Kozma Gjini: A do të lindë një parti nga lëvizja studentore?

600
Sigal

Nga eksperienca botërore, njihet skema e krijimit të një partie, fryt i një lëvizjeje masive qytetare, me program dhe objektiva konkrete. Çfarë do të ndodhë tek ne pas përfundimit të protestës studentore? A do të kemi një parti të re në spektrin politik? Kushdo, duke i bërë një analizë të thjeshtë protestës, e cila ka dy javë që ka pushtuar bulevardet e Tiranës, ekranet dhe mendjet e shqiptarëve,vetiu pyesin:

1) Si ka mundësi që protesta e qytetëruar dhe e mirë organizuar, të mos ketë një kokë drejtuese, një lider?

2) A janë aktualisht të gatshëm studentët tanë për të formuar një parti të re apo e kanë krijuar atë dhe do të na e shfaqin në kohën e duhur?

3) Nëse do të kishim një parti të re, cilët do t’i bashkoheshin partisë së studentëve dhe çfarë disbalancimi do të ndodhte në spektrin politik shqiptar?

… Protesta e rinisë studentore nuk erdhi si një shkreptimë në një qiell pa re. Gjatë gjithë kësaj periudhe, rinia shkollore ka parë dhe ka duruar shumë eksperimente mbi shpinën e saj. Protesta është rrjedhojë e një akumulimi të gjatë problemesh që janë stivuar vit pas viti. Erdhi si rrjedhojë e keqadministrimit të problemeve, e keq organizimit të brendshëm të universiteteve, të cilët qenë të paaftë të menaxhonin institucionin, ekonominë, marrëdhëniet pedagog-student, abuzimet me notën,(shpërdorimin e moralit), pa dyshim edhe si rezultat i mos kontrollit e mosnjohjes së shqetësimeve të studentëve nga ministria dhe qeveritë ndër kohë. Studentët, (disa) edhe pse të aneksuar pas partive, janë të zhgënjyer nga situatat e kaluara, janë të pakënaqur nga realiteti i zbatimit të ligjit. Është sovrani ai që vë në balancë se kush nga qeveritë mban peshën më të madhe të fajeve. Por, praktika e qëllimshme e keqpërdorimit të ligjëratës në fushatat zgjedhore, “detyrimisht për të rrëmbyer pushtetin”, që në zanafillë të shndërrimeve demokratike, bëri që të metat të agravohen, por edhe të “filtrohet” statura nepotike e liderëve të subjekteve politike që u pasuruan brenda ditës. Më tepër se kush, studentët kanë një vështrim kritik ndaj politikës. Sot studentët të japin përshtypjen se janë si një trup pa kokë. Po,si ka mundësi që një trup pa kokë të funksionojë kaq normal, qetësisht, pa dhunë, të organizojnë lëvizjet dhe përqendrimin, kaq të precizuar në kohë, në mendime e veprime? Ky unitet mendimi e veprimi i karakterizoi studentët edhe kur iu drejtuan me thirrjet refuzuese deputetit të djathtë…kur ai penetroi duke zbuluar veten me tymuese mes turmës dhe ata njëzëri thirrën: “Largohu nga ne! Jo dhunës! Largohu! Largohu!” Fakti që studentët nuk kanë dashur ta politizojnë protestën, tregon se ata janë të një mendimi dhe veprojnë unik, sikur të drejtoheshin nga një lider. A tregon kjo se studentët janë pa kokë drejtuese? Po kaq i admiruar ishte edhe zgjidhja operative e situatës konfliktuale me policinë, e cila kishte rrezik të degjeneronte…A nuk është ky një gjest për t’u krenuar me logjikën e ftohtë të bijve tanë? A kishte një NJËSH që i orientoi studentët se si të vepronin? Kushdo qoftë në pushtet, populli nuk do gjakderdhje. I kemi parë studentët të protestojnë dhe i kemi admiruar për menaxhimin e ligjëratave spontane, e fjalimeve pa letër, me:”Të lutemi z. kryeministër!”..dhe jemi ndjerë të keqardhur për ta. Me urdhër të kujt u bë kjo ndarje fakultetesh në pikat kyçe, po të mos kishin një drejtues? A është kjo është rastësi?

Megjithëse protesta studentore aktualisht është pa një lider, ajo ka treguar deri tani, se është e aftë të menaxhojë lumin e rrëmbyer studentor. Studentët po bëhen gjithnjë e më të dashur, më të komunikueshëm, por fakti që refuzojnë uljen me një përfaqësi dialoguese me qeverinë, mbetet i dyshimtë. Nuk jemi ne, por faktori ndërkombëtar ai që e rekomandon dialogun. Studentët e kanë kuptuar se populli nuk do dhunë e as sharje siç ndodh me klasën politike. Le të aludojmë për një moment se studentët e kanë një kokë drejtuese. Nëse është kështu, pse nuk “promovohet” ajo në krye të protestuesve dhe të flasë në emër të grupimit? Nëse nesër do të kemi një parti studentore, çfarë do të ndodhë me protestën dhe futjen në garën zgjedhore shumëpartiake? A do të jetë e besueshme si subjekt “Partia studentore”, kur, siç u shpreh studentja e mjekësisë “mbi gjysma e studentëve të mjekësisë, kur të mbarojnë studimet, e kanë ndarë mendjen për të shkuar në Gjermani?” Pavarësisht nga avantazhet apo disavantazhet,do të ishte një surprizë kombëtare krijimi i një partie studentore. Një gjë është e qartë: nëse studentët krijojnë një parti, ajo do t’ju hapë telashe partive ekzistuese. Partitë aktuale do të firojnë dhe një shumicë e popullit do t’i bashkohet “Partisë studentore”. Gjithsesi, tani jemi përpara një enigme. Koha është gjykatësi më i mirë. Le të presim…!