liria e përzgjedhjes të së ardhmes së tyre. A e meritojnë familjet shqiptare që për shkollimin e fëmijëve bëjnë sakrificën më sublime, një trajtim të tillë “skllavërues” për fëmijët e tyre? Përse një 18-vjeçari i mohohet e drejta për të vendosur vetë, për një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tij? Thjesht për paaftësi të ekzekutivit. “T’i japësh mundësinë fëmijës që disa gjëra t’i vendosë vetë, është edukimi me i mirë për ta. Në universitetet amerikane studenti pranohet pa vendosur akoma se çfarë degë do të ndjekë. Vendimin për degën e merr në fund të vitit të parë apo gjatë vitit të dytë. Kështu çdo të riu i jepet mundësia të gjejë vetveten. Vlera e kësaj zgjedhjeje është e jashtëzakonshme “-thekson prof. Tanush Shaska, i Universitety Oakland, SHBA. Diçka që është e vështirë ta përfytyrojnë maturantët shqiptarë, të cilët janë mësuar që edhe bankën ia cakton mësuesja, ndërsa degën- qeveria

 LAJM I KEQ…

Lajm i keq është se Shqipërisë do t’i shtohen edhe 22000 “sharlatanë me diplomë”- produkt ky, që prodhohet me “shumicë” në universitetet tona, në gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen. Kaq e vërtetë është kjo, saqë, një ish-student ekselent i mjekësisë, në përgjigje të pyetjes së një gazetari se si e ndjen veten tani pas përfundimit të studimeve universitare ai i përgjigjet i revoltuar : Zhgënjimi, tashmë pas pesë vjetësh është shume i madh. Kjo për shkak të problemeve të pafundme akademike dhe infrastrukturore me të cilat ky universitet përballet. Nuk e kisha menduar kurrë që në universitet, studentët edhe në fund të vitit të pestë, pyeten si në klasën e parë…Na duhen universitete që t’i japin liri mendimit shkencor dhe jo si këta tanët, që nxjerrin sharlatanë me diplomë”. Pra, në qoftë se universitetet perëndimore përgatisin”knowledge workers”(punonjës të dijes ), ne përgatisim “sharlatanë me diplomë”.

Dhe kjo rrjedhojë e marrëzisë së masivizimit të arsimit të lartë nga liria “pa fre” dhe politikat “pa tru”. Nga anarkia dhe nga mungesa e një vizioni profetik për të ardhmen. Nga një klasë politike adoleshente dhe qeveri të papërgjegjshme që janë tallur me hapjen e universiteteve, pa standarde, pa staf të kualifikuar, pa bazë materiale. Më lehtë ishte të hapje një universitet se sa një kioskë. Gjithmonë për efekte elektorale! Dhe tashmë kemi 12 universitete publike dhe mbi 30 universitete piramidale private, të denjë për një shtet mbi 40 milionësh. Dhe një sistem universitar:

