Legalizim i ndërtesave apo civilizim i debateve “pa leje”?! Kush dëmton më shumë ndërtesa e presidencës apo debati i Lames?!

494
Sigal

Prof. Dr. Arben Malaj, Instituti për Politika Publike dhe Qeverisje të Mirë

Kjo që ndodh në vendin tonë tregon se ne kemi probleme të mprehta me “ndërtesat ilegale” në kulturën tonë të komunikimit publik. Kolegun Lame e vlerësoj edhe për kujdesin e tij për sende/objektet që i përkasin momenteve të rëndësishme të historisë sonë. Kjo edhe sepse shpesh i ndihmon studiuesit të njohin dhe përmirësojnë sidomos kulturën institucionale të vendit të tyre. Kolegu Lame nuk duhet të nxitojë për të “hedhur benzinë” në zjarrin e debateve publike të qeverisë me Presidentin. Në rastin Lame edhe pse:

  1. Lame – është pjesë e administratës publike dhe detyrohet ta njohë dhe zbatojë kodin etik të administratës. Raporti mandat publik vs sovranitet në shkencën e ekonomisë është trade-off.
  2. Vetëm deputetët e zgjedhur me votë kanë mandat të deleguar për të përfaqësuar votuesit, nuk kanë kufizime për shkak të mandatit të deputetëve, por edhe ata të kenë një kod të etikës dhe komunikimi, për të përmbushur mandatin e tyre në mënyrën më të mirë ligjore dhe etike.
  3. Lame – është drejtor i një agjencie publike zbatuese, e cila nuk është politikë-bërëse dhe për këtë arsye nuk propozon ligje, ndaj ai nuk duhet të përfshihet në debate publike edhe për ligje që mbulojnë fushën e tij, Ai mund të kërkojë seancë dëgjimi në komisionet parlamentare dhe me sqarimet e tij në detaje mund të lehtësojë miratimin e ligjit por jo të përfshihet në debate publike.
  4. Agjencia që drejton Lame nuk ka atribute kushtetuese për të propozuar, për pasojë nuk mund të nxitë debat publik ndër-institucional për ecurinë e miratimit të ligjit.
  5. Ndërtesat publike të legalizuara kanë më pak rrezik për abuzime ligjore se këto debate ndër institucionale.
  6. Problemi i ndërtimeve të paligjshme në vendin tonë është më shumë një fenomen masiv dhe më me kosto të rënda sociale. Inventarizimi, legalizmi dhe regjistrimi i ndërtesave publike filloi në mesin e viteve 2000, me ndërtesat publike të bashkive. Arkivat janë kujtesa jonë historike.
  7. Procesi i legalizimit nuk ka filluar dhe as do të përfundojë me kolegun e Lame, por Lame po bën një punë të admirueshme për eliminimin e vonesave dhe pengesave.
  8. E drejta për të legalizuar çdo shtëpi të çdo qytetari dhe sipas rregullave të qarta ligjore është një vendim politik i marrë në vitin 2000, në të cilin ka pasur një debat të vështirë social, profesional dhe për kostot buxhetore në grupin parlamentar te PS. Kishim dy mundësi:

(i) urbanizim para legalizimit – kjo

(a) lehtësonte kostot financiare por prodhonte kosto të rënda sociale për familjet që shtëpitë e tyre që do të prisheshin;

(b) krijonte një rrezik më të lartë për abuzimit dhe korrupsionit në identifikimin e shtëpive që duhet të prishen për të lehtësuar urbanizmin;

(c) Risku është më i madh i opsionit që ne miratuam legalizim pastaj urbanizim ishte incentiva/nxitja e rritjes së numrit të ndërtesave pa leje siç ndodhi realisht më vonë dhe

(ii) legalizim dhe pastaj urbanizim – ky opsion: krijonte barrë të rëndë financiare. Për të zbutur tensionet dhe kostot sociale, PS i dha prioritet kohezionit dhe solidaritetit social prandaj që në atë kohë u mbështet legalizimi përpara urbanizimit. Këtë opsion jo vetëm që nuk e kundërshtoi PD , por e mbështeti çdo forcë politike majtas dhe djathtas.

  1. Prandaj banorët e “Astrit”, kanë të drejtën ligjore, morale dhe të drejtën sociale për të kërkuar kompensime financiare dhe trajtim dinjitoz. Çdo qëndrim tjetër i Bashkisë apo Qeverisë është jo ligjor, jo njerëzor dhe me pasoja të rënda afatgjata social-psikologjike e financiare tek këto familje dhe sidomos tek fëmijët e tyre.
  2. Versioni i përzgjedhur, legalizim përpara urbanizimit krijon kosto të rënda financiare. Për zbutjen e kostove mbi taksapaguesit shqiptarë të këtyre projekteve, kërkohet që bazuar në analiza thellësisht profesionale kosto-përfitim të përzgjidhen dhe mbështeten nga qeveria projektet imediate dhe ato afatmesme.
  3. “Ndërtimet pa leje” në komunikim publik duhet t’i ndalojnë Kodet e etikës për drejtorët dhe punonjësit e administratës publike. Kodet etike të Kryeministrisë, Presidencës, Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, KLSH, Bankës së Shqipërisë dhe çdo institucioni tjetër kushtetues. Shqiptarët janë më të kërcënuar nga “ndërtimet pa leje” në komunikimin me publikun, bashkëpunimin dhe ngërçet institucionale se sa nga ndërtesat fizike publike apo ato pa leje të qytetarëve të cilët meritojnë një trajtim me të mirë njerëzor dhe trajtim të duhur ligjor dhe financiar.