Jo hidrocentrale në Lumin e Vlorës!

1375
Sigal

Albert HABAZAJ

Kryetarët e fshatrave kërkesë drejtuar kryeministrit Rama: Jemi kundër ndërtimit të kaskadës së HEC-eve mbi lumin Shushica

Përnjohje fizike

Treva e Lumit të Vlorës ose lugina e Lumit të Bardhë, sipas studiuesve, karakterizohet nga një trashëgimi komplekse arkeologjike, historike, etnografike, folklorike, biozoologjike, gjeologjike e gjuhësore, që jetojnë dhe ndërtojnë ekonominë e tyre sidomos me punët e bujqësisë në fushë e fushëza, veçmas me blegtori në mal e vërrì, pjesërisht me frutikulturë, vreshtari e bletarì. Lumi i Vlorës, ose Lumi i Bardhë quhet ndryshe lumi i Shushicës, (emërtim mbetur nga sllavishtja, që do të thotë lumë i shpejtë; Polianthes në antikitet), është degë e Vjosës, rrjedh në Jug-Perëndim të Qarkut të Vlorës, nëpër luginën me të njëjtin emër. Ka gjatësi 81.6 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 715 km², lartësi mesatare 540 m dhe rënie 14 m/km. fillon në qafën e Dërrasës, në afërsi të fshatit Kuç, ku ndahet nga lumi i Borshit. Pak më poshtë në të bashkohet përroi i thatë Shuri i Kuçe, shtrati i të cilit është i mbushur me çakëll e zaje të trasha dhe ka ujë vetëm kur bien rrebeshe shiu. Ushqimi kryesor i lumit janë burimet e mëdha karstike të njohura me emrin Buronjat e Kuçe, poshtë fshatit Kuç, që i sigurojnë Shushicës rrjedhje të përhershme. Rrjedha e tij ndjek luginën ndërmjet vargjeve malore Kurvelesh-Gribë dhe Çikë-Lungarë. Degët kryesore janë në krahun e djathtë: përroi i Smokthinës, i Vajzës dhe i Vllahinës dhe nga e majta përroi i Vranishtit, që burimin kryesor e ka në Shëngjergj të Tërbaçit, nëpërmjet përroit të Kaurit, që në dimër bëhet lumë. Deri në Brataj ka shtrat të ngushtë të thellë. Më poshtë deri në Drashovicë, rrjedh në një shtrat të gjerë deri 80-120 m e me brigje të larta. Poshtë Drashovicës deri në bashkimin me Vjosën në Beshisht, endet në një shtrat të gjerë deri 250 m. Ka një prurje mesatare 19,8 m³/sek (në Drashovicë). Ujërat e përroit të Smokthinës shfrytëzohen edhe për HEC-in e Smokthinës në Lepeninë, qysh nga viti 1976. [Për më tepër shih: Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008, vëll.2, f. 916-917, zëri përgatitur nga L. Trola, si dhe FESH, vëll. 3, 2009, f. 2645-2646, zëri përgatitur R. Saraçi). Për kombin, Lumi i Vlorës është një lumë me histori. Për etnokulturën – madem floriri. Për banorët është burimi i jetës, sepse përdoret për si ujë i pijshëm e për ujitje, ka një florë mahnitëse dhe faunë të mrekullueshme, është rregullator i atij ekosistemi natyror me bukuri magjepsëse. Për banorët Lumit të Vlorës, për ata njerëz të urtë, të thjeshtë, fisnikë me vlera morale dhe virtyte të larta, Shushica është drita e syrit të natyrës, që Zoti u ka falur, “që kur jeta është zënë” këtyre hënave për 100 fshatra dhe 60 mijë banorë të kësaj krahine emërdëgjuar. Lumin banorët e kanë si djalë të vetëm, me të kanë lidhur jetën, bujqësinë dhe blegtorinë që mbarështojnë, mirëqenien e tyre, pa ia shtrirë dorën kujt si lypsarë, por rrojnë e punojnë duke përballuar vështirësitë me dinjitet dhe pa i rënë në qafë kujt. Lumi i Vlorës është quajtur: “Lumë i bekuar”, sepse ka ujë të shëndetshëm për njeriun, për florën dhe faunën e pasur, për ujitjen e fushave e tokave të mbjella me drithëra, pemë e perime, për gjënë e gjallë, për të pirë ujë nga burimet e atij lumi e të të bëhet shëndet. Shushica rrit një lloj peshku unikal, që banorët i thonë Pestrovë dhe një lloj ngjale lumi aq e shijshme, sa që banorët e atjeshëm dhe miqtë e mirëpritur ia dinë shijen e vlerën. Për pellgun dhe krahinën e Lumit të Vlorës kanë kryer studime dhe kanë realizuar botime monografike apo artikuj shkencorë me vlera mjaft autorë të fushave të ndryshme. Ndër autorët e huaj po përmendim dijetarin Fransua Pukëvil [F.C.H.L. Pouqueville] 1826), albanologun Johann Georg von Hahn (1850), studiuesin E. Izambert (1861), gjeografin G. Kora (1875), botanistin Antonio Baldaçi (1894), gjeologun Nowack, Louis Herbert, Justin Godart, Gerard Patzel, arkeologët P. Treger, K. Paç [Carl Ludwig Patsch], L. M. Ugolinin, Kardinin, historianin Karlo Bonari etj. Ndër autorët shqiptarë kanë dhënë ndihmesë të vyer arkeologët, atë e bir Hasan Ceka (i pari arkeolog shqiptar) e Prof. Neritan Ceka, Burhan Dautaj e Akademik Myzafer Korkuti, gjeografët Prof.Dr. Farudin Krutaj, Prof.Dr. Nasip Meçaj, Prof. Dr. Mevlan Kabo, studiues të shkencave humane si Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, gjuhëtarë e albanologë si Akademikë Eqerem Çabej e Shaban Demiraj, Prof. Dr. Rami Memushaj, etnologë si Rrok Zojzi, Prof. Zihni Sako e Qemal Haxhihasani, Akademik Mark Tirta apo Prof. Nebi Bardhoshi, gjeologë si Prof. Shyqyri Aliaj, Prof.As. Begë Canaj e Halo Habazaj, paleontologë si Prof.As. Luan Hasanaj, historianë si Prof. Skënder Anamali, Prof.As. Aleks Trushaj, biologë si Akademik Teki Tartari e Prof.As. Hajdar Kiçaj, agronomë si Prof. Ago Nezha, Dr. Mëno Gjoleka, studiues si Bardho Hysenaj apo inxhinierët hidroteknikë Prof. Ramazan Saraçi e Prof. Luan Trola etj.

