Sigal

Prof. Zamira Çavo

Nisur nga deklaratat e fundit të krerëve të opozitës e duke analizuar situatën e sotme politike them se :

1- Thirrjet e opozitës për protesta popullore janë tashmë të pabesueshme. Gati çdo javë për mbi dy vjet e dëgjojmë këtë deklaratë.

2- Populli është i gatshëm të ngrihet në protestë për pabarazinë, kundër korrupsionit, për varfërinë. Por as Basha e as Monika nuk kanë pikën e moralit për të folur rreth këtyre plagëve, pasi janë ata vetë që kanë dhënë kontribut maksimal për varfërinë, e korrupsionin në kurrizin e popullit.

3- Protesta e të rinjve studentorë, është pothuaj e pamundur të shndërrohet në protestë të opozitës , pasi flamuri i protestës së të rinjve është “Larg kësaj politike të ndyrë”. Opozita nuk mund ta ketë këtë protestë kalin e saj të betejës!

4- Media me trajtimet që i bën politikës, me nxitjen e gjuhës së urrejtjes dhe thellimit të dasive politike, ka shkaktuar konfuzion të madh tek njerëzit, duke vënë në dyshim edhe disa të vërteta që ajo ka thënë. Kjo bën që në tërësi një pjesë e mirë e njerëzve t’i besojnë akoma Edi Ramës.

5- -Dalja e Sali Berishës dje në foltoren e parlamentit dhe thirrjet e tij histerike, por dëshpëruese, më shumë i prishin punë opozitës se sa Edi Ramës.

6- Faktori ndërkombëtarë nuk mund të mbështesë në asnjë rast dhunën verbale, apo fizike dhe veçanërisht nuk mund të mbështesë thirrjet histerike për ta rrëzuar me dhunë Ramën.

7- Edi Ramën do ta rrëzojë egua e tij personale e sëmurë, do ta rrëzojë arroganca e tij ndaj njerëzve, do ta rrëzojë politika e tij thelbësisht e djathtë në favor të klientelës dhe biznesit klientelist. Me pak fjalë Edi Ramën mund ta rrëzojë vetëm PS-ja. Është ajo që ka ardhur në pushtet me votat e popullit dhe është sërish ajo që është përgjegjëse për përfaqësuesin e saj në qeverisje.

8- PS-ja e rrënuar në organizimin e saj e ka të domosdoshme të rishikojë të gjithë politikën e strukturave të veta dhe me siguri nuk do mbetet më peng i një individi, qoftë ai dhe Edi Rama.

9- Pavarësisht se bashkëpunëtorët e tij të larguar nga drejtimi duken “ok” me vendimin e kryeministrit sërish ata tashmë janë shndërruar në kundërshtarë të heshtur të tij. Këta i janë shtuar grupit të socialistëve të pakënaqur që tashmë sa vijnë e shtohen në radhët e PS-së.

10- PS-ja nuk ka rrugë tjetër për të mbajtur pushtetin përvese ë riorganizohet brenda vetes për t’i dhënë fund autoritetit të “njëshit” dhe për të rifituar besimin e njerëzve.