Me ata që u gdhendën në monumente

1090
Sigal

Për Ushtarin e panjohur, më 28 Nëntor 1912-1937

Luan Imer MEMISHA

Ndodheshim përballë ushtarit të panjohur siç i themi ne vlonjatët Luftëtarit Kombëtar, aty në mes lulishtes të qytetit të Vlorës, ku më bien ndërmend fjalët plot pasion – që m’i thoshte im gjysh Avdulla Memisha, në muajin Nëntor 1957, me rastin 45-vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, ulur të dy në një stol karshi monumentit të atij luftëtarit qe i bënte roje ditë e natë te koka Ismail Bej Vlorës ose Ismail Beut siç e përsëriste gjithnjë im gjysh. Hapte qesen e duhanit dridhte një cigare të trashë me duhan të fortë, e thithte dy herë e më tregonte mua, që e dëgjoja me ëndje duke ia thithur fjalët së bashku me erën e eshkës që më pëlqente aq shumë. Me zërin e tij dramatik që i buronte nga shpirti më thoshte mua.

-Ishte vjeshtë e parë e 1931-shit. Ishte ditë për pazar në Vlorë. Kuajt i kishim lënë në Mëhallë të re në hanin e Zyber Agait. Ato ditë kishim biseduar me një tregtar italian për ca pajisje të baxhos së qumështit së bashku me Veledin Haderin nga Lepenica dhe Sali Resurin e Cano Aliun nga Terbaçi. Shikojmë që gjatë pazarit në rrëmujë e sipër, kur na kishte mbërthyer meraku e shqetësimi i zakonshëm për nevojat tona, na kish ngulur sytë një meso burrë me veshje evropiane, thuaj që ishte i huaj!

-Po ky si na vështroka sikur do na presë ndonjë palë rroba –tha Veledini.

-Fare mos është italiani i atij muhabetit të baxhos –tha Sali Resuli.

-Le të jetë kush të dojë, do na thotë vetë – shtova unë! E kështu ndodhi, na foli përzemërsisht, me respekt se dukej që ishte shqiptar e i shkolluar. Të njihemi, jam përmetar, njoh dhe shumë nga ju vlonjatët se kam qenë mësues në shkollën Tregtare , në “Uji i ftohtë” ku kam dhe shumë miq. Si u shkoi pazari sot? E falënderuam dhe pritëm se ku do të dilte .

-Unë jam artist që punoj gurin dhe e bëj “njeri”! Qeshëm të gjithë.

-Tani kërkon që neve të na bësh gurë – i tha Veledini, gazi s’kishte te mbaruar i uruam punë të mbarë në Vlorë për misionin fisnik që kish marrë.

-Aty te ai Luftëtar jemi të gjithë ne, se e kemi njohur Ismail Beun dhe i kemi qëndruar në krah në luftëra, takime, pritje e përcjellje në Labëri sa herë ka ardhur për ato punë që lëshonin dritë e ndiznin zjarre zemrat. Ty djalë të lumtë dora, Vlora e Labëria ta ka borxh për jetë! -i thamë të gjithë ne.

-Faleminderit, por që të bëhet mirë kjo punë duhet edhe ndihma juaj -na tha ai.

-Por ne mos na kurse për atë punë, ne gati na ke! Mendonim që na donte për ndonjë punë aty tek lulishtja, apo lart tek “Uji i ftohte” në Shashicë për pllaka guri, si na kishte thënë vetë.

-Jo, jo – tha , u dua t’ju vizatoj, se jeni tamam si ai!

-Mor po si ai nuk bëhemi dot sikur të përmbysim malin-i thash unë duke kujtuar se na barazoi me Ismail Beun !

-Juve i ngjani atij ushtarit që do t’i rrijë mbi kokë!

-Ashtu po – i tha Sali Resuli -Na i bën si të duash, jemi gati se dhe pazarin tani e mbarojmë.

-U pres te e klubi i Hamza Isait- na tha, atje piqemi.

Tek klubi i Hamza Isait na priste Arshi Halili, Ali Asllani e shumë të tjerë. U përshëndetëm, Biseduam, siguruam mallin e çuam me hamejtë në han e fjetëm në Vlorë 3-4 ditë. Mori nga të katër neve nga një nishan: Flokët nga Veledin Hadëri, trupin nga Cano Aliu, Ca tipare nga Sali Resuli e fytyrën nga unë, Avdulla Memisha Lepenica, më tha gjyshi, dhe na futi në një zyrë ku na vizatoi për tre deri katër orë. E uruam të katër ne, ashtu bëri dhe zoti Arshi Halili e Ali Asllani, që, gjithë qejf na u drejtua neve:

-Ju kini hyrë në histori”, na tha ai.

