Kush po e shkatërron faunën e Lagunës së Nartës?

1038
Sigal

Besnik Velaj

Laguna e Nartës ndodhet në veriperëndim të Vlorës. Veç bukurisë të rrallë natyrore, ka rëndësi ekonomike, sepse ka rezerva të mëdha peshku. Sot gjuetia e peshkut po merr përmasa të pa kontrollueshme nga ligji, shpesh dhe me dinamit. Mençuria, përvoja, shqetësimi profesional, protestat publike duhen dhe në këtë sens … jo të ngrenë zërin vetëm intelektualët e shoqërive ambientaliste si Ing. Agathokli Loli, Ing. Vasillaq Jorgji etj. Administrata në Vlorë bën sehir, nuk investon dhe nuk kërkon bashkëpunim me njerëzit, shoqëritë ambientaliste që problemi të gjejë zgjidhje të shpejtë. Pse duhet të shkatërrohet fauna e Lagunës, e cila ka rëndësi jo vetëm në Shqipëri, por për tërë Mesdheun? Lejet për peshkimin jepen jo në bazë të kriterit profesional, por sikur të jenë tolona karburanti. Nartën e ka boshatisur emigracioni, peshkatarët e saj të dëgjuar japin kontribute skllevërish, për të mbajtur shpirtin gjallë në Greqi dhe shtete të tjera. Po të shkosh mbrëmjeve në Nartë, më shumë ndriçon Laguna nga dritat se sa fshati. Arsyeja është se vijnë për të peshkuar nga e gjithë zona e jugut, njerëz të panjohur me linja ndriçimi, mjete moderne, të pajisur me materiale peshkimi (si rrjeta me sy të vegjël), zhurmues sirenë për të trembur peshkun: E gjithë sipërfaqja ujore e fundit të Lagunës gërryhet për nga mjetet e peshkimit duke prishur dhe vrarë vezët e peshqve.

Ka vite që në Lagunën e Nartës me gjithë kontrollet e ligjit, janë zhdukur zogjtë ujorë si; rosa e egër, rosa e murrme, vërrija, pelikani tumanarë që ushqehen me peshq dhe gjallesa të tjera. Po kështu janë pakësuar llojet e peshqve si; qefulli, ngjala, lavraku apo llojet e peshqve të ujërave të ëmbla si; amuri, ballëgjëri, krapi, karas, pëllëmbëza. Jo vetëm gjuetia galopante, por edhe intensifikimi i zhvillimit të pemëtarisë me vreshta e ullinj ku përdoren gjerësish insekticidet, ndikojnë shumë në zhdukjen e peshqve dhe shpendëve. Alarm i madh?! Po dhe vërtet i mprehte! Në detin që ushqen dhe Lagunën e Nartës me anë të Dajlanit, parashikohen të zhduken 900 specie nga nafta që derdh Lumi Vjosa në det, duke sjellë në grykëderdhje helmet e ish-uzinës së sodës si uji amoniakal, gëlqerja, zhiva dhe trafiqet e shumta. Në Vlorë jo vetëm është zhdukur tradita e shitjes së peshkut me dyqane të posaçme, por nga gjuetia pa kontroll dhe galopante, tregu i shitjes fillon gjatë gjithë rrugës së asfaltuar Novoselë-Panaja-Pusi i Mezinit dhe deri në Vlorë, jo me makina frigorifer… por në shesh siç ishte dikur tregu i ullinjve të vjedhur. Nëse dikur Vlora zinte vendin e parë në Shqipëri në peshkim dhe peshku vinte nga Laguna e Nartës, sot po ndodh e kundërta. Për shitjen e gjahut, sidomos të ngjalës, në zhdukje e sipër…përdoren kazanë, magje, legenë të vjetër, nga peshkatarë të panjohur, të paligjshëm-të palicencuarnëpër rrugët e lagjeve të brendshme të qytetit. Në të njëjtën kohë pushtetarët, deputetët për 30 vjet zihen dhe bëjnë pazare për “mustaqet e Çelos” në Bashki, Parlament, shtyp për çdo lloj argumenti; “autostrada”, “telefonata korrupsioni…”, por për helmet që hidhen në Lagunën e Nartës nuk shqetësohen fare. Para disa kohësh u helmuan me Lindan gati 600-700 kv. peshk në Zvërrnec. A nuk vazhdon të helmohet uji akoma përmes kanaleve të ujërave të zeza e të ëmbla që derdhen në Lagunën e Nartës dhe nuk merren masa për të dënuar fajtorët? Gjuetia në Lagunën e Nartës duhet të disiplinohet. Duhen respektuar stinët e gjuetisë. A mund të tregtohen 3 kv. peshk në ditë, sidomos ngjalë nga persona të panjohur…? Nëse vazhdohet kështu peshkun e Nartës do ta shohim vetëm në ëndërr. Në funksion të këtyre shkeljeve duhet kritikuar dembelizmi i tepruar i administratës vendore, të cilët nuk kontrollojnë, nuk parandalojnë, nuk ndëshkojnë fajtorët që tregtojnë jashtë ligjit. Pse nuk ka bashkëpunim midis administratës tatimore dhe policisë së rendit, për të gjetur se kush gjuan, kush shet…? A kanë liëencë personat që merren me aktivitetin shkatërrues të Faunës në Lagunën e Nartës?