Ju lutem studentëve protestues…!

556
Sigal

Nga Miltiadh M. Muçi

Do ta nis shkrimin nga titulli i tij. Ju lutem studentëve,,, të ruajnë frymën e protestës me kërkesa ekonomike dhe jo vetëm, por edhe sociale për kushte të domosdoshme shumë më të mira, për të studiuar dhe jetuar si shokët e tyre evropianë. Gjashtë muaj më parë në shkrimin “Rruga e Kombit dhe bashkëqeverisja me qytetarët”, në gazetën “Telegraf” e fillova: “Tashmë shqiptarët kanë nisur të ndërgjegjësohen, të dinë si të protestojnë dhe këtë e tregojnë ngjarjet më të fundit të banorëve të Kukësit, Hasit e Tropojës, edhe pse është vetëm fillimi”. Ishte një protestë si asnjëherë qytetare, e organizuar nga qytetarët. Dhe vërtetë ajo nuk ishte vetëm e banorëve veriorë, por dhe të qytetarëve të krahinave të tjera të vendit dhe Kosovës, sepse tarifat e vendosura në mënyrë arbitrare preknin të gjithë shqiptarët. Pas zgjedhjeve të 2016-ës, qeveria Rama është bërë më arbitrare, edhe pse ka propaganduar me sloganin e “bashkëqeverisjes”, që në themel të saj ka dëgjimin dhe respektimin e zërit të qytetarit, të cilin pushtetarët e të gjitha qeverive asnjëherë nuk e kanë pasur parasysh. Një javë më parë, dhe pse e ndjeja prej kohësh, në këtë gazetë, më 4 dhjetor botova shkrimin “Bashkëqeverisja – Demagogjia më e fundit e Ramës”, ku midis të tjerash them, se në këto zgjedhje Kryeministri Rama i kërkoi elektoratit të bashkëqeverisnin, për të ndërtuar “Shqipërinë që duam”. Në propagandën e tij ai bëri thirrje që tepsinë, pra pushtetin, të mos e ndante me parti të tjera dhe kjo do t’i jepte mundësinë, që timonin e makinës të mos e kishte me asnjë nga partitë e tjera. Elektorati shpresoi shumë në këtë logo, ndërsa nisi të zhgënjehej si asnjëherë.

Pasi prej kohësh e kishte vrarë mendjen e ”dhelprës”, Rama për të shmangur letrat e pa fundme, gjeti dhe zgjidhjen, si mund të “bashkëbisedonte” me qytetarët. Shpiku portalin për “Shqipërinë që duam” dhe mesazhet t’i lexonte në rrugëtimet me Benzin qe dikush tjetër ia drejton timonin. Por shumë shpejt qytetarët u bindën, se ishte demagogjia me e fundit e Ramës, prandaj si mund ta besojnë që me timonin e tij i rrezikon? Dhe reagimin më të fundit nisën ta demonstrojnë studentët me protestat e tyre, për t’u plotësuar tetë kërkesa të pa negociueshme. Ata po e tronditin fortë qeverinë, që kërkon të negociojë pikërisht për shumë nga këto kërkesa që studentët i shtruan në vitet ’14-‘15, kur u vendos dhe jo u votua ligji për arsimin e lartë me aktet normativë të tij. Nuk u bashkëbisedua, përkundrazi me mospërfillje u nëpërkëmbën, disa u dënuan nga drejtësia shërbyese e pushtetarëve dhe politikanëve, sepse kundërshtuan pushtetin arbitrar. Të gjithë i kemi parë ato skena kur shokë të tyre qëlluan me sende benzin e kryeministrit, ndërsa një nga studentet përdori bojën për të ngjyrosur flokët e bardhë të ministres së sotme Nikolla. Prandaj studentët kanë shumë të drejtë të mos negociojnë, për sa kohë Rama vazhdon si “dhelpra” të mendojë kur ju drejtohet, se “… i dëgjon dhe i mbështet, bile do të donte të ishte edhe një herë si ata”, studentë por njëkohësisht ju bën thirrje me sloganin e tij të “bashkëqeverisjes” për “bashkëbisedim“. Ata, nëse vërtetë janë të bindur për domosdoshmërinë e plotësimit të tetë kërkesave dhe, jo vetëm, kurrsesi nuk duhet t’i ndërpresin protestat, t’i vazhdojnë të pandikuar jo vetëm nga krahët e ndryshëm të politikës, por as nga mediat e ndodhura pranë tyre. Ata nuk duhet të dëgjojnë as ishat apo krerë të shtetit, bashkëpunëtori i politikaneve dhe pushtetarëve të dalë pas ’90-s, të cilët i tradhtuan idealet e protestuesve të 8 Dhjetorit 1990, dhe në 28 vjet qëndrojnë në pushtet, duke zëvendësuar njëri-tjetrin me zgjedhje jo demokratike, të vjedhura dhe manipuluara. Prandaj, me këtë shkrim ju lutem studentëve protestues, në kërkesat e tjera të marrin përsipër edhe ndryshimet në ligjin e ri zgjedhor, për t’iu mbyllur çdo mundësi vjedhjeve dhe manipulimeve. Zgjedhjet, sikur dhe ato të fundit të qershorit 2019, janë themeli i demokracisë në interes të të gjithëve dhe aspak të atyre që zgjidhen dhe partive që përfaqësojnë. Studentët ekselentë dhe pedagogët më të mirë, jo partiakë dhe të pa korruptuar të bëhen pjesë e ndryshimeve të vonuara, që priten të bëhen në Kodin Zgjedhor. Kjo nuk është kërkesë politike, por kushtetuese për elektoratin. Në nenin 68. thuhet se, kandidatët mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”. Por ka ndodhur ndonjëherë që kandidati të dalë nga zgjedhësit. Po kështu në nenin 70 thuhet se, “Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”, por kush ka qenë ai deputet që ka përfaqësuar qytetarët e një rrethi, veçse partinë qe e ka paraqitur për kandidat. Nuk mund të ndodhë ndryshe as për kandidatët e zgjedhjeve vendore. Kjo nisëm duhet marrë për të shporrur këtë klasë politike hajdutësh, 30 vjeçare.