-Ne kemi hyrë me kohë në histori se u dergjëm në luftëra – i thashë unë.

Kaluan rreth 6 muaj, ne e kishim harruar fare atë mesele. Kur, vitin tjetër në vjeshtën e tretë (nëntor 1932) na lajmëruan të shkonim në Sheshin e Flamurit në Vlorë, ku u gjendëm nga të gjitha krahinat si atëherë, më 1912-n kur ngritëm flamurin. Ismail Beu nga shkallët e shtëpisë së Xhemil Beut ku kish lindur ngriti lart flamurin kuq e zi, shenjën e nderit e të krenarisë sonë, të lavdisë së madhe e gjakut të derdhur lumë, flamurin me shqipen e zezë, udhëheqësin moral e shpirtëror në luftëra e beteja fitimtare. Atë ditë ishte dhe një bandë e madhe muzikore. Monumenti u ngrit me urdhër të Mbretit Zog, e me dorën e punën e atij djali që ishte nga Përmeti dhe me sa mbaj mënd, siç më tha vetë, e quanin Odise, njeri me shpirt atdhedashës – vazhdoi gjyshi, që duke parë nga Ushtari i Panjohur më tha:

-Ky luftëtar kombëtar na përfaqëson të gjithë neve dhe atdhetarët e tjerë pa të metë. Me lot në sy mu drejtua mua:

-Dëgjo Luan, unë jam nisur në rrugën pa kthim, se jam i shekullit të kaluar, po ti mos harro asnjëherë pa ardhur këtu të çosh një buqetë me lule, se këtu nën këtë pllakë mermeri prehet burri më i madh i kombit tonë që na dha dritë neve dhe atdheut. Të ky ushtar i që i bën roje te koka jemi ne me dyfek e flamur në dorë që luftuam në shekuj brez pas brezi me turkun, grekun, në luftën e Janinës, prapë me Greqinë, Italinë, Gjermaninë, se natë e ditë kishim në sy e mendje lirinë e Shqipërisë e në damarët tanë rridhte gjak i pastër shqiptar në një ritëm me hallet e kombit. Sill lule në çdo nëntor, se unë, edhe pse nuk do jem do të shikoj dhe do qetësohem. U ngrit, puthi pllakën e mermerit, preku ushtarin e panjohur edhe mua më puthi e u larguan, në fillim duke ikur mbrapa 3-4 hapa, pastaj u kthyem e u larguan. Që atë ditë duke shikuar shokët e mi të lagjes doja t’u thosha me krenari e mburrje: “Po ju e dini që gjyshi im ka qenë shokë me Ismail Qemalin?! Sa herë qe shkoja nga lagjja Pusi i Mezinit, kjo portë me ullinj e Vlorës, shkoja drejt e tek monumenti i luftëtarit që më tregoi gjyshi tek Sheshi i Flamurit, u çoja lule dhe ndërmend më vinin tregimet e historitë e përpjekjeve të këtyre trimave me karakter të fortë e përkushtim atdhedashës, këtyre humanistëve të ndershëm me ndjenja kombëtare që i bashkoi dëshira për liri e pavarësi e u bënë shokë me malet. Ata kishin në shpirt zjarrin që simbolizonte dritën e lirinë e dëshiruar të fituar me gjak e me merita. Unë çoja gjithnjë lule e u formova si një atdhetar, sot i moshuar më vijnë ndërmend fjalët e bisedat e gjyshit për monumentin e Ushtarit të Panjohur ose luftëtarit kombëtar dhe kur lexoj në librin: “Gjurmë jete” Nga pena e skulptorit Odise Paskali në faqen 70-71, Tiranë 1986. Kjo thënie për këtë veprim e përforcon edhe në librin: “Ata që shpallën Pavarësinë” të Prof. Dr Bardhosh Gaçe, ku thotë: “Dëshira ime ishte që të realizoja një tip LABI, prandaj një ditë pas vendosjes së statujës në fshatin e Vlorës pashë një fshatar që i ngjante krejt flamurtarit, dhe më erdhi mirë” (Odise Paskali). Të gjitha punimet ishin kryer në fillim të marsit 1932, po u vendos përurimi të bëhej, në 28 nëntor 1932. Ne e deshëm atdheun atëherë ashtu siç ishte – më thoshte gjyshi, se po të mos ta donim atëhere s’kishim për ta dashur kurrë, e deshëm dhe u nderuam ndaj sot betohemi për Atdhe e Flamur. Te Luftëtari i Panjohur ne shikojmë paraardhësit tanë që rrinë si emblemë në gjoksin e Shqipërisë.