Sigal

“Nga zemra që dhembte/ në gjemba kthehej floku”.

Se fjala e ligë thyen edhe eshtra. Por vetë heshtja jo gjithmonë është flori. Rëndësi ka të mos e fëlliqësh gojën. Kjo e uruar të lidh, kjo e uruar të zgjidh! Mirëpo, fjala dhe plumbi s’kthehen më kur dalin… Kjo mërmërimë vetjake zgjati pak si shumë atë mbrëmje fundshtatori. Pas një bisede jo të shkurtër e paksa të rënduar me një grua zonjë në telefon. Kur mendoj 85 vitet e jetës së saj të trazuar dhe me plot gurë të pamerituar mbi shpinë e mbi zemër, më pushton një drithërimë e veçantë njerëzore, qytetare e profesionale. Ajo me rrënjë nga Dibra e Madhe dhe unë nga Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit. Ajo e larguar dikur dhunshëm nga kryeqyteti, 15 vjet në internim, e unë me laps në dorë nëpër faqe gazetash… Mirëpo, në këtë botë të kokolepsur, të kesh bisht, ta presin; të mos kesh, ta ngjitin ! Dhe as që pyesin për moshën e thyer, për vuajtjet, plagët e vjetra e të reja, për rënkimet e lëndimet e Njeriut që nuk i ka borxhe askujt mbi dhe e nën dhe. Vetëm zemra e Nënës i di më mirë se kushdo ! Sinqerisht, atë mbrëmje prisja ndonjë lajm të gëzuar nga veprimtaria “Viti i Skënderbeut” në Shqipëri. Ndoshta është e vetmja protagoniste e gjallë e filmit të parë artistik. Por hidhësira më shoqëroi deri natën vonë te Bërryli. Bëra mirë apo keq, më gjykoni : Aty për aty, si për t’i vënë kapak muhabetit e si për t’i thyer sadopak vetminë e pleqërisë dhe një lloj dëshpërimi vrasës, i citova në telefon disa vargje të bashkëshortit të saj, profesorit të shquar të Gazetarisë e të Jurisprudencës. Shkruar në internim, gusht 1986, në Shegas :

E dashura Vika ime,

 bashkë jetuam e u thinjëm bashkë,

 e bashkë na rrëmbyen vorbullat e gëzimeve,

 e të hidhërimeve,

 bashkë njohëm kafshimet e shpifjes e të pabesisë…

 Me fshikullima t’egra na e gjakosën shpirtin,

 furtunat e jetës, shoqja ime,

 me fshikulla të pamerituara plagëdjegëse.

 ( E në këto plagë, për të na munduar,

 Hidhnin kripë e helm, njerëzit e liq!)….

