Sigal

Vangjush Saro

Disa deklarata në lidhje me probleme të konsolidimit të shtetit të Kosovës, si dhe marrëdhëniet me fqinjët, të shoqëruara me debate, kanë grishur sërish nevojën e diskutimit të çështjes shqiptare në tërësi, si edhe të rolit e pozitave tona në Ballkan, Evropë dhe më gjerë. Mirëpo këtu, zënë e ngatërrohen termat dhe vetë njerëzit; këta fillojnë e gjuajnë nga istikamet e partive apo ato të vetat; kurse kjo nuk është asfare punë partish e individësh. Pasi deklarata e parë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve, zgjoi reagime nga më të ndryshmet – madje u hodh baltë me shumicë andej e këtej – ai ridoli këto ditë me tezën e mbajtjes së një referendumi… Ndërkaq, ka reaguar sakaq një ish-president e ish-kryeministër, Sali Berisha; situata u mbars menjëherë. Këto ditë, kemi dëgjuar edhe deklarata, monologë e dialogë të tjerë, në largësi a me mediat, nga përfaqësues të ndryshëm të politikës, të opozitave dhe qeverive: T. Shehu, P. Majko, R. Haradinaj. Por assesi në një gjatësi vale… Fillimisht, në përpjekje për të larë hesapet me njëri-tjetrin, Thaçi e Berisha dhe ndjekësit e tyre, na kujtuan edhe njëherë rrugën nëpër të cilën kemi ardhur deri këtu. Domethënë me të shtyra e më të shara. Kështu, më shumë se problemin e kufijve e të marrëdhënieve të vështira me Serbinë, ky episod zgjoi edhe njëherë mostrën që kemi brenda nesh, mëritë dhe pasionet, ato politike dhe ato partiake, nostalgjitë dhe ëndrrat, shamatanë e përhershme, djajtë e politikës, të Kosovës e të Shqipërisë. Dhe i vuri në punë e në luftë, bashkë me zyrtarët e lartë dhe ata që s’janë në detyrë, po ashtu analistët, more deri edhe shkruesit e komentuesit amatorë; as që mund të ndodhë ndryshe në këto troje, ku (duket sikur) në krye të herës ka lindur grindja dhe është pagëzuar moskuptimi. Grindja dhe moskuptimi kanë kapur për zverku vetë çështjen shqiptare, sikundër më parë gjuhën, historinë, kulturën, krejt trashëgiminë.

Vërshimi, hera-herës, i baltës dhe vrereve, në medie e në rrethe politike – nuk po flasim çfarë komentojnë njerëzit e thjeshtë, popujt e urtë – është një shprehje e këtyre moskuptimeve tashmë epike. (Oh, ç’më shpëtoi kjo fjalë e madhe!) Edhe pse herë ngrihet e herë platitet, sipas stinëve e sipas interesave, edhe pse në këtë mes disa e ngrenë më shumë zërin e disa më pak, kjo zhurmë mbi kurriz të qytetarëve e në prani të aleatëve, na zhvesh edhe më tej leckat; sepse, fundja, siç thotë edhe Samuel Beckett, “Çfarë dallimi bën, nëse e bërtitura është e fortë apo e paktë?” Më kujtohet, vite më parë, kur Rexhep Qosja u nis nga Prishtina në Tiranë për t’iu bashkuar lëvizjes së atëhershme të quajtur Pajtimi Kombëtar, u nisën edhe horrat e lloj-llojshëm ta përbaltnin atë, pa le çfarë po thoshte, po fliste për… pajtim e për bashkim. (Mos e dhëntë Zoti!) Në vështrimin tim, megjithatë, ajo lëvizje ishte e parakohshme dhe disi propagandistike, pra zor se mund të jepte fryte. Por ja, kaluan tre dekada, 30 vjet… dhe  faktet e frutat u bënë gjithnjë e më të hidhura;  jemi ende në kaos e në baltë, të pabashkuar, të papajtuar. Kjo është trishtuese! Edhe ai më i padituri e di se rruga më e mirë për t’i bërë ballë të gjitha marrive e djallëzive, të të tjerëve apo tonave, do të ishte ajo e bashkimit të kombit në një shtet të vetëm. Ne menduam se kjo do të ndodhte, dalëngadalë dhe në mënyrë të natyrshme, përgjatë rrugës për në BE.

