Intervistë me Edmond Spahon: Pesë eurodeputetët nuk erdhën për krizën politike. Mandat-marrësit nuk manipulojnë kauzën e Opozitës

459
Sigal

Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së

 

Nuk ka pasur asnjë negociatë me 5 eurodeputetët në Tiranë, sepse ata nuk kanë ardhur për të zgjidhur krizën politike, por për të parë plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

 

Mercenarët që marrin mandate, nuk do të manipulojnë dot kauzën e Opozitës

 

Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se 5 eurodeputetët nuk erdhën në Tiranë për të zgjidhur krizën e thellë politike, dhe as nuk bënë negociata me PD-së. Spaho thekson edhe një herë, se nuk ka kthim për Opozitën dhe rruga e vetme politike është protesta, deri në largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie tranzitore e cila do të organizojë zgjedhje të parakohshme. Zoti Spaho thotë se grevëthyesit që do të marrin mandatet, nuk mund të manipulojnë dot kauzën e opozitës.

 

Jakup B. GJOÇA

 

-Zoti Spaho, çfarë negociuan 5 eurodeputetët me PD?

-Nuk ka pasur asnjë negociatë me ata, sepse nuk kanë ardhur për të zgjidhur krizën politike, por për të parë plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Vizita ka qenë e planifikuar kohë më parë. Ne ju kemi shpjeguar se pse ndodhemi në një situatë të tillë. Opozita u detyrua që të kalonte në veprimin ekstrem të lënies së mandateve të deputetëve, sepse vendi po kalon në diktaturë të një njeriu, Edi Ramës. Regjimi i tij sikurse bëri publike “Zëri i Amerikës” ka vjedhur zgjedhjet me grupet kriminale anembanë vendit, është regjimi më i korruptuar në Evropë sipas Transparency International, po zhvat buxhetin nëpërmjet PPP, nuk ka vende pune dhe Shqipëria po zbrazet nga emigracioni. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, Prokuroria është kapur nga veglat e Ramës Arta Marku dhe Donika Prela, asnjë çështje e rëndësishme nuk është zbardhur dhe gjykuar veçanërisht dosja 339. Në Kuvend Edi Rama nëpërmjet levave të tij e përjashtoi opozitën nga çfarëdolloj roli. Në kushtet e mësipërme opozita nuk mund të shërbente si fasadë në Parlament.

-A sollën ata propozime të mazhorancës tek ju, si palë e ndërmjetme negociatorësh që të gjenden zgjidhje të krizës politike të pranueshme nga të gjitha palët politike?

-Asnjë lloj propozimi i kësaj natyre. Ne nuk negociojmë me Edi Ramën. Ai të largohet, t’i hapë rrugë një qeverie tranzicioni që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

-Ju si e shpjegoni deklaratën publike të delegacionit të PE në Tiranë se zgjedhjet janë legjitime, qeveria legjitime?

-Që zgjedhjet janë vjedhur me ndihmën e krimit të organizuar nuk e thotë opozita, por shërbimet partnere të huaja, të cilat kanë përgatitur dosjen 339 dhe Prokuroria që ka hetuar zgjedhjet në Dibër. Këto deklarata tregojnë mosnjohjen e thellë të problemit ose njohjen e tij nëpërmjet syrit dhe veshit të Edi Ramës. Mjaft t’ju kujtoj që edhe raporti i OSBE/ODIHR në rekomandimin e tretë të tij flet për shitblerjen e votës, si problem shqetësues dhe nevojën për adresimin sa më parë të tij. Po kështu një anketim i BE me një OJQ në Shkup zbuloi se 20% të votuesve shqiptarë ju janë ofruar para në këmbim të votës në zgjedhjet e 2017.

-A është e vërtetë zërat që thonë se eurodeputetët erdhën në Tiranë vetëm me mision të detyrojnë opozitën të rikthehet në Parlament?

-Nuk e di misionin për të cilin kanë ardhur, por rruga jonë është pa kthim derisa të rrezohet Edi Rama, të krijohet qeveri tranzicioni dhe të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rruga jonë është rruga e protestave dhe qytetarët na kanë mbështetur në mënyrë shembullore dhe masive.

-A ka rrezik që PE dhe Bashkimi Evropian të kenë të njëjtin opinion dhe qëndrim politik për krizën politike në Shqipëri me atë deklaratë që bëri Delegacioni i PE në Tiranë?

-Ne po përpiqemi të sqarojmë të gjithë miqtë e Shqipërisë në mënyrë që të kuptojnë realitetin e vendit ashtu si është. Situata po ndryshon nga dita në ditë. Mjaft t’i referohesh reportazheve të medias në Itali, Gjermani dhe vende të tjera, të cilat kanë shtruar pyetjen se edhe sa do të qëndrojë në këmbë kjo qeveri e lidhur me kriminelët.

-Nëse shumë kandidatë nga Listat e PD dhe LSI marrin mandatet dhe paskëtaj pranojnë të jenë si opozitë a ka rrezik të dështojë aksioni politik që ndërmori OPOZITA duke dorëzuar mandatet?

Asnjë rrezik nuk ka që të dështojë aksioni ynë. Pavarësisht ndonjë grevëthyesi, çdokush e di që opozita e vërtetë jemi ne dhe populli vjen pas nesh dhe jo pas kukullave të Edi Ramës.