-Përfytyro pak, miku im. Përfytyro qytetin e gurtë që ty të ofroi frymëzimin e cicërimave të para në dashuri, poezi e gazetari, “parajsën” e rinisë së hershme në Pedagogjiken e famshme “Pandeli Sotiri”. Atë parajsë të pakthyeshme që nja dy faqezinj e shpirtkatran, për pak ta kthyen në ferr e terr fatal. Dhe le prapa dashurinë tënde të parë e të larë me dritën e hënës mbi Vlorë, Tepelenë e Gjirokastër. Ike 3 vjet ushtar e me kokën prapa. Ike me ëndrra të vrara poshtërsisht, të bardha si bora mbi kokën e Çajupit e të Golikut, ike zemërplagosur dhe i larë nga lotët çurg të bashkëmoshatarëve konviktorë kur të përcollën me shumë dhimbje te Qafa e Pazarit, atje ku rrëmbeheshin e niseshin rekrutët e rinj (jo nizamët!). Lot që rrodhën rrokullimë e u mblodhën natyrshëm poshtë kalldrëmeve, te ata shelgjet vajtues e lirika frymëzues në këmbët e Pedagogjikes. Pas një viti edhe ti do pagëzoheshe “Komisar i Dritës së Diturisë”, do u mësoje vogëlushëve Abetaren, shkrimin e këndimin e Gjuhës së bekuar Shqipe. Por jeta nuk është vetëm fushë me lule e pekule… Përfytyro, të lutem, një ish-antifashist të orëve të para në Shkodër e Tiranë; një ish-të burgosur nëpër qelitë e regjimit kuisling; një student që braktisi auditorët në Universitetin e Firences dhe iu gjend mëmëdheut në ato ditë e net të vështira mbijetese; një partizan 20-vjeçar syshkruar; një fitimtar me plot vargje e shkrime erë baruti e Lirie në çantën e ish-luftëtarit dhe që hyn në Radio-Tirana e në redaksinë e revistës letrare-kulturore “Bota e Re”; një Profesor e pedagog Drejtësie jo dosido; një gazetar penëmprehtë te “Zëri i Popullit”, “Shqipëria Sot”…Përfytyro 43 vjet më parë, të paharruarin kokëplot Jusuf Alibali, hipur bashkë me gruan, dy djemtë dhe një kokosh me plaçka shtëpiake në një kamion të vjetër. I kishin përzënë e sikterrisur nga Tirana! Dhe tani po kalonin në këmbët e atij qyteti të dashur, aty ku dikur kish lënë vitet më të bukura rinore si gjimnazist. Dhimbje jo e vogël…E, as më pak për Adivinë e Haki Sharofit (Mësues i Popullit ), për balerinën e valltaren bukurishumë në Teatrin e Operës e Baletit. Sapo ishte fejuar. Si iu rrëmbushën sytë e si nuk i plasi zemra kur la pas Viroin e Urën e Kordhocës ! Në atë kala e në ato kalldrëme kishte ende gjurmë të Mamicës 18-vjeçare, “motrës” së Skënderbeut. Mjaft skena të atij filmi që bëri vërtet histori, u xhiruan atje. Dibrania e bukur Adivi dhe shkodrani i rrallë Jusuf, i ruajtën plot dhembshuri lidhjet shpirtërore me Qytetin e Jugut, po edhe ato me Labovën e Vogël me histori të madhe, streha e parë e internimit. Sot e kësaj dite. Po kështu në Kutalli e Sheqëz të Beratit. Te ky vend i një mbi një dritareve, Mamica xhiroi skenat e dasmës. Për herë të parë nuk po e dëgjoja të qeshur e plot humor Adivinë. Ia kishin mjegulluar e mavijosur egërsisht ca gazeta e portale, që niseshin nga një prononcim publik fare i shkurtër i studiuesit serioz të mirënjohur Agron (i biri në Boston, SHBA) për Kampin e Tepelenës dhe e bitisnin me fyerje e metafora hakërrima mbi anëtarin e asaj familjeje të persekutuar e tepër të nderuar. Familje që nuk ka zënë ende radhën zyrtare shtetërore dhe nuk ka përfituar asnjë këst e asnjë qindarkë nga 15 vite internim politik e poshtërim absurd (?!). Në një kohë kur mjaft të tjerë me soj e sorollop, po vjelin financat e taksapaguesve të varfër shqiptarë, me grafike e trafiqe influencash nëpër dyert e pushtetit legjislativ e ekzekutiv. “Jam sëmurë e pa gjumë, miku ynë, më kanë prishur gjakun! Sapo e ktheva një gllënjkë raki për zemrën. Kam qenë në Shkodër. Nuk mund të rrija pa e përcjellë në banesën e fundit, të mirin Isa Alibali, nga të rrallët në fis që i afrohej shumë Jusufit tim dhe që e donte fort, si vëlla… Ç’janë këta kalemxhinj të akshamit që kërkojnë të na rihedhin baltën e monizmit në pluralizëm? Mos vallë nuk janë ngopur e duan të na internojnë prapë në vitin 2018? Revolta e zemërimi im nuk janë si kumbulla në shënëndre. Nuk ka thënë kot i mençuri: “Edhe bisha që është bishë, bëhet më e rreptë e më e sertë, sidomos kur i sulmohen kulishët”. E jo më Njeriu, drita e syve të një nëne të vuajtur, zemra e saj boll e sfilitur. O Zot, më mbaj mendjen në kokë ! E kanë quajtur Agronin “dalzotës të erzit enverist”?! E pagëzojnë “Don kishot”, “I ashtuquajturi studiues”, “shpifës e fabrikues vullnetar apo i sponsorizuar”

… Zhurmë mahnitëse e kësaj nate vjeshtake…

As për ty ?/ As për ty nuk qenkam ?

