Kol. Arshin Çela: Një emër i spikatur në studimet ushtarake

1011
Sigal

Ilmi S.Qazimi

 

Lindi në Gostenckë të rrethit Skrapar më 30.11.1946. Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare i kreu në Çepan. Mbasi mbaroi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”(1960–1964), Shkollën Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”(1964–1967), u titullua oficer dhe shërbeu në detyra të ndryshme në Tiranë e Pukë, deri instruktor për rininë në Drejtorinë Politike të ushtrisë shqiptare. Kreu me sukses studimet në shkollën e lartë të Partisë “V.I.Lenin” ku u emërua me detyrë pedagog po aty. Për këtë arsye e liruan nga ushtria dhe është riveshur përsëri me gradën e kolonelit. Kreu detyra të ndryshme si pedagog për filozofinë e sociologjinë në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (1978–1991), redaktor në Shtëpinë Botuese të Ushtrisë (1992–1994), shef i Degës Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes (1997–1999), pedagog në Akademinë e Mbrojtjes (1999–2000), këshilltar ligjor i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të të Republikës së Shqipërisë (2000–2003). Ka mbaruar Kolegjin Ushtarak pranë Akademisë se Mbrojtjes, Kursin e Lartë të Filozofisë, dhe tetë specializime në shtete të ndryshme si Amerikë, Itali etj. Ka kryer Universitetin e Tiranës, fakulteti juridik, dega drejtësi, ka punuar në studio avokatie si dhe pedagog në Universitetin Ushtarak, në Tiranë. Është dekoruar disa herë. Zotëronte gjuhët angleze e italiane dhe mbante titullin doktor i shkencave në sociologji dhe atë Profesor i asociuar.

Prof. kolonel Arshin Çela i përket plejadës së intelektualëve më të lartë të ushtrisë dhe sociologjisë për periudhën 1975-2013, që punuan pa u kursyer e me ndërgjegje e përkushtim për të realizuar detyrat e ngarkuara. Ai kishte figurë të pastër morale dhe rrezatonte mirësi, dashuri e humanizëm. Si pedagog, lëndët e tij më të preferuara kanë qenë Historia e partisë, Materializmi dialektik e historik, Historia e institucioneve, Teoria e shtetit, E drejta kushtetuese, E drejta ndërkombëtare publike, E drejta penale ushtarake etj. Zotëronte artin e komunikimit me studentët dhe me kompetencën shkencore e profesionale ka lënë gjurmë të pashlyera tek të gjithë ata që kanë marrë leksione apo kanë zhvilluar seminare me të. Ai ka qenë autor i disa zërave në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985, bashkautor në disa libra me karakter sociologjik e juridik dhe autor i librit monografik “Ushtria drejt NATO-s – viti 2010”. Njeri i etur për dije, me vullnet të fortë e me këmbëngulje të zilishme, ai arriti që në të gjitha punimet e tij, referatet, diskutimet, shkrimet publicistike, trajtesat ushtarake, juridike e sociologjike, artikujt në revista ushtarake e në median shqiptare të kohës, të pasqyrojë realitetet me objektivitet shkencor, stil analitik dhe udhërrëfyes. Ishte talent në punët me rininë, me aftësi të spikatura në marrëdhënie me të gjithë shtresat e komunitetit dhe tepër i thjeshtë me këdo e në çdo mjedis shoqëror. E donte pa kufi vendlindjen,njihte jo pak njerëz dhe dinte të bënte të mira për shumëkënd. Ishte tepër i preokupuar për mbarëvajtjen e fëmijëve, të njerëzve të familjes e të të gjithë fisit. Kujdes të veçantë Arshini tregoi për dy prindëritt e tij, Hatemin dhe Semikon. Por puna e Arshinit tonë të dashur nuk mund të kuptohet pa jetën e bashkëshortes së tij Luiza, e cila i ka qëndruar pranë dhe i ka qenë krah në tërë hapat e jetës si dhe fëmijëve. Ai ruante në kujtesë dhe respektonte pa masë të gjithë banorët e qyteteve dhe fshatrave ku banoi e punoi i ati ushtarak dhe vetë ai. Posaçërisht kishte respekt për banorët e Skraparit e, sidomos krahinës së Çepanit, që pati njohur kur ishte fëmijë. Në shkollën e atij fshati, ashtu si dhe në të gjitha shkollat e tjera, ai arriti rezultate të shkëlqyera. Me rastin e 100-vjetorit të asaj shkolle Arshinit iu dha Certifikata “Nxënës i spikatur i shekullit”. Arshin H. Çela u nda nga jeta papritur prej një sëmundjeje të rëndë, më 25 prill 2013. Për të gjithë kontributin e tij, gjurmët e shkëlqyera që ka lënë kudo, Arshin Hatem Çela, njeriu, studiuesi shkencor, pedagogu, shoku dhe ushtaraku i devotshëm, figurë e mirënjohur e Skraparit dhe e shkencës ushtarake shqiptare,do të mbetet kurdoherë midis nesh.