Hyqymet Zane:Demokraci apo rilindje për diktaturë?

622
Sigal

Debat i madh për dëshmorët, për partizanët, për udhëheqjen komuniste dhe për ata postkomunistë, për të quajturit ballistë apo demokratë, kanë disa qëllime të tilla që na kanë lënë prapa kohës dhe jeta e shqiptarëve duket si një tmerr pa fund. Asgjë absolute nuk ka në këtë botë, por në këtë vendin tonë e keqja dhe ligësia po bëhet absolutisht diktati i jetës sonë. Me ose pa dashje, në këtë gati çerek shekulli XXI, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë ende busullën orientuese të të ardhmes së tyre. E nisëm luftën antifashiste me orientim serb me praninë e Popoviçit dhe Mugoshës, me specialitetet e Tempos dhe Stojniçit që ditën të krijonin një Enver ndryshe nga ç’e kishte origjinën dhe trashëgiminë që thuhet, se bëri luftën në bazat e celulave duke u “përpjekur” shumë të gjente edhe të ardhmen e tij familjare. Edhe pse komandanti i vërtetë i luftës me Brigadën e Parë ishte Mehmeti me shkollë dhe eksperiencë ushtarake, gjithnjë meritat i donte ai, komandanti, i orientuari nga Serbia antishqiptare. Dashuria për atdheun dhe antinazifashizmi e bënë këtë popull të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut, të binin dëshmorë në lulen e rinisë djemtë e nënave dhe një ditë vendi u çlirua për të nisur rrugën e Shqipërisë së lirë dhe demokratike. Dhe në fakt me udhëheqjen që u quajt Partia e Komunistëve në 45 vjet të qeverisjes së tyre u bë diktatura më e egër e Evropës Lindore. Për këtë flasin faktet e pakundërshtueshme. Me një fjalë, me gjakun e dëshmorëve dhe Heronjve të Popullit, në vend që të ndërtohej një Shqipëri demokratike, në fakt u bë një diktaturë e pamerituar për një popull që luftoi për lirinë e atdheut dhe korri diktaturën e vetvetes. Nuk besoj se duke folur e shkruar kështu shkelim gjakun e këtyre heronjve dhe dëshmorëve që unë i dua për idealin që ata patën dhe për kontributin që dhanë për lirinë e atdheut, se kështu dua edhe kontributet e babait tim gjatë luftës që u internua në kampet e përqendrimit të shfarosjes në masë. Mashtrimi që ndjeu një popull i tërë nga udhëheqja e PKSh, ishte i madh jo vetëm për nivelin e ulët të jetës sociale, por më shumë për luftën e klasave që u mboll, për eliminimin me qindra të elitës intelektuale të shkolluar jashtë vendit dhe që ishin një aset i madh për vendin. Por më keq akoma që në emër të gjakut të heronjve dhe dëshmorëve, u pushkatuan mijëra bij shqiptarësh në emër të armikut të klasës, deri sa edhe vetë udhëheqësit e luftës dhe kontributorët e tyre u eliminuan deri tek Mehmet Shehu që gjithsesi ishte bashkëpunëtori makbetian i Enver Hoxhës dhe u mboll shkatërrimi i shpirtit të shqiptarit.

Ja disa fakte të sakta të mbledhura nga statistika shtetërore:

  • Nga 7 vetë që u zgjodhën në Konferencën e Pezës, 5 prej tyre u vranë ose u burgosën;
  • Nga 13 të zgjedhur në Konferencën e Labinotit në Shtabin e Përgjithshëm, 8 prej tyre janë dënuar, 3 me pushkatim;
  • Nga 24 komandantët e brigadave që udhëhoqën luftën antifashiste, 14 janë dënuar si armiq të popullit;
  • Nga 22 ministra të qeverisjes së Enver Hoxhës janë dënuar si armiq, nga të cilët 8 me pushkatim;
  • Nga Heronjtë e Popullit, janë dënuar me pushkatim 7 prej tyre;
  • Nga 52 gjeneralë të dalë nga lufta, 29 syresh janë dënuar, nga të cilët 8 me pushkatim;
  • Janë pushkatuar 5548, nga të cilët 91 gra;
  • Të burgosur 14.363, nga të cilat 445 gra;
  • Të vdekur në burg 987, nga të cilat 7 gra;
  • Të futur në psikiatri 305 njerëz, nga të cilat 35 gra;
  • Të internuar 21. 401, nga të cilat 332 gra;
  • Të pushkatuar me ose pa gjyqe 10 mijë njerëz;
  • Të futur në burgjet dhe kampet e internimit kanë vuajtur mbi 80 mijë njerëz ku 16 mijë vetë vdiqën nga vuajtjet dhe uria.

Siç thamë më lart se janë fakte të mbledhura nga statistika shtetërore, kur dihet se ka ende numra e shifra të dënimeve dhe vrasjeve të kryera, të cilat nuk u dokumentuan kurrë

Një ditë im atë, ai nacionalisti antifashist që shpëtoi gjallë nga nazizmi, kërkoi me dokumente pensionin e Luftës si gjithë të tjerët. Por në zyrën juridike të Komitetit Ekzekutiv të kohës, një ish-Hero i Popullit në Elbasan që ishte i pranishëm në dorëzimin e dokumenteve, i tha babait (isha edhe vetë i pranishëm): “Pse gjallë shpëtuat ju? – Po, – i tha im atë. – Epo ju që shpëtuat gjallë u bëtë spiunë të gestapos?!” Një ish-sigurims që bën me njollë gjithë shqiptarët, e “njollosi” edhe kontributin e tim ati që vendosi të mos e kërkonte më atë pension të njollosur padrejtësisht.

