Kambanat po bien

235

Ardit Gjinali, Këshilltar pranë Sekretariatit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD

 Zhvillimet e javëve të fundit kanë qenë në një dinamikë negative për sa i përket interesit të Shqipërisë dhe raportit të saj me partnerët ndërkombëtarë. Vendimi i Parlamentit Holandez për të vendosur sërish regjimin e vizave me Shqipërinë është një kambanë alarmi që duhet të shqetësonte çdo qeveri normale. Ishte një vendim i miratuar në shumicë nga parti të koalicionit qeverisës dhe jo vetëm; në fakt ishin plot 10 parti pjesë e Parlamentit të Holandës që morën këtë vendim vetëm për Shqipërinë.

“5 vitet e fundit kanë qenë vite të një hezitimi Evropian për zgjerimin në një plan optimist dhe skeptik në planin më pesimist”. Ky fakt do të ishte mbrojtja më e mire për të gjithë avoketërit e kësaj qeverie që do të justifikonin ngecjen në avancimin e Integrimit të Shqipërisë tash e 5 vite kur me kushtet e përmbushura nga qeverisja e Partisë Demokratike dhe me konsensusin e saj në opozitë, Shqipëria arriti të merrte statusin e vendit kandidat në BE , më Qershor 2014.

Pas kësaj arritje që në fakt duket e largët në kohë (shuuuumë më e largët se distanca reale kohore) dhe prej skandaleve intensive të ansamblit “Rilindja e tepsisë”, Shqipëria ka njohur vetëm hapa prapa në proceset integruese. Hapja e negociatave po duket si “ëndrra” e bukur e çdo stine e servirur plot larmi mavi nga ana e Krye-Kreut, i cili ndan dhe dekorata, vetëm për të materializuar propagandën Gebelsiane karshi publikut në versionin e saj më banal. Padyshim, kemi parë një propaganda qeveritare e cila pasi ka arritur suksesshëm të fusë dorën në xhepin e çdo shqiptari , tani po “luan” çdo vit me vokacionin perëndimor të çdo qytetari të painformuar mbi kompleksitetin e proceseve integruese.

Përmbushja e standarteve integruese nuk është shëtitja 1 mujore nëpër Shqipëri duke folur për tepsi, timon, barsoleta bajate dhe duke shkelur syrin a thua që procesi i integrimit është flirti i rradhës njerëzor që ndjen kushdo në jetën e tij të përditshme.

Përmbushja e standardeve integruese nuk është papërgjegjshmëria e paraqitur si përgjegjshmëri; shteti i kapur i paraqitur si shteti i së drejtës; “nëntoka” e paraqitur si “elitë politike”; zgjedhjet e vjedhura të paraqitura si spektakël i demokracisë; kapja e institucioneve kushtetuese të pavarura e paraqitur si balancë pushtetesh; mbrojtja politike ndaj njerëzve me pushtet e paraqitur si drejtësia e pavarur që po bën punën e saj; vetingu selektiv në drejtësi i paraqitur si reforma më e suksesshme në drejtësi ; emërimet nepotiko-politike të paraqitura si konkurse për administratën; korrupsioni “mbi dhe nën dorë” i paraqitur si lehtësim i procedurave në administratë; policia e gazit lotsjellës ndaj çdo qytetari të pafajshëm e paraqitur si policia që duam; borxhi ekonomik në rritje i paraqitur si rritje ekonomike.

Kjo është qeveria e cila ka bazuar retorikën e saj në “sikur dhe do të…” Asnjë bilanc, asnjë arritje, asnjë element i prekshëm që ka impakt pozitivi në jetën e çdo shqiptari të thjeshtë. Vetëm fjalë, premtime të reja mbi premtimet e para të pa mbajtura vetëm retorikë dhe asnjë punë por asnjë. Vetëm sajesa, montime, regji e gatshme për të fiksuar dhe shpërndarë batutën e radhës të Krye/timonierit që drejton një “makinë” qeveritare e cila po shkon në drejtimin e kundërt me vokacionin dhe aspiratën perëndimore të Shqiptarëve.

Përmbushja e hapave të Proceseve Integruese do të thotë punë, përgjegjshmëri, shtet ligjor, zgjedhje të lira, media e lirë, drejtësi e pavarur, ekonomi e qëndrueshme, por mbi të gjitha do të thotë vizion për vendin tënd.

Vota e Parlamentit Holandez është kambana për çdo qenie politike në mazhorancë që të dëgjojë një mesazh që ka tejkaluar aspektin diplomatik dhe ka kaluar në një veprim të forte politik. Ansambli “ Rilindja e Tepsisë” duhet të ketë veshë për të dëgjuar mesazhet politike të cilët po bëhen gjithnjë e më të qartë. Në fund të ditës, procesi i negociatave është një “provim” që çdo vend duhet të ushtrojë dhe performimi pozitiv sjell procesin final të përmbushjes së hapave euro-integruese. Pra, partnerët ndërkombëtarë nuk po pranojnë që “Shqipëria” e përfaqësuar nga ansambli “ Rilindja e Tepsisë” të marrë të drejtën për të qenë pjesë e këtij provimi pavarësisht performimit që mund të ketë vendi.

Duhet të pranojmë që vendi ynë të nëpërkëmbet dhe të renditet si “jo i denjë” për të qenë pjesë e familjes Evropiane për shkak të të gjitha fenomeneve korruptive që kanë nxirë faqen e vendit gjatë këtyre 5 viteve?

JO! Reagimi është forma më e mirë për të nxitur një ndryshim esencial në këtë vend. Nuk është koha për të ikur, por për të qëndruar! Shqiptarët nuk duhet të largohen, por duhet të largohet një qeveri “ngelësish” në përmbushjen e çdo detyrimi politik dhe institucional. Duhet të largohet një “qeveri me veshë të dyllosur nga arroganca që nuk dëgjon që kambanat bien për të”. Secili prej nesh duhet të jetë një zë më shumë pasi çdo kauzë është zëri që duhet të bëjë këtë qeveri të dëgjojë.

Sot është dita, nesër do të jetë vonë! Kambanat po bien.