Inxh. Myfit Guxholli: 75-vjetori i Divizionit të Parë Sulmues, dëshmorët dhe epopeja e lavdishme e LANÇ

820
Sigal

75-vjetori i Divizionit të Parë Sulmues të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë

LANÇ, Epopeja e lavdishme e popullit tonë në luftërat për pavarësi e liri 

Ing. Myfit Guxholli

Nën kryetar i OBVL, ish-partizan i Brigadës IV Sulmuese, pjesmarrës në çlirimin e Tiranës

 

 

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UANÇ dhe të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar, më 28 maj 1944 u krijua Divizioni i Parë Sulmues i UANÇ. Kjo ishte një ngjarje e veçantë sepse ky vendim tregonte që lufta e popullit shqiptar po zgjerohej më tej dhe ishte alarm i madh për pushtuesit fashistë dhe kolaboracionistët e tyre. Organizimi i Divizionit ishte një gëzim i madh për popullin tone dhe një vendim i drejtë dhe parimor i Shtabit të Përgjithshëm të UANÇ dhe një zbatim krijues në çështjet strategjike, politike dhe ushtarake në përgjithësi dhe të luftës së armatosur në veçanti. Duke ju përshtatur luftës partizane “sulmo dhe tërhiqu” kur armiku është me forca dhe armatim superior, organizimi shënoi një etape të re në forcimin e mëtejshëm të UANÇ që ishte një ashpërsim i vazhdueshëm i luftës kundër pushtuesve fashistë dhe i pjesëmarrjes gjithnjë e më të madhe të rinisë, të rejave dhe popullit tonë në këtë luftë çlirimtare. Organizimi i Divizionit të Parë si njësia më e madhe ushtarake për atë kohë, luajti një rol kryesor në përmbushjen e detyrave të mëdha historike që shtronte gjendja e krijuar. Shtabi i Përgjithshëm shfrytëzoi me mjeshtëri rrethanat objektive që ishin krijuar për forcat naziste, disfatë pas disfate dhe krijimi i Divizionit të Parë i çorientoi dhe trembi forcat armike. Në këtë rast forcat naziste vendosën të kryenin një operacion të ri, i cili u quajt Operacioni i Qershorit 1944 për të ndalur hovin e madh që kishte Lufta ANÇL dhe UANÇ. Prandaj Shtabi i Përgjithshëm lëshoi direktivën që armiku të goditet në të gjitha drejtimet, duke mos i lënë të përqendrohet vetëm me forcat e Divizionit të Parë Sulmues, por të goditen njësitë që lëvizin nëpër të gjitha rrugët Greqi-Shqipëri dhe në të gjithë drejtimet e tjera rrugore si Korçë, Gjirokastër, Përmet etj.

Qëllimi i operacionit të armikut ishte që me forcat e ardhura në mbështetje të atyre që ishin në Shqipëri, Divizioni 297 i tyre të sulmonte në drejtimet Elbasan-Korçë dhe Elbasan-Berat. Kurse Divizioni 105 që hyri nga toka Greke të futej menjëherë në veprim në drejtimet Korçë – Përmet – Gjirokastër. Me këtë operacion, armiku synonte të bllokonte forcat partizane në Shqipërinë e Jugut me veprime luftarake koncentrike, të kryera në etapa të ndryshme, pasi të shtrëngonte me një dare të fuqishme në zonën e Kurveleshit e të bregdetit, t’i ndante pjesë pjesë dhe t’i asgjësonte. Për të realizuar këtë plan, forcat armike futen në veprim forcat e divizionit 104 të cilat hynë nga toka Greke në drejtim të Korçës, Përmetit dhe Gjirokastrës. Së bashku me forcat armike morën pjesë dhe kolaboracionistët. Pagëzimi i forcave të Divizionit të Parë Sulmues u bë në zjarrin e luftës. Ata përballuan me sukses Operacionin e Qershorit në një zonë të ngushtë ndërmjet krahinave të Tomorricës, Sulovës dhe Mokrës. Luftimet e Divizionit të Parë Sulmues në këtë zonë të ngushtë përbëjnë fazën e parë të veprimtarisë së tij të shkëlqyer kundër armikut, të cilët u përpoqën ta rrethonin dhe asgjësonin. Armiku duke parë rrezikun që përbënte forca partizane e Divizionit të Parë Sulmues u mundua që të mos i lejonte këto të fundit të kalonin në veprime luftarake mësymëse. Mirëpo këto forca kishin marrë urdhër, më 1 Qershor të 1944-s që me luftime të kalonin në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut dhe të goditnin armikun pa mëshirë, të bllokonin rrugët e komunikacionit të tij, të likuidonin bandat që vepronin në ndihmë të okupatoreve dhe qeverise kuislinge, të spastronin zonat e Çermenikës, rrethit të Tiranës, Matit e Dibrës dhe të organizonin me to pushtetin Nacional- çlirimtar, të mobilizonin popullin në luftë dhe të mëkëmbnin njësitet partizane që ishin dëmtuar.

