Marko Dajti: Fronti i Majtë propozon Bashkim Federativ me Greqinë, Maqedoninë dhe Kosovën, me qendër në Athinë

230

Fronti i Majtë konstaton me shqetësim se politika e jashtme e Shqipërisë është thellësisht e deformuar në gjithë periudhën e pluralizmit politik, duke u vënë në shërbim të interesave të vendeve që historikisht kanë synuar tjetërsimin e trojeve shqiptare. Ne konstatojmë se në vitet e fundit, po vihet në jetë një plan ndërkombëtar i sponsorizuar nga qarqe aspak miqësore ndaj Shqipërisë, që po e inkuadrojnë vendin tonë në kuadër të një federate ballkanike me qendër Beogradin, në një Jugosllavi të re. Duke u bazuar në parimin e miqësisë dhe vëllazërisë mes popujve të Ballkanit, Fronti i Majtë nuk është kundër një strukture federative më të madhe se kufijtë e vitit 1913, ku të gjithë shqiptarët e Ballkanit të jetojnë në një shtet të vetëm federativ, por kjo mund të realizohet vetëm me shtete me të cilët na lidh një miqësi dhe vëllazëri shekullore dhe me të cilët ndajmë parime të përbashkëta euroatlantike. Përvoja jonë historike ka treguar se edhe me vende me të cilat ka pasur mosmarrëveshje, por jo armiqësi, si Mali i Zi, Greqia apo Maqedonia, është gjetur gjuha e përbashkët dhe gjendja e shqiptarëve që jetojnë në këto vende është përmirësuar ndjeshëm, duke u shndërruar madje edhe në faktor shtet-formues. Fronti i Majtë angazhohet të punojë fuqimisht për një bashkim federativ me vende fqinjë dhe miqësorë si Greqia Maqedonia dhe Kosova, me qendër në Athinë. Katër shtetet tona, i kanë të gjitha mundësitë që të punojnë bashkërisht për rritjen e mirëqenies së popujve të tyre, duke institucionalizuar bashkëpunimin në një nivel më të lartë. Sipas konceptit tonë, Konfederata e re duhet të përbëhet nga katër vendet tona të vetëqeverisura brenda kufijve aktualë, por me një qeveri të përbashkët federative që do të realizojë interesa të përbashkëta strategjike në fushat e mbrojtjes, të diplomacisë, të ekonomisë dhe të tjera. Federata e re duhet të ketë gjuhë zyrtare të gjitha gjuhët zyrtare të vendeve pjesëmarrëse dhe flamujt e tyre, të bashkuar në një flamur të përbashkët ose të krijuar enkas. Ne gjykojmë se një bashkim i tillë do të zgjidhë përfundimisht edhe çështjen kombëtare shqiptare, duke përfshirë edhe çështjet e mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë.