“Kongresi i Lushnjës si daulle”- Artan Fuga: Ne duam të funksionojë dallimi dhe mosbashkimet qeveri-opozitë

467
Sigal

Nga Artan Fuga

Kongresi i Lushnjës si daulle!

Historia ka vdekur, nuk jep mesazhe, mesazhet i nxjerrim ne sipas qejfit!

Si të bëjmë t’u themi që Kongresi i Lushnjës, që nga thellësia e historisë, nuk na jep ato mesazhe që ne duam të nxjerrim tani prej tij, a thua sikur ai të ishte gjyshi që na ka lënë të shkruar në defterkë mbyllur në sunduk, ndonjë testament me porositë e tij.

Historia nuk na jep asnjë mesazh. Ajo është zhdukur si realitet. Jeton si kujtesë ashtu sikurse ne duam t’a kujtojmë atë.

I ngjan një daulleje që nxjerr ato tinguj që duam ne të nxjerrim prej saj duke i rënë me shkop.

Sepse po thonë që Kongresi i Lushnjës na jepka mesazhe bashkimi midis politikanëve a thua se e dinte Kongresi i shkretë se do t’i binte përvjetori në ditët e Tryezës unanime për Kodin Zgjedhor.

A thua se ata që erdhën atje ishin politikanë partish politike!

E kuptojmë ne që problemi ynë nuk është bashkimi monolit në Frontin Demokratik, sepse asnjë coptim nuk kërcënon Shqipërinë nga Lidhja e Kombeve apo nga fuqitë e mëdha!!!

Ne sot kemi hallin si të funksionojë shteti dhe demokracia.

Ne nuk duam që partitë në pushtet, qeveri dhe opozitë, të bashkohen si grusht bashkuar rreth Komitetit Qendror me në krye Byronë Politike.

Ne duam që të veprojë qeveria si qeveri dhe opozita si opozitë, jo të bëhen bashkë kundër të gjitha partive të tjera, kundër forcave të reja politike, kundër qytetarit.

Nuk është bashkimi për të mbrojtur atdheun që Vlorën mos ja marrë Italia, apo Gjirokastrën Greqia, tani.

Prandaj t’i lemë gospelet me mesazhe bashkimi ndërkohë që atëhere dhe tani janë dy situata krejt të ndryshme.

Ne duam të funksionojë si duhet dallimi dhe mosbashkimet qeveri – opozitë.

Bashkimi si në rastin e Kongresit të Lushnjës, pastaj një resme e përbashkët, nuk është ky mesazhi.

Mos i jepni memecit, historisë, aftësinë për të folur sikurse duam sot. Se po të kishte qenë 100 vjetori në 30 qershor, do të kishim thënë se mesazhi është hajde t’i biem me koktejl molotov bashkisë të Lushnjës!!!

Kjo sigurisht pa i ulur asnjë thërrime vlerave të mëdha patriotike dhe shtetformuese të atij Kongresi!

Por, mjaft përvetësuat edhe historinë!