Sigal

Jakup B. GJOÇA

Bashkia e Vlorës mund të ketë bërë mirë që ka ndërprerë kontratën e dhënies të vendeve të parkimit, kompanisë në fjalë, por, e ka detyrim ligjor, që Bashkia e Vlorës të bëjë publike arsyet pse e ndërpret kontratën. Nëse Bashkia e Vlorës hesht, mund të mendojmë se nuk ka arsye kaq të forta ligjore, ndaj edhe av. Cakrani mund të ketë të drejtë në dyshimet që hedh për korrupsion. Problemi është: Përse Bashkia e Vlorës, por edhe bashkitë e tjera nuk ndërpresin koncesionet dhe tenderët, në të gjitha rastet kur koncesionari nuk përmbush detyrimet kontraktore? Më tej. Përse qeveria nuk ndërpret koncesionet dhe tenderët, kur koncesionarët nuk përmbushin detyrimet kontraktore, apo koncesionet nuk janë investime publike, por thjesht janë dhënë për të zhvatur paratë publike? A do të ndërpresë qeveria shqiptare koncesionet e shëndetësisë publike, që ia ka dhënë kompanisë “INSO” e cila falimentoi në Itali, së cilës qeveria italiane i heq licencën, për përgjegjësitë e katastrofës së urën në Genova? Po me koncesionet e tjera në Shëndetësi, në chek-up, për të cilën, koncesionari nuk ka bërë asnjë investim, nuk ka punësuar, por, përkundrazi, paguhet edhe për analizat e pakryera? Por për koncesionet e tjera, të përfolura, si jo transparente, si ato të Doganës, të dhënies të ngjyrimeve të karburantit, kur në fakt, në treg tregtohet karburant i cilësisë së keqe, etj? Qeveria në 2006 ndërpreu kontratën e koncesionit të hekurudhave, por taksapaguesit paguan 40 milionë euro, siç paguan edhe 100 milionë euro nga ndërprerja e koncesionit të CEZ. Milionat euro, të kontratave të ndërprera pa të drejtë, por edhe milionat euro të koncesioneve që paguhen pa bërë punë, investime shërbime, duhet t’i paguajnë zyrtarët dhe jo taksapaguesit shqiptarë.