Kush do të na frymëzojë?…..

652
Sigal

Nga Xheladin ҪELMETA

Pa ideale dhe pa frymëzim, asnjë popull nuk mund të përparojë e të zhvillohet. Në ҫapitjen tonë të këtyre 28 viteve demokraci, vështirë të dallosh momente ku të ketë kulmuar ndonjëherë entuziazmi popullor, progresi ekonomik apo avancimi i vrullshëm shoqëror, etj, etj. Dhe kjo ka ndodhur sepse, së pari, për t’i mishëruar të gjitha këto atribute, kërkohet frymëzim. Historia botërore ka treguar se frymëzimi, në një farë mënyre, ka qenë dhe është “fara” që ngjiz optimizmin mbarëshoqëror për zhvillim e prosperim në çdo vend e në çdo komb, kudo qoftë ai. Po kush do të na frymëzojë, ne shqiptarëve sot? Këngët? Aspak. Po bëhen gati tri dekada që këngët tona nuk frymëzojnë më askënd. Sot këngët, nëpër ekranet tona televizive, janë; as më pak e as më shumë; parada (me tepricë) të bukurive femërore, e asgjë tjetër. Tekstet e “hit”-eve të sotme shqiptare, ka kohë që nuk ngacmojnë më asnjë nerv. Ndërsa këngët e mrekullueshme popullore shqiptare, që kanë brenda magjisë së tyre gjithë historinë e kombit tonë, gjithë hallet, gjithë tallazet; gjithë furtunat; gjithë betejat e përgjakshme për liri e pavarësi nëpër shekuj, janë kyçur një herë e përgjithmonë në sirtarët e televizioneve shqiptare. Dhe siç duket, kurrë nuk do dalin më që andej. Kush do të na frymëzojë? Politika? As që bëhet fjalë! Politika, vetëm prodhon sherre në një terren gati-gati bosh, përderisa shumica e deputetëve tanë, nuk zgjidhen direkt nga populli, por nga listat e kryetarëve të partive. Ndërsa shoqëria civile ka kohë që “ka harruar” të reagojë për “bëmat e gjëmat” e radhës të politikanëve tanë. Kush do të na frymëzojë? Bustet nëpër Tiranë? Jo! Se ne heronjtë “i kemi vënë në gjumë”, siç thotë Dritëroi i madh në një moment dëshpërimi në një poezi të tijën.

Ç’digjeni nga malli për heronjtë?

 kushedi kur kthehen nga kjo anë

 Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë

 S’ka heronj, tani ka pehlivanë!”.

Ja kështu shprehet ky poet gjigant i Kombit tonë. Dhe ka plotësisht të drejtë. Sepse mjafton një shëtitje në kryeqytet, për të kuptuar metamorfozën trishtueshme që ka ndodhur. Një moment shoh Qemal Stafën, Vojo Kushin, Isa Boletinin, Ismail Qemalin dhe ndjej të më ngrihen supet nga krenaria legjitime. Dhe ndërkohë… po aty mbaj frymën, sepse më del përpara tradhtari i kombit Ahmet Zogu; më del Osman Kazazi, dhe më tej akoma, shoh se si po përgatitet sheshi për kreun e Ballit Kombëtar, Mitat Frashërin… Kush do të na frymëzojë? Shkolla? Nuk besoj. Përderisa fillimi i mësimit nëpër gjimnazet apo fakultetet tona nuk nis me ngritjen e Flamurit Kombëtar dhe me këndimin në kor të Himnit Kombëtar. Rrallë gjen nëpër shkolla nxënës apo studentë që të njohin me imtësi Rilindësit tanë të mëdhenj apo poetët e shkrimtarët shqiptarë që bënë epokë në periudha të ndryshme historike dhe ngritën peshë zemrat e shqiptarëve. Kush do të na frymëzojë? Evropa? Eeeh, sa kam dashur ta besoj këtë, por që nuk e pashë kurrë të realizuar në këto afro 3 dekada të fundit! Veç fjalëve të mira që dua të shpreh për misionarë të veçantë evropianë që na janë gjendur pranë si miq të vërtetë në momente kritike për Shqipërinë, si; Franc Vranicki, apo ish-kryeministri Italian Romano Prodi, (në vitin e mbrapshtë ’97), apo tani z. Eduard Kukan, e ndonjë tjetër; nuk mund të them të njëjtën gjë për të tjerë, që shpesh janë “shqiptarizuar” më shumë seç duhet apo që janë bërë palë më njërën anë të politikës. …Personalisht, prirem të besoj se pas këtij kalvari deziluzionesh, dilemash, përpjekjesh, ece-jakesh pa fund, shqiptarët tani po bëhen më shumë pragmatistë dhe më pak ëndërrimtarë. Ndërkohë, për të qenë i sinqertë me lexuesin, as vetë nuk jam në gjendje të them nëse e kanë mirë apo e kanë keq që po veprojnë kështu. Nuk më dëshpëron ikja e të rinjve shqiptarë nëpër Botë. Jo! Le të shkojnë për një standard më të lartë jetese, për një punë që shpërblehet më mirë, etj., etj. Më dëshpëron ikja pa kthim. Asaj ia kam frikën. Se nuk mund ta duroj dot, që nesër të kemi një vend, një shtet si Shqipëria, të bekuar nga natyra, që vërtetë mund të jetë me shumë e shumë pallate të bukura e me grataҫiela, por me më pak shqiptarë. Kjo më tremb. A ka sociolog sot, që të parashikojë se sa të rinj shqiptarë do të ikin; ta zëmë në 5 apo 10 vitet e ardhshme; dhe se sa prej tyre do të kthehen sërish? A ka prognoza, që të na tregojnë se çfarë popullsie do të ketë Shqipëria në vitin 2020, 2025 apo 2030? Jo, nuk ka. Atëherë shtrojmë pyetjen: Meqë ky është vërtetë një shqetësim i madh kombëtar, përse ndodh që Parlamenti ynë ka vite e vite që nuk diskuton qoftë një herë të vetme për këtë aspekt kaq delikat? Një gjë duhet ta dinë mirë shqiptarët: Sido që të jetë harta e Evropës nesër, (më e madhe apo më e vogël; këtë askush nuk është në gjendje ta thotë saktësisht tani); Kombi shqiptar duhet të jetë sa më solid, sa më unik dhe mbi të gjitha; sa më i sigurt. Dhe për këtë Siguri, burrat e Kombit (nëse kanë mbetur akoma të tillë sot ndër shqiptarë) nuk duhet t’i zërë gjumi.