  • Statik e konservator, me struktura pedagogjike relativisht të ngurtësuara, me veprime të nxituara për të hapur programe të reja studimi (pa u konsultuar me grupet e interesit), ku mbizotëron arsimi tradicional, verbal dhe arkaik, ku disiplina mësimore dhe shkencore mungon, ku mediokriteti dhe paaftësia e stafit prevalon, ku detyrat, esetë, projektet që iu jepen atyre, shpesh kopjohen apo shkarkohen të gatshme nga interneti, ku madje edhe temat e diplomave janë plagjiaturë dhe akoma më keq shiten edhe nga pedagogët, ku mungon baza materialo-laboratorike, ku mungojnë bibliotekat në funksion të programeve të studimit, ku mungojnë kampuset universitarë për akomodimin qytetar të studentëve, ku korrupsioni dhe nepotizmi e përshkon si “fill i zi” të gjithë veprimtarinë universitare.
  • I menaxhuar keq nga rektorë (pa llogaritur dekanët dhe përgjegjësit e departamenteve) anonimë, gjenetikisht të paaftë për t’u vetë faktorizuar si lidership akademik. Dëshmi është mungesa e një strategjie vizionare, ndërkohë që ndesh probleme të panumërta dhe të mbivendosura në çdo nivel, mungesa e një plan-veprimi për ta nxjerrë universitetin nga ngërçi skolastik akademik dhe shkencor, pa konkurrencën e brendshme, me një staf akademik me integritet copë – copë dhe profil të rrënuar, pedagogë mediokër, që shesin diploma dhe studentë “alla renzobossi” që i blejnë,
  • Me nivelin më të ulët të mësimdhënies, (që nga koha e krijimit të universiteteve) jashtë standardeve universitare, pa kualifikimin e nevojshëm pedagogjik të pedagogëve të jashtëm (një armatë e tërë gjyqtarësh, prokurorësh, policësh, mjekësh, agronomësh, administratorësh, gjithëologësh etj.) me një këmbë në zyrë dhe tjetrën në universitet, guxojnë të lektojnë para studentëve (kuptohet në qoftë se do kishte studentë të interesuar dhe të motivuar për t’u bërë “dikushi”, atëherë as këta të jashtmit dhe as efektivët nuk do të guxonin të “luanin” me ta, siç bëjnë tani me “studentët askushë”) Leksioni nuk është si “psalma” e priftit. Standardet akademike sot e konsiderojnë leksionin që shpaloset para studentëve, jo vetëm si volum i caktuar dijesh, por mbi të gjitha si një bisedë prestigjioze, jo pse ai thjesht paraqet shtrimin e një problemi dhe zgjidhjen e tij, por se dhe kërkimi i zgjidhjes së tij, fut në vetvete domosdoshmërinë e bazimit teorik të tij, zbulimin logjik të lindjes së tij. Përfytyroni se çfarë pune duhet që leksioni të ketë vulën e profesorit përkundrejt “psalmit priftëror” të “profes’horrit”
  • ku dy apo tre punësimi i një pjese të mirë të pedagogëve ka ulur ndjeshëm nivelin shkencor dhe profesional të veprimtarisë akademike në universitetet publikë dhe në mënyrë fiktive mban “në këmbë” universitetet private me këto “frymë të vdekura” (jo të Gogolit, por të Nikollës).
  1. Sikur të ndalohej dy apo trepunësimi (ka qenë në ligjin e arsimit të lartë) dhe të kufizohej në minimum rekrutimi i pedagogëve të jashtëm në universitetet publike (të rekrutoheshin si lektorë vetëm personalitete në fushën e tyre për disiplina të veçanta), a do të ishte kjo gjendje e trishtueshme në universitetet publike?
  2. A do të mbijetonin universitetet piramidalë me “forcat e tyre”?
  3. “Rekrutimi i një ushtrie të tillë “akade-mykurish”dhe “akade-miqsh” me çfarë paresh paguhet?
  4. Ku e gjen të drejtën qeveria të lejojë dy -tre punësimin e pedagogëve efektivë të universiteteve publikë?
  5. Përse kjo neglizhencë dhe papërgjegjshmëri publike nga ana e ministres deri në marrëzi, duke i ligjëruar këta pedagogë, që t’i lenë studentët e tyre në “mëshirën e fatit” (takohen vetëm në fillim të vitit në prezantim dhe në fund në provim duke ua lënë në “dorë” asistentëve, të cilët për vete ende nuk kanë hequr “pelenat studentore”, ndërkaq që e kanë për detyrë të justifikojnë rrogën që marrin në universitetet publikë, jo vetëm si lektorë, por mbi të gjitha si inspirues, moderatorë, këshilltarë e udhëheqës të veprimtarisë mësimore, hulumtuese e kërkimore të studentëve?. Ky është mision, pasion dhe ndërgjegje e një profesori, përkundrejt misionit pragmatist të “profes’horrit” – “arratisjes” së tij për në universitetet private?
  • Ku ekziston kaosi akademik dhe shkencor. Nuk ka një botë akademike si dije nga njëra anë dhe si shkencë nga ana tjetër. Nuk ekziston askund asnjë shkencë shqiptare, në asnjë universitet. Ekziston “trafik shkencor”, kllounëri shkencore, plagjiaturë, abuzivizëm me gradat shkencore dhe titujt akademikë, vegjetim dhe menopauzë+andropauzë intelektuale. Realisht jemi në fazën e prodhimit të brezave nga këto “ngrehina”, që gabimisht quhen universitete, të analfabetëve funksionalë që nuk e kanë idenë për bazat e matematikës, gjuhës, drejtshkrimit, formimit qytetar… ku edhe çdo universitet tjetër perëndimor do të dorëzohej para një kontingjenti të tillë.
  • Atëherë përse duhet t’i dërgojnë prindërit fëmijët e tyre në këtë “ferr” universitar? Që i pajis ata me një diplomë mediokriteti dhe papunësie? Dhe faktet e konfirmojnë këtë realitet të trishtueshëm. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i studentëve në shkollat e larta deri tani ka arritur në 234 mijë, niveli më i lartë i arritur ndonjëherë. Por tregu i punës nuk po e asimilon numrin e lartë të “sharlatanëve me diplomë”, që mbarojnë në universitetet shqiptare. Shifrat tregojnë për një rritje të shpejtë të papunësisë mes të diplomuarve edhe pas Rilindjes socialiste.

Z.Kryeministër!

Një reformë radikale universitare është bërë emergjencë kombëtare, që të mos pendohesh nesër për rrënimin intelektual që po i shkakton shoqërisë shqiptare. E premtove, por deri tani vetëm show ke demonstruar me mbylljen selektive të disa universitetet private në prag falimentimi dhe një ligji të Arsimit të Lartë, shumë i diskutueshëm dhe debatueshëm, por që ka mbetur rrugëve.

Një reformë radikale që kërkon vizion dhe menaxhim evropian, lidership politik dhe akademik të standardeve bashkëkohore, mjete financiare dhe burime njerëzore të kualifikuara, që ta transformoni këtë sistemin të vjetër anakronik dhe jo efiçient të përhapur në të 12 “ngrehinat”universitare, në një sistem universitar model, me kurrikula bashkëkohore, me një staf akademik-shkencor të formuar në mënyrë të plotë, me një sistem informativ modern si dhe me krijimin e mjediseve dhe kushteve të përshtatshme për studentët dhe stafin.

Z.Kryeministër!

Mos e harroni, se as ju, as unë, asnjë nuk e di të ardhmen e shoqërisë. As të ardhmen e shkencës. Por pa të ardhme të universitetit nuk ka të ardhme të shoqërisë. Sepse në instancë të fundit për këtë janë krijuar, si hapësira ku lëvrohet liria, intelekti, qytetaria….