Vizioni i Gjelbër

Në qoftë se Lumi i Vjosës konsiderohet sot si Zemra Blu e Shqipërisë, (jo thjesht në kuptimin metaforik, por si pasqyrim i blusë së kthjellët qiellore në ujin e pastër të Lumit) si pjesë e Ballkanit, si Evropë Jugperëndimore, për gjendjen natyrore të ruajtur më mirë se pjesa tjetër e pellgjeve të lumenjve të vendit, për larminë e habitateve dhe të llojeve bimore dhe shtazore që strehojnë, Lumi i Vlorës është Zemra e Bardhë e Labërisë së Vlorës, i dobishëm, si ai, për banorët e tri bashkive të Himarës, Selenicës dhe Vlorës. Kjo gjendje është pozitive dhe ne duhet të diskutojmë e të hedhim ide për ta bërë edhe më shumë pozitive Vjosën, më të mirë, më të bukur e të dobishme për komunitetin që mban, që furnizon me ujë, që jetëson e ushqen. Është vërtet fat që ky lumë deri më sot është ruajtur në gjendjen e tij më të mirë natyrale dhe, në fakt, përbën një pasuri jo vetëm lokale, por kombëtare, e, bashkë me Vjosën, gjykojmë se meriton të ketë një status të veçantë si Park Kombëtar. Organizma joqeveritare mjedisore me emër, sidomos Green Vision/ Vizioni i Gjelbër apo dhe SEEP, Shoqata e Bujqësisë Organike, Edukimi Social dhe Mbrojtja e Mjedisit, Eko-lëvizja, Agjencia Kombëtare e Mjedisit etj., kanë ndjekur nga afër dhe kanë mbështetur në gjithë këtë periudhë tranzicioni për vlerësimin dhe mbrojtjen e natyrës, të biodiversitetit të Shushicës (Lumi i Vlorës), duke bashkëpunuar veçmas me komunitetin e Lumit, por edhe edhe me organizma qeveritare dhe joqeveritare në rajonin e pellgut të Shushicës apo dhe me Tiranën vertikale. Banorët tanë duan një Shushicë të veshur me gjelbërim fisnikërues, argëtues, që të na sjellë përherë e më shumë dobi, duke e shndërruar Lumin në një luginë mrekullore bio, aktraktive, turistike, në shtrat të vetë. Është një këngë e vjetër këtej nga viset tona jugore, që këndohet dhe sot e kësaj dite. Ndër të tjera, po citojmë vetëm dy vargje: “Farën që s’është jona,/ toka jonë s’e rrit…”. Apo të ecim më tej me vizionin e ri, kujtojmë një fjalë e urtë popullore që thotë: “Gjella me kripë e kripa me karar”. Cili është nënteksti? Është ndërtuar një hidrocentral në Lumin e Vlorës, edhe pse HEC-et nuk janë farë për t’u mbjellë në pellgun e Shushicës. I bën dëm, e shpërfytyron, e tjetërson, dhe, kur tregohesh barbar me natyrën, qoftë edhe për shfrytëzim hidroenergjetik, ajo nuk ta fal prishjen e ekuilibrit që i shkakton. Na e ka falur Zoti kështu Lumin e Bardhë, le ta gëzojmë e ta shijojmë me tërë ato visare natyrore, me tërë atë florë e faunë të pasur e të veçantë, që e i jep Shushicës tonë nurin e një nuseje të bukur, hijerëndë e fisnike. Mbaroi dhe loti i parë deri tek ura e Gjormit dhe është në tenderim loti i dytë deri në Kuç. Shumë mirë. Më në fund të fillimit…

