Kozma Gjini: Privati ndërton, shteti prish, populli paguan lekët!

525
Sigal

Privati e ndërton, shteti e prish, populli paguan lekët

Pamflet

Nga Kozma GJINI

…Hajde, ç’spektakël! I sojit që matet me ditë, jo me minuta. I tillë ishte ai… Ia kaloi edhe telenovelave turke. A nuk e pamë badiava, live për 12 orë “spektaklin” e prishjes së objektit të Kokëdhimës në Himarë? Çfarë shikueshmërie duhet të ketë pasur! Në fakt prisnim se mos do të përdorej dinamiti, që të na e shuante kuriozitetin për një minutë, por paskësh qenë taktikë tjetër kjo. Kushedi…mbase do t’u jetë lagur baruti… Po gjene, shyqyr që u gjendën skrapet, se do të fillonte vareja e kazma që vaj medet…Dy skrape e dymbëdhjetë sehirxhinj na e lanë batall ditën….Pse ndërroi taktika, do të thoni? Sepse, po të hidhej në tokë çëk-fëk, për tre minuta, s’kishin kohën e duhur që ta ndiqnin turistët e huaj. Aq më tepër anglezët… Prandaj duhej aq i gjatë “spektakli”, që ta merrnin vesh lajmin tërë mediat e botës. T’u tregonim se neve …s’ na e ha qeni shkopin. Sidoqoftë, paska zot hauri! Bukur! A thua se u bënë sebep të huajt që me padurimin e tyre, braktisën ç’ porositën… apo iu mbush kupa… u nxitua i gjori Mihal …që me patjetër të bënte “box” me turistët, këtë nuk e dimë. Si mund ta bënte Mihali këtë gafë, kur e dinte se objektin e kishte pa leje?! Nxitim duhet të ketë qenë. Se, nuk ngre gurin tjetri për të vrarë këmbët e veta. Por u bë VIP për pesë minuta, ama. Këta anglezët kot i quajmë durimderri. Mendjellinjë! Bënë porosinë dhe ua mbathën. Ku jemi këtu ne, në Angli?! Pa le, po na shesin edhe dëngla. Harruan këta se… kur erdhën këtu për ndeshjen…u bënë tapë me birra “Tirana” …dhe shtrinin pas gocave si të droguar nëpër rrugët e Tiranës! E harrojnë ata,po s’e harrojnë ne. Pastaj, pse nuk i shkelët njërin sy kamerierit që të kuptohej se kishte të bënte me të huaj? Pra,e keni edhe një çikë vetë fajin. Të duruar jemi ne, ore, dhe jo ju. Kot u ka dalë nami juve. Neve, dhe tre orë të na e vonojnë porosinë, hiç s’e luajmë menderen nga karrigia… Por këtë radhë na e ngecët në dorë dopio gjashtën. Dhe ne u kërkuam falje, ama. Madje u priti vetë ministri…Doemos, për ndjesë,por edhe për t’u mbushur mendjen, se këtu ka shtet. Dhe…shteti funksionon. Të gjithë të pasjellshmëve,…por, sidomos shkelësve të ligjit, ne u tregojmë vendin (!) Ua bëjmë rrupi-supi, 8 me 2.Bukur, do të thoni ju. Sa Mihala ka “brenda”në det, që nuk e nxjerrin kokën? Asnjë s’ka. Se mos nxori deti ndonjë Mihal tjetër pas ikjes së anglezëve, që ta kapte shteti? Kjo do të thotë që s’ka më. Për sivjet, mbaroi filmi… Një sardele në vit, boll e kemi ne… O shteti ynë i dashur! Ti i ke lënë vetë këta që po ta nxjerrin bojën (e kuqe, blu apo rozë a laramane qoftë). Sepse, po të duash ti, nuk ka burrë nëne që ngul qoftë dhe një gozhdë pa lejen tënde. Do ti, pa i lë. Nëse privati ia ka zënë gojën shtetit…( nëpunësit…), atëherë le të kapet ai dhe t’i paguajë ai lekët për zhdëmtimin e objektit dhe jo populli. Turistët ikin e vijnë, por ne jemi këtu. Dhe kur shohim e s’flasim,.. dhe kur flasim e s’dëgjohemi. Gjithsesi, me gushtin bashkë iku dhe vapa. Zoti na ruajt…ç’dimër vjen mbrapa…Motin tjetër do të vijnë prapë turistët. Ishalla, më shumë. Atëherë do ta shohim serinë e dytë të spektaklit me metrazh të gjatë….Deri atëherë, lum kush të jetë gjallë….Amen!