Sigal

Mbi një muaj më parë, veç të tjerave, u njoha me disa denoncime publike aspak të rëndomta nga fusha e Mjekësisë. Dhe nuk i bënin njerëz të thjeshtë a pacientë hallexhinj nga pavionet e kafenetë. Përkundrazi. Ishte prononcimi serioz, i matur, i sinqertë e kurajoz i një zonje jo dosido. Ishte vetë Dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Tatjana Cina. Zonjë, të cilën nuk e njoh ende personalisht. Për problemet që ngrinte, konkrete e pa fjalë të rrumbullakosura, të them të drejtën kam pritur ndonjë reagim a përgjigje zyrtare nga ministritë e instancat përkatëse. E pse jo, edhe nga kolegët apo gjer te Kryeministri. Pa lënë mënjanë edhe punonjësit e një pushteti të veçantë sensitiv, ata të pushtetit Gjyqësor. Dikush, duke lexuar rreshtin e fundit, mund të nxitohet e të shprehet supengritur: Përse na fut në ato labirinte Drejtësie, boll kemi hallet tona në Mjekësi?!…Por e vërteta flet ndryshe.

Konkretisht, për mbrojtjen e Doktoraturave në atë Fakultet, paska një vërshim të çuditshëm me mjaft pikëpyetje në shtratin e integritetit profesional, qytetar e zyrtar. Mirëpo dekania e nderuar nuk heshti apo të ngrohej në foletë e menefregizmit dhe të hidhte krahëve gunën e veprimeve të papërgjegjshme korruptive, duke pritur marifete e ryshfete “mirënjohëse” para e pas firmosjes symbyllur. Dhe as vërtitet rreth “Maliqit”, por falet e mbahet fort te rregulli e Ligji. Le ta dëgjojmë pakëz:

“Në fakultetin tonë është një grup i madh që kanë problem, madje ne shkuam në gjyq dhe ata e fituan. Edhe pse kishin sjellë doktoratura pa plotësimin e të gjitha kritereve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, ata u shpallën fitues (kupto: nga Gjykata). Në shkallën e Parë dhe në Apel! Unë jam e detyruar të zbatoj Ligjin dhe të çoj secilin nga ata pedagogë që u kapën me shkelje të tilla të rënda dhe shumë flagrante, më pas i takon gjykatës. Pra, çoj dosjen e secilit për verifikim…Ndoshta procedurat lehtësuese kanë bërë që mjaft doktoratura të Mjekësisë të mbrohen tek Fakulteti ynë i Infermierisë. Por edhe numri i kuotave është më i madh. Janë mbrojtur rreth 350 doktoratura e nga të gjitha profesionet…Por disa probleme mbeten të pazgjidhura, sepse ka jo pak doktoratura të bllokuara (150 të tilla) nga Ligji i Ri. Këshillat e profesorëve u shkrinë. Pra, duhet të ngrihen Komisionet. Veçse ende nuk janë të qarta procedurat dhe projektet nga ministria e Arsimit. Kërkesat rriten. Në siklet janë sidomos pedagogët pa grada shkencore, të cilët duan të mbrojnë vendin e punës që u rrezikohet nga kjo zvarritje thjesht burokratike. Ikën gati dy vjet! Ja pasoja: Pas marrjes së titullit Doktor, të duhen edhe 5 vite të tjerë. Por penalizimet janë edhe në paga, pasi doktorët e shkencave kanë paga më të larta”. Po kush nuk e dëgjon dekanen e Infermierisë?

Së pari, disa gjyqtarë të paaftë ose të korruptuar. Jo më kot shprehem kështu. Për mua ata janë nga ajo racë që i peshojnë “arrat”, pa i shkundur! Mjafton të shkunden xhepat e portofolat e hallexhinjve apo të sigurohen favore të tjera qyl. Le të marrin viston shkeljet, paudhësitë dhe hiletë e ndryshme që sigurojnë “shtesa në pagë”, por aspak në cilësi e profesionalizëm të lartë. Dhe kjo rrokopujë nuk e ka emrin thjesht papërgjegjshmëri gjyqësore, por edhe korrupsion moral e material.

