“Në këtë botë erdhëm duke qarë”

783
Sigal

Nga Prof. Alfred UÇI

Rikardi III – hero apo deshtak? – “Rrëfejmë histori të mallëngjyera për vdekjen e mbretërve”.

Për atë përvojë historike që kish pasur Noli deri më 1926, Shekspiri qe i mjaftueshëm me katër tragjeditë e përkthyera prej tij. Dhe vetëm pas 38 vjet, Noli ndjeu se vepra e përkthyer për ta njohur Shekspirin ishte e mangët dhe, kështu, i lindi mendimi e dëshira për të dhënë në shqip edhe disa kryevepra të tjera të tij. “Unë mund ta bëj këtë, shkruante Noli. – Jam ende i ri. Jam vetëm 82 vjeç”. Por mosha bën të sajën dhe ai nuk e kreu këtë premtim të bukur; sido që të jetë, ai përshëndeti, ndërkohë, përkthyesit “e rinj shqiptarë, që po e vazhdojnë punën për përkthimin e Shekspirit”. Midis këtyre, ai fuste, pa dyshim, edhe mikun e tij të vjetër, Skënder P. Luarasin, “fanolistin rilindës”, të përkushtuar si asnjë tjetër për të ecur gjurmëve të F. Nolit, idealeve demokratike, kombëtare e shoqërore të atij. Këtu përfshihen patjetër edhe përkthimet e Shekspirit prej S. P. Luarasit. S. Luarasi e vazhdoi punën e nisur nga Noli, duke qenë i frymëzuar, jo vetëm nga ato qëllime, por edhe po nga ato kritere përzgjedhjeje, që kish pasur Noli. Ai iu vu kësaj pune për ta plotësuar njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e Shekspirit dhe për ta ndërsuazuar në përvojat më të reja historike të mesit të shek. XX. Ai ishte i bindur se Shekspirit i mbetej t’i thoshte edhe shumë gjëra të tjera interesante e të mençura lexuesit shqiptar, si për epokën e Rilindjes evropiane, ashtu edhe për kohët moderne. Profesor Luarasi në ligjëratat e tij për Shekspirin në Universitetin e Tiranës tërhiqte gjithnjë vëmendjen e studentëve në një paralelizëm midis epokës, frymën e së cilës e shprehu Shekspiri, dhe epokës së ndritur të Skënderbeut, por ai e afronte edhe më pranë kohës sonë, këtë paralelizëm.

Ç’mbetej për të bërë, që të pasurohej më tej Shekspiri në shqip? Cilat vepra të tjera të tij duheshin përkthyer më me ngut?

  1. Luarasi zgjodhi, ashtu si mësuesi i tij, tragjeditë. Ai mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor, në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike (prej tyre përktheu “Rikardi III” dhe “Rikardi II”) dhe tragjedinë “Mbreti Lir” (Kronikat tragjike historike Shekspiri i pat shkruar në periudhën e parë të krijimtarisë së tij dhe pa përkthimin qoftë edhe të ndonjërës prej tyre nuk do të kuptohej edhe evoluimi i krijimtarisë së tij e, sidomos ai hap i rëndësishëm përpara që shënuan dramat e periudhës së dytë, që u përkthyen nga Noli. Vendosja e tragjedive shekspiriane brenda harkut, që kërkonte t’i fuste S. Luarasi, do të ndihmonte, veç të tjerash, për të kapur më mirë edhe kuptimin te “Hamleti”, “Jul Cezari”, “Otello” e “Makbeth”, domethënë për të njohur më mirë edhe thelbin e konceptit shekspirian të tragjedisë.

Ç’i sillnin lexuesit të viteve 50-të të shek.XX kronikat historike të Shekspirit? Ç’mesazhe aktuale shihte në to përkthyesi?

Shumë studiues kanë theksuar, si një nga meritat më të mëdha të gjenisë së Shekspirit, realizmin historik, që spikat me forcë edhe në dramat-kronika me përmbajtje konkrete, domethënë shprehjen me vërtetësi artistike të frymës së epokës, gjatë së cilës jetoi e krijoi Shekspiri. Na ka tërhequr vëmendjen edhe parathënia e botimit shqip të “Rikardi II”, të botuar më 1982, pas vdekjes së përkthyesit, në të cilën autori e absolutizon këtë tipar të dramaturgjisë shekspiriane, kur shkruan‘.”Shekspiri i qëndron besnik veçanërisht esencës së kohës dhe në këtë historicitet të epokës së tij qëndron edhe aktualiteti i tij, i cili nuk mund të kuptohet jashtë kuadrit të kësaj historie”. Ka pasur edhe mjaft studiues të huaj, të cilët, duke vlerësuar lart historizmin e dramaturgjisë shekspiriane, janë përpjekur ta mbajnë larg kohëve më të reja; ata kanë dashur t’i mbështjellin sentimentalisht këto kohë me një cipë iluzionesh të ëmbla, të pakrahasueshme me thelbin tragjik të kronikave historike të Shekspirit. Si djallin nga temjani disa kritikë i janë trembur çdo paralelizmi me kohën e sundimit të diktaturave totalitare të shek.XX. Edhe teatri ynë nuk guxoi ta vinte në skenë tragjedinë  “Rikardi III”, veçse më 1992, kur e realizoi Teatri Kombëtar, ndonëse “Rikardi III” ishte i përkthyer prej kohësh. Më 1992 regjisor A. Qiriaqi e vuri në skenën e Teatrit Kombëtar “Rikardi III” në një interpretim modern.

Është e vërtetë se dramat e Shekspirit, jo vetëm ato që janë ngjizur me lëndë jetësore nga historia e Anglisë, por edhe ato që kanë përthithur material nga mitologjia ose historia e lashtësisë, përçojnë ndjeshëm frymën e epokës elizabetiane të Anglisë dhe të periudhës së fundit të Rilindjes evropiane. Këtu qëndron një nga meritat më të mëdha të realizmit shekspirian, por do të ishte gabim që, prapa historizmit, të harrohej universaliteti, vlera tejkohshme e dramaturgjisë shekspiriane. Shumë të vërteta e pohime të Shekspirit janë konkluzione, që sintetizojnë përvojën globale të historisë njerëzore. Kjo gjë e bën të mundur që në veprat e tij, si para një pasqyre, shihen jo vetëm disa segmente të historisë së atëhershme, por edhe të çdo kohe tjetër, dhe disa ligjësi të përgjithshme të jetës, që përsëriten në çdo kohë e në çdo vend. S. Luarasi besonte se vendosja e tragjedive “Hamlet”, “Makbeth” e “Jul Cezari” brenda ekstremeve të harkut të veprave “Rikardi III” dhe “Mbreti Lir” do të ndihmonte që të kapej si fryma historike, edhe ligjësitë e përgjithshme të qenies e të ekzistencës njerëzore në përgjithësi, të mishëruara artistikisht në dramaturgjinë shekspiriane.