Por siç edhe shihet, institucionet përkatëse, në të dy shtetet e të njëjtit komb, janë në gjendje infantile, të zhytur në paragjykime e mendjemadhësi; (edhe pse ka disa masa e parashikime për lëvizjen e lirë dhe taksat). Nga ana tjetër, BE ka problemet e veta, është njëfarësoj në krizë dhe për më tepër, shpesh i padrejtë dhe i pavëmendshëm ndaj halleve të disa kombeve a shteteve të cilët historia i ka ndëshkuar jo një herë. Pra, synimi që ka të bëjë me bashkimin kombëtar, mbetet ende një mision i vështirë, sidomos në kushtet kur institucionet e Evropës, të Perëndimit në tërësi, edhe pse ka shenja që tregojnë dyzime, përgjithësisht nuk i kanë për zemër ndryshimet në relieve delikate; e thënë ndryshe, kjo punë a detyrë, është e rëndë, një mal i lartë për t’u ngjitur. Por ndërkaq, fjala e parë e kësaj teme të gjerë, akti i parë si ta themi, që ka të bëjë me të marrurit vesh, me pajtimin, duhej të ishte një mision i mundur, një e përpjetë më e butë… Këtu sërish vijmë e ngatërrohemi dhe, në këtë rast, nuk na e ka fajin as Evropa, as aleati tjetër përtej oqeanit, madje as edhe fqinjët. Shprehja e njohur popullore që na thotë se si njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, zë vend prapë në këtë tregim të interpretuar disa herë. Ka pasur shumë insinuata në lidhje me rolin e shërbimeve të huaja sekrete, veças atyre të Serbisë, në një sërë ngjarje në Shqipëri e Kosovë. Ka pasur vrasje politike, trazira, eksode dhe përleshje të sajuara në Tiranë, në Kosovë e në Maqedoni; dhe ato shumëkush i lidhte me problemet e brendshme të Serbisë, ndërkohë që individë shqiptarë, me njëlloj pasaporte afatgjatë në politikë, gjendeshin dhe gjenden, si për çudi, në të gjitha këto eksese. (“Unë vetëm zbulova shenjën, po heq dorë dhe s’dua të kuptoj…” F. Kafka) Më kujtohet se si në kohët më të vështira për Kosovën, disa politikanë të njohur dhe veprimtarë gjithaq, u turrën si të marrë kundër Marrëveshjes së Rambujesë. Po ashtu, Thaçi u kujtua tash për thyerjen e embargos së naftës në kohën e “lulëzimit” të PD-së. Ka zëra që flasin gjithë me gjemba për 2 prillin, ngjarjet në Shkodër… E të tjera. Mjaftoi pra, një deklaratë, që të rindizeshin sërish zjarret për të zier zift, që t’ia hedhin njëri-tjetrit. Kjo është çështja brenda çështjes, që këta, edhe pse kanë një mandat për të drejtuar vendin e ndrequr fatet e këtij kombi, e ngatërrojnë punën edhe më keq. Përpara disa kohësh, një nga drejtuesit e Partisë Demokratike (të Shqipërisë) thoshte pak a shumë që kemi një konflikt Serbi-Kosovë dhe atë duhet ta zgjidhin këto dy shtete, e pra, Shqipëria të mos bjerë “në kurth”. Nga PS deklaratat ishin krejt të kundërta, në ndonjë rast mjaft të forta, madje është folur për mbledhje të përbashkëta (qeverish) anipse pothuaj asgjë s’është bërë këso. Po ashtu, ka pasur zëra për një president të përbashkët, etj. Parti të tjera më të vogla, në Shqipëri e në Kosovë, “çjerrin faqet” për atdheun, duke i rënë këmbës për bashkim, por ato vetë janë të pabashkuara dhe të çoroditura. Në këtë zhurmë për kombin, absurdi vetëm shtohet. Një gjë është e provuar. Nga zhurmat, ne shurdhohemi të parët; nga zjarret, ne gjithashtu digjemi të parët. Po. Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, duke kujtuar se kemi qenë gjithnjë viktima të konflikteve ballkanike, madje jo vetëm atyre ballkanike; si ta vizatoj ndryshe, ne kemi qenë gjithnjë “të djegurit” e këtyre konflikteve. Nga kjo, mendoj, duhet të kemi mësuar diçka.