Së dyti, cili gjyqtar qenkërka “kompetent” e i aftë në fushën e Mjekësisë dhe aq më tepër te punimet shkencore? Të marrësh përsipër gjykime e vendime të tilla, deri të formës së prerë, na duket paksa paradoksale. Lind pyetja: Cili “ekspert” paska rrëzuar shkeljet që ka konstatuar Dekania e Fakultetit të Infermierisë, Tatjana Cina, madje shkelje “të rënda e shumë flagrante”? Vërshimi marramendës për ta marrë kaq lehtë Doktoraturën dhe thjesht “për të shtuar paratë në xhep” me ca punime mediokre e jashtë vlerave praktike, mbetet qëllim në vetvete dhe larg botës së vërtetë akademike që kërkon koha. Kur vetë Dekania nuk pranon disa dosje “si qofte te daja”, mendoj se duhet mbështetur e përshëndetur. Pa u dredhur e përdredhur gjyqësisht në këtë katrahurë ligjore. Pa hapur shtigje “bamirësie” erërënda, që nesër i paguajnë padrejtësisht në kurriz pacientët e shumtë, takaspaguesit qytetarë të pafajshëm. Dhe në fund të fundit, ke cenuar jo pak “parimet e autonomisë institucionale dhe të lirisë akademike”. Protesta e studentëve flet shumë edhe për kusuret që ka Ligji i ri për Arsimin e Lartë. Dhe as mund të rënkohet qorrazi në “kafazin” e tarifave, duke pritur si shiun në korrik e gusht ndonjë VKM arbitrare që i jep krahë arrogancës zyrtare e pushtetare të radhës.

Së treti, kush u fryn “vuvuzelave” të Doktoraturave lumë e për lumë? Pyesim kështu, sepse zhurma reale për Plagjiaturën deri te titullarë dikasteresh, nuk mund të katandiset thjesht në zhurmë mediatike. Për shembull, deri tani në Shqipëri, vetëm një zëvendësministër ka dhënë dorëheqjen! Ndërsa në Hungari e Gjermani, u larguan vetë kreu i Shtetit dhe ministri i Mbrojtjes! Më tej. Rendja e ca politikanëve tanë për të rrëmbyer Doktoratura pa pikë djerse e aftësi shkencore, por me forcën e kolltukut e të postit, është një tjetër skandal e humnerë ogurzezë për sot dhe nesër. Apo do e hedhin lumin e Drejtësisë me “ndihmën” e atyre gjyqtarëve që përmendëm më sipër?! Dhe pastaj të besojmë verbërisht atë llafin e moçëm: “Faji është jetim, s’i ka dalë zot njeri…” Ja një shifër e ditëve të fundit që të lë pa gojë:

Në Shqipërizën tonë, vetëm në Universitetet Publike (pa llogaritur ato private) paska 1300 aplikime doktoraturash në vit(?). O Zot, ku po shkojmë kështu! Hajde shkencë, de more de! Ka përmbytur mëmëdheun si det e po na kërren në selamet…Punova mbi 50 vjet për të fituar titullin “Akademik”. Fala gjithçka nga vullneti e pasioni i jetës time shkencore dhe nuk jam bërë hiç pishman. Përkundrazi. Jam faqebardhë përballë brezave të rinj në Arsimin e Lartë. Por ama, pse ta fsheh, ndihem i fyer e aspak mirë, kur dëgjoj për njerëz kokëbosh në politikë a në pushtetin ekzekutiv që tundin e shkundin spaletat me grada shkencore krejtësisht të pamerituara. E mban mend, miku im, se si shprehej ajo ish-studentja ime e shkëlqyer, sot në Paris? “Të bësh punë të vërtetë shkencore, do të thotë të bësh punë çnjerëzore, të lodhesh shumë, të sakrifikosh shumë, shumë…”. Dhe nuk po rrëfen një njeri i rëndomtë, por një Akademik sedërli, serioz e i palodhur, që punon gati përditë gjer afër mesnatës duke sfiduar moshën dhe sëmundjet… Një model i rrallë qytetarie, dinjiteti e profesionalizmi!

Së fundi, a do të ketë ndonjë ditë Vetting për taboret me Doktoratura që nuk janë aplikuar praktikisht asgjëkundi (jo vetëm në Mjekësi) dhe kanë thithur e vazhdojnë të thithin milionat e pamerituara nga buxheti i Shtetit që nuk i shërbyen asnjë sekondë ? Sidomos ato të Tranzicionit rrokullimë e ulërimë ! Shkurt, ka rëndësi që shembulli i Dekanes së Fakultetit të Infermierisë që nuk i pranon doktoraturat si “qofte te daja”, duhet mbështetur pa heshtje institucionale e xhelozira provinciale. Mënjanimi i ngarkesës së pakuptimtë nga fakultete të tjera, me siguri do rriste cilësinë e kërkesat bashkëkohore në Infermieri; Mami; Teknik Laboratori; Fizioterapi; Imazheri e Logopedi. Aq më tepër kur sivjet, në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, ka një progres të dukshëm: Mesatarja e përgjithshme është mbi notën 8 . Dhe kjo nuk flet pak. Sepse lufta kundër rrumpallhanes universitare nuk mbaron thjesht me miratimin e një VKM-je apo të një Ligji në Parlamentin e nakatosur halldupçe. Praktika, shërbimi ndaj qytetarëve të nxjerr vajin e kallajin… -Përsiatje nga cikli “ Antiharresa “ –