Çfarë po dëgjojmë? Duan të bëjnë hidrocentrale përgjatë Lumit…?!

Janë planifikuar e synohet të ndërtohen diga të reja hidrocentralesh. Ndërkohë, nga përvoja e fqinjit jugor, shohim se në pjesën e sipërme të Vjosës, që buron nga vargmalet e Pindit (Greqi) Qeveria Greke ka planifikuar aplikimin e një Plani Menaxhimi që ka për qëllim devijimin e rreth 70 milionë m³/vit drejt lumit Kalamas për qëllime ujitjeje. Ndërtimi i digave në Shushicë, apo qoftë edhe i vetëm njërës prej tyre, do të shkatërronte vlerat ekologjike të lumit të Vlorës. Këto ndërhyrje do të ndryshonin tërësisht regjimin e saj hidrologjik dhe do të pengonin transportin natyror të sedimenteve, forcës fillestare që u jep formë shumë proceseve dinamike dhe morfologjike.

Çfarë duhet të bëjmë?

Vlora, Labëria e Vlorës, Labëria si krahinë etnografike, Shqipëria në vetvete është një vend me diell, aq më tepër Lumit të Vlorës, Zoti ia ka falur me bujari të madhe diellin, kështu që specialistët tanë mund e duhet të kenë një laps më të mprehtë e më ekonomik në studimin e tyre të vyer për shfrytëzimin e energjisë diellore në dobi të komunitetit; të bëjnë atë që është më e dobishme për banorët, jo atë që u intereson disa personave të veçantë, kushdo qofshin dhe ngado qofshin ata. Me të drejtë dhe shtypi i shkruar dhe mediat vizive ngrenë shqetësimin e drejtë qytetar për Shushicën e bukur, plot margaritarë nga bota bimore dhe nga bota e kafshëve, për Shushicën e panjohur, që e cilësojnë si një nga Perlat e egra të Shqipërizës sonë, për Shushicën e kërcënuar. Me të drejtë bëjnë apel: Të shpëtojmë Shushicën – zemrën e bardhë të natyrës shqiptare! Ne duhet ta dëgjojmë, ne duhet ta mbështesim këtë zë të drejtë; ne duhet ta themi fjalën tonë në kohën e duhur, në vendin e duhur me forcën e duhur. Sot është vonë, por ndoshta, më mirë vonë se kurrë, që nesër, kur të ndodhemi para fakteve negative, nga devijimi artificial i panevojshëm i misionit human lumor të Shushicës e që mund të sjellë shkatërrime fatale e katastrofa natyrore, mos të themi: “Bobo! Ç’bëmë?!” Kërcënimi aktual më i madh për Lumin është ndërtimi i HEC – eve.

Nesër do të lexoni

-Kërkesa e plotë e kryetarëve të fshatrave të lumit të Vlorës drejtuar Kryeministrit Rama

-Peticioni kundër ndërtimit të HEC-ve

-Shqetësimi i banorëve të zonës

Vijon