“Gjendja që u krijua nga operacioni armik nuk duhet të vazhdojë, detyra e ngarkuar Divizionit të Parë Sulmues, më 1 Qershor mbetet në fuqi dhe do ta zbatoni porsa të kini mundësi”, thuhej në fonogramin që i dërgohej Divizionit nga komanda eprore. Në zbatim të urdhrit Divizioni i Parë Sulmues kaloi lumin Shkumbin në katër pika dhe filloi veprimet që nga Qafe Kërraba përbri Elbasanit, në Labinot, Librazhd e Qafë Thanë. Kalimin e Divizionit në Veri, propaganda armike naziste e quajti si përpjekje të forcave të ushtrisë partizane të shpartalluara në Jug e që tani kanë ardhur të kërkojnë strehë në Veri të vendit. Armiku u shqetësua shumë dhe ndjeu rrezikun e Brigadës së Parë, e të 5-të Sulmuese. Divizioni hyri në këto zona me formacion luftarak. Në skalionin e parë Brigada e 4-ët me 4 batalione, Brigada e 5-të me skalionin e dyte me 4 batalione dhe Brigada e Parë me 4 batalione. Por as rigrupimi i forcave naziste nga Shqipëria e Jugut dhe dërgimi i tyre në drejtim të Veriut për të përballuar forcat e Divizionit të Parë Sulmues, e as futja në luftë e trupave të tjera naziste gjermane të divizioneve 181 dhe 21, nuk mundën të ndalonin forcat partizane të zbatonin detyrat e ngarkuara. Forcat e Divizionit vazhduan përpara duke luftuar dhe çliruar gjithë këto zona në Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Duke vlerësuar veprimet luftarake të këtij divizioni në këtë etapë, ish komandanti i tij Z. Mehmet Shehu ka thënë: “Ky vendim i Komandës së Përgjithshme për një manovër të gjerë të Divizionit të Parë Sulmues, duke u futur thellë në dispozitën e armikut dhe duke e goditur në bazat e tija më të forta në rezervat e tij kryesore, pati një rëndësi historike”. Divizioni u rrethua 3 herë nga forcat armike në qarkun e Dibrës, porse duke përdorur sulmin si armë kryesore dhe i ndihmuar dhe nga populli, manovroi dhe shpartalloi armikun. Divizioni jo vetëm që doli nga rrethimi, por në një kohë të shkurtër arriti të shpartallonte të gjitha forcat e armikut dhe të çlironte të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe një pjesë të Shqipërisë së Veriut. Mbas veprimeve luftarake të kryera me sukses të plotë nga Divizioni i Parë Sulmues, Shtabi e ngarkoi të kryente detyra të tjera në Shqipërinë e Mesme dhe sidomos të luftonte kundra ushtrisë gjermane në rajonet e mëposhtme. Në këto veprime ai kishte për qellim të godiste për vdekje UANÇ, forcën e armatosur e të lavdishme të popullit tonë, të farkëtuar nëpërmjet kaq luftërash të përgjakshme, si dhe të godiste Frontin Nacional-Çlirimtar. Kështu ata për të zbatuar planin e “Tokës së djegur” veç forcave që kishin, sollën forca nga Jugosllavia e Greqia. Kështu ata hodhën kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare rreth 5 divizione dhe pikërisht divizionet 297, 181, 21, 104, pjesërisht forca të Divizionit 1 dhe reparte të tjera që në total arrinin 70 mijë veta. Të gjithë këto forca ishin të mbështetura me artileri të kalibrave të ndryshëm, tanke, autoblinda e aviacion. Kjo forcë komandohej nga gjenerali gjerman Sober. Divizioni Parë sulmues pasi hyri në përbërjen e Korparmatës se Parë kreu me nder detyra luftarake shumë të rëndësishme. Brigada e Parë Sulmuese çliroi Krujën, zhvilloi luftime në Prezë dhe me përgatitjen dhe luftimet që zhvilloi çliroi Tiranën. Brigada e 4-ët Sulmuese veproi në zonën e Elbasanit dhe u shkaktoi humbje të rënda ushtrisë gjermane në Qafë Kërrabë e Mushqeta dhe gjithashtu zhvilloi luftime në Tiranë ku çliroi këtë të fundit. Brigada e 5-të Sulmuese veproi në Lumë. Ajo godiste kolonat gjermane në rrugën Kukës-Prizren, çliroi Hasin dhe ajo u angazhua në luftimet për çlirimin e Tiranës. Nder dhe lavdi partizanëve, partizaneve, komandantëve, zv. komandantëve, komisarëve, zv. komisarëve dhe heronjve të Atdheut.