Natyrisht, ne nuk duam një paqe me zor. Ne nuk duam gjithashtu një pajtim e mirëkuptim të përciptë dhe që të kullojë vazhdimisht vrer; sidomos vrerin e së shkuarës. Ne sot i kemi të gjitha mundësitë t’i tregojmë shtetit fqinj, shteteve fqinj, partnerëve e miqve në shkallë më të gjerë, çfarë synojmë; por këtë duhet ta formulojmë pak a shumë në njëlloj harmonie e mirëkuptimi. Ne s’mund të kërkojmë çfarë na takon apo thjesht një rol më të besueshëm në Ballkan, pa gjetur më parë gjuhën me njëri-tjetrin. Për më tepër, nuk kemi pse i fryjmë zjarrit, zjarreve, në mënyrë folklorizante. Është e qartë që po luan diçka, që problemet e hapura mes Serbisë e Kosovës (dhe çështja shqiptare në tërësi) janë në tryeza e nën tryeza. Por ajo që na duhet neve, së paku ajo që na duhet më shumë, krahas punës së kufijve të shtetit, të shteteve, është të mbledhurit e mendjes; pra duhet të lodhemi ca më tepër për të gjetur gjuhën mes vedi… Opinioni i gjerë ka grishur gjithnjë për mirëkuptim, interesat e kombit e kanë dashur këtë mirëkuptim, por… ne paskemi qenë njerëz të trashë. Tani po kthehem përfundimisht në vetën e tretë. Ata. Le ta ritheksojmë: Nuk iu kërkohet  të jenë të një mendjeje patjetër në çdo bisedë a në çdo detaj; por kjo është më se e domosdoshme në çështje të tilla, kaq të rëndësishme, historike; (kanë hë për hë mandatin e pushtetit). “Dashtë Qielli, të jemi pak Zot, vetëm pak…” (E. Jevtushenko) Në këto kushte, të mandatuarit, të mirë a të këqij, ata që janë, përveçse duhet të këqyrin me seriozitet shtetëror e kombëtar pa le se ç’ka ndër mend fqinji i lodhshëm, duhet të bëjnë kujdes që loja e të tjerëve të mos na prekë interesat dhe humorin. Kjo kërkon drejtpeshim e maturi, ndërkohë që do të ishte imperative, le të themi një urdhër i kohës, qetësimi dhe demokratizimi i politikës mbarëshqiptare. U fol për një referendum. Por mund të ketë edhe thjesht një shqyrtim mbarëpolitik të këtyre çështjeve. Të mos fshihemi, një shumicë e qytetarëve iu shkojnë pas liderëve politikë. E. Sabato na mëson: “T’i thuash të gjitha, është e pamundur.” Por ndonjëherë, mjafton edhe pak për të kuptuar çfarë të mungon. Këtë e di mirë çdo shqiptar dhe asnjë deklaratë, monolog, dialog e analizë nuk e ndihmon dot, përveçse ndërrimi i kastave të korruptuara të politikës. Por me sa duket, i duam apo nuk i duam, si i thonë fjalës, ky është dhëndri e kjo nusja, disa vendime ata i kanë në dorë; pra janë të lutur të merren vesh, jo vetëm për sy të Botës e të shqiptarëve, por sepse kështu dikton koha. “Kryeministrat, presidentët dhe ligjvënësit venë e vijnë, ligjet mund të ndryshohen, por janë pikërisht normat themelore, me të cilat organizohen shoqëritë, ato që përcaktojnë rendin politik.” (F. Fukuyama)