Konferenca e Bujanit për bashkimin e kombit shqiptar

2365
Sigal

Dr. Qemal LAME

Periudha e Luftës së Dytë Botërore, mbetet koha e marrjes së vendimeve historike në Luftën kundër nazi-fashizmit, ku shqiptarët u bashkuan me Aleancën e Madhe Antifashiste dhe realizuan çlirimin me forcat e tyre të Shqipërisë, kontribuan edhe në Kosovë e në Jugosllavi deri në Vishegrad, si dhe dëshmuan edhe vullnetin për bashkimin kombëtar.

Konferenca e Bujanit, e mbajtur më 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar 1944, është një nga ngjarjet madhore të periudhës së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku u dëshmua vullneti politik për realizimin e së drejtë së ligjshme të shqiptarëve për vetëvendosje dhe për bashkim e Kosovës me Shqipërinë. Konferenca e Bujanit bëri rikonfirmim i qëndrimit të shqiptarëve ndaj rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes, si dhe rezultat i mospërfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish Mbretërisë SKS, (Konferenca e Bujanit), e cila u mbajt pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes II të AVNOJ-it në Jajcë (29-30 nëntor 1943) dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi në KAÇKJ-së. Konferenca e Bujanit përfundoi punimet e saj me një rezolutë të miratuar unanimisht, ku thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është një anë, e cila popullohet në pjesën më të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndiejmë për detyrë ta vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e veta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshi i Dukagjinit, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë”.

Formulimi i këtij qëndrimi politik, mbështetej në vetë deklaratat e PKJ-së dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist. Në rezolutë theksohej se:

Lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist e rrogëtarëve të tij, është e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Garant për këtë është UNÇ i Jugosllavisë dhe UNÇSH i Shqipërisë, me të cilën është ngushtësisht e lidhur. Përveç këtyre, për këtë garantojnë aleatët tanë të mëdhenj, Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit). Është e domosdoshme të njihet e të mos harrohet fakti se vetë Tito është shprehur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

  1. Në vitin 1946, Udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito ka deklaruar për agjencinë amerikane “Associated Press”, se “Nëse komunistët vijnë në pushtet në Shqipëri, ajo (Kosova) mund të jetë nën juridiksionin e Tiranës.”
  2. Josip Broz Tito i ka premtuar Enver Hoxhës, në vitin 1946, se do t’i kthente Kosovën dhe territore të tjera shqiptare që ndodheshin në Federatën Jugosllave. “Kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha gjithmonë ka deklaruar publikisht se marshalli Tito i ka premtuar në fund të qershorit të vitit 1946, se Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do të jenë pjesë e Shqipërisë.
  3. Në bazë të të dhënave të publikuara më vonë, edhe dora e djathtë e Titos, Edvard Kardel, me rastin e vizitës së tij në Moskë, i kishte thënë Stalinit se Kosova do t’i jepet Shqipërisë, me luftën e tyre kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij.

Këto dëshmi janë të pasqyruara edhe në qëndrimet e mbajtura nga media jugosllave dhe ajo serbe. Ato janë komentuar si dëshmi për kritikën ndaj Titos dhe mbështetjen e politikës shoviniste serbe për pushtimin dhe ligjërimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Gazeta serbe “Pravda” shkruan se Tito, në vitin 1946 për pak sa nuk i ka “dhuruar” Hoxhës Kosovën dhe Metohinë, por edhe territore të tjera shqiptare. Pak e njohur është për botën, kur ish-udhëheqësi jugosllav kishte thënë hapur se: “Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë.” Konferenca dhe rezoluta e Bujanit, ruajnë me të drejtë vlerat historike si një ngjarje e rëndësishme nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në të cilën u shpreh e drejta e shqiptarëve për vetëvendosje dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ëndrra shumë shekullore e shqiptarëve për bashkim, u kthye në një dramë me epilogun tragjik të gjenocidit të shovinistëve serbë ndaj shqiptarëve, pushtimit të Kosovës dhe aneksimit të Shqipërisë si Republikë e shtatë e Jugosllavisë që dështoi vetëm në çastet e fundit për shkak të qëndrimit të kundër të Bashkimit Sovjetik. Është e nevojshme të vëmë në dukje, se në këtë dokument është reflektuar edhe mendimi politik dhe ideologjik në bazë të parimeve të internacionales komuniste, dominimit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë ndaj Partisë Komuniste të Shqipërisë, si dhe të përfundimeve të imponuar nga përfaqësuesit e komunistëve shqiptarë dhe ata jugosllavë. Kjo ngjarje e analizuara në dimensionin e kushteve politike të saj kohe dhe të periudhës së mëvonshme, evidenton edhe qëllimin që të pengojë realizimin e vullnetit për bashkimin kombëtar shqiptar në bazë edhe të parimeve demokratike, siç i parashihte edhe Karta e Atlantikut, për të cilën u angazhua NDSH-ja dhe forcat tjera nacionaliste që u çorganizuan dhe dështuan për shkak mbështetjes së pushtuesve dhe nga që u mungoi përkrahja konkrete e Perëndimit. Nacionalizmi shqiptar do luftohej për të ligjëruar terrorin e organizuar shtetëror nga Jugosllavia kundër shqiptarëve. Për këtë qëllim, në Konferencën e Prizrenit, më 10 korrik 1945, koncepti i “luftës së përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë”, u përdor të favorizuar forcat partizane jugosllave të depërtojnë në Kosovë. Me marrëveshjen e fshehtë midis Enver Hoxhës dhe Titos, në nëntor të vitit 1944, forcat ushtarake jugosllave shfrytëzuan rrethanat e krijuara me aleancën komuniste shqiptaro-jugosllave, vendosën regjimin e një shtetrrethimi dhe të gjendjes së luftës, dhe nën pretekstet e shfaqjes së “kundërrevolucionit”, ushtruan terrorin e gjenocidin për aneksimin e Kosovës, eliminuan të gjitha forcat patriotike që luftuan për bashkimin me Shqipërisë. Në Drenicë u vranë mijëra shqiptarë. Pranimi i së “drejtës për vetëvendosje” do të imponohej si një “deklarim për bashkim e Kosovës me Serbinë”! Formula ideologjike e bashkimit shqiptar, e inspiruar nga Konferenca e Bujanit, vazhdoi të shfaqej edhe në vitet gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë e deri vonë me kërkesën për Republikën e Kosovës. Legjitimiteti politik i pavarësisë dhe procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës, do të merrte rrugëzgjidhje me Luftën e Kosovës, më 1998, dhe do të përmbyllej me Deklaratën e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të Kosovës, më 17 shkurt 2008. Kujtojmë Konferencën e Bujanit, për të reflektuar në problemet madhore të bashkimit kombëtar dhe të vlerësimit të drejtë të situatave politike me të cilat përballen shqiptarët. Bashkimi i Shqiptarëve mbetet problemi themelor që kërkon zgjidhje nga politika shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe vlerësim e mbështetje nga partnerët strategjikë. Integrimi euro-atlantik mbetet orientimi strategjik për mbrojtjen e kombit dhe realizimin e vullnetit politik të së drejtës së vetëvendosjes e të bashkimit në shtetin e përbashkët, ashtu si edhe popujt e tjerë. Arritja e kësaj sfide, kërkohet të dëshmohet edhe në vështirësitë që ndeshen nga vazhdimësia e politikës shoviniste të Serbisë, imponimin e hapur ose të manipuluar me planet e fshehta për ndarjen e Kosovës, propagandës për të pranuar zgjidhje të dhimbshme e të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes historike midis shqiptarëve e serbëve.