Për askënd mos qofsha atëherë

oj natë…

( Tetor 1944, Lurë ).

Partizani 22 vjeçar Jusuf, nuk pati kohë të festonte ditëlindjen ato ditë e net vendimtare. Por bekimi e urimi i Nënës e shoqëronte në çdo hap, në fushat e malet mbushur plot me luftëtarë të Lirisë. Vargjet e tij të para lëshonin shkëndija në torbën e fishekëve. Pas ca ditësh, në mëngjesin e 29 Nëntorit, atje në Shkodrën loke do të festonte Ditën e Çlirimit të Atdheut plagëshumë. Por kjo “natë vjeshtake” e sotme, po të ishte gjallë, me siguri do e lëndonte jo pak. Se fjala, jo vetëm shëron. Unë e takova vetëm pak minuta. Për herë të parë e të fundit. Ishte bashkë me Arshin Xhezon, gazetarin penëmprehtë e mikun tim që mbylli sytë herët dhe iku dhembjemadh nga kjo botë. “ Hajde Kristo, hajde ulu. Të dy jeni pa një çati mbi kokë në Tiranë…”. Kishte filluar Lufta e Kosovës dhe do të nisesha me shërbim të gjatë në Morinë të Kukësit tonë të dashur, të qytetit që meritonte Çmimin Nobel të Paqes dhe aspak “çmimin” e sotëm të varfërisë nga Tranzicioni pa anë e pa fund. Çfarë zjarri paskan e krijuara në internim:

“ Në këtë ahurin tim kallkan:

Vika m’ngroh

Me t’sajët sy pishtarë,

Teksa gjithë hir gjallojnë

Këtë zemrën time të mardhun

E kumtojnë Dashurinë që kemi

E Lirinë që na rrëmbyen…”.

Fare pak njerëz e dinë që ky burrë zemërmadh e tepër i kulturuar ishte një nga autorët e Historisë së Shqipërisë. Madje ka fituar edhe Çmimin e Republikës! I rrallë në modestinë dhe thjeshtësinë e tij njerëzore e intelektuale, shpesh fisnik i pakonkurrueshëm. Atdhetar e demokrat i kulluar. Optimist si ai! 15 vite internim nuk ia tjetërsuan asnjë fije karakterin. “Besnik i idealeve liridashëse”, në monizëm e në pluralizëm. Fjala vjen, dy esetë e mrekullueshme për dy miqtë e tij dëshmorë, Kristaq Tutulani e Gjikë Kuqali, i përfundoi në internim në 1982 dhe 1985. Edhe ky fakt flet e do të flasë shumë për karakterin e tij të pathyeshëm… Në atë kohë kur lufta absurde e klasave shtrihej e binte pa mëshirë edhe mbi fiset, miqësitë e krushqitë, mjaft burra divorcoheshin nga gratë dhe anasjelltas. Por çifti i veçantë Alibali, e ruajti familjen të pastër përballë stuhive të mallkuara e të pamerituara. Një e vërtetë krenarindjellëse që nuk lyp kurrë sevap a mëshirë. Dibrania e bukur Adivi, “Mamica” jonë e dashur, e ndjente veten ngushtë e ligsht, sidomos kur e pyesnin vogëlushët shpirtbardhë në fshatrat e internimit:

– O teta, pse të kanë dënuar ty apo pse ke vrarë turqit?!…Ndërsa kohët e fundit ajo bëri vetëm një kërkesë publike e jo pa nota ironie therëse nga ekrani. 85-vjeçarja tha kaq:

“-Tani dua vetëm një mijë lekë të vjetra dëmshpërblim !…Që unë të vdes e të mos më mohojnë vuajtjet dhe rininë e humbur të fëmijëve dhe ato të burrit tim që iku në atë dynja jo pa dëshpërime”.

Adivija nuk kërkon kallëza në dëborë. Prandaj dëshiroj ta përsëris thirrjen time të sinqertë, perifrazuar nga një varg i paharruar i Jusufit profesor të jurisprudencës e të gazetarisë, ish-partizanit në lule të djalërisë e studiuesit emërmadh :

– Mos e lëndoni nënë Adivinë! Boll u hodh “kripë e helm” mbi plagët e “Mamicës” së Skënderbeut dhe “kujdes nga kafshimet e pabesive tinëzare”!…