Pikërisht këto të vërteta të parashikuara dhe të shprehura nga personalitete të ndryshëm shqiptarë, u thanë edhe nga aleatët e Luftës anglo-amerikanë. Por çdo gjë mbeti në dorë të diktatorit që bëri çfarë deshi dhe serhixhinjtë vetëm flisnin me grupe diversioniste dhe krijimin e lëvizjeve që vetëm ndizeshin dhe shuheshin pa bërë flakë. Ata që ndihmuan Lëvizjen Antifashiste e lanë këtë vend në një eksperiment të dhimbshëm me shifrat e mësipërme, sa njeriut nuk i vinte keq për njeriun që ta spiunonte deri në breza dhe hakmarrja e sigurimit ishte e gatshme për ndëshkime.

Kështu, në përfundimin e saj, diktatura ia la vendin ndryshimit dhe lëvizja studentore që përmbysi regjimin dhe hapi portat për një demokraci që shpresonte të rilindte jetën e vrarë dhe të burgosur në një vend që cilësohej si “vendi i shqiponjave”, por që u kthye në vendin e skllevërve të një diktatori.

Nisi të rilindë një shpresë dhe një jetë e lirë që gjithsesi nisi me gabime dhe çorganizime. Shqiptarët si shqiptarët, bëjnë ç’të duan me pronën pa pyetur për ligje dhe vendi sot nën sundimin e paligjshmërisë. Shqiptarët bënë edhe “revolucionin e vonuar demokratik” më 1997 dhe e majta me Fatos Nanon erdhi në pushtet dhe dha imazhe rilindëse një populli të shpërfytyruar si në një tokë ku gjithkush bënte çfarë të donte pa iu thënë nga askush se po i ngulnin thikën demokracisë. Ajo që ka rënë në sy në këto 28 vjet është qëndrimi i të quajturve ndërkombëtarë që ta themi troç kanë qenë partizanë të njërës dhe tjetrës anë të politikës, të djathtës dhe të majtës. Nëse do të pranoja përkohësisht ndihmën e atyre anglo-amerikanëve si shpëtimtarë dhe udhërrëfyes të rrugës për në demokraci, nuk kam se si të mbyll sytë që në emër të imazhit për rolin e ndërkombëtarëve, partizanllëku i euro-amerikanëve është bërë zhgënjyes.

Pas pushtetit të Berishës që gjithsesi nuk i shpëtoi gabimeve me aleancat e tij të gabuara, u desh një fjalë “Rilindje” që të mendohej se do të rikthehej një shpresë e madhe me një dorë të hekurt në qeverisjen e vendit, që gjithsesi nisi përsëri me një gabim në aleancë. Nuk janë pak por 6 vjet pushtet për të bërë shtet dhe kemi arritur në atë që edhe ndërkombëtarët, edhe evropianë, edhe amerikanë janë bërë palë e bashkë-udhëtimit të së keqes në këtë vend.

  • Nuk di se cili ambasador ka thënë se si vendi u mbush me drogë, pasi u prish Lazarati.
  • Nuk di cili ambasador ka thënë që ata që vjedhin bankat dhe Rinasin bashkë me të, autorët nuk kapen se kriminelët janë të veshur me pushtet.
  • Nuk di cili ambasador ka thënë se shqiptarët moshës rinore po ikin nga sytë këmbët si të ishin sirianë për të gjetur një tjetër jetesë, se duan t’i shpëtojnë “Rilindjes për të bërë diktaturë”.

Përse?

Thuhet e çfarë nuk thuhet se paratë e drogës dhe të krimit kanë pasuruar xhepat e ndërkombëtarëve që flasin në emër të shteteve demokratike që lejojnë ligjërimin e një diktature me kapjen e institucioneve në çdo gjë, në drejtësi, në arsim, në tenderë, në shëndetësi, në investimet në emër të të huajve dhe plasin skandalet pas skandaleve dhe ata, ndërkombëtarët thonë të kundërtën e asaj që shihet qartazi dhe që nuk ka nevojë për koment. Por të bësh komentin e pa duhur, kjo është qëllimisht bashkëpunim me ata që bëjnë “Rilindje për diktaturë”.

Një ditë mora vesh se një shqiptar i talentuar si Saimir Pirgu ishte shqetësuar për protestat e opozitës, se po prishin imazhin e Shqipërisë në botë dhe për ta ndrequr atë, ai paska thënë se i duhen 200 koncerte nëpër botë. Dakord, protestat si protesta nuk kanë gjithnjë bukë me gjalpë dhe me reçel, por kanë edhe dhunë dhe djegie (në Francë jelekverdhët bënë 100 – fishin e asaj që pretendohet se u bë në Tiranë). Por asnjëherë nuk u tha që në emër të cilës ligjësi ndaj këtyre protestuesve mund të përdoret lëndë kimike me efekte neuroparalizuese si lotsjellës vetëm e vetëm se pushteti kërkon të mbajë me çdo çmim qeverisjen e tij duke u udhëhequr nga parimi se “qëllimi justifikon mjetin”?!

Me dashamirësinë dhe respektin për talentin e madh Pirgu i shkrova dhe e pyeta se sa koncerte duhen dhënë për të ndryshuar imazhin e vjedhjes galopante në aeroportin e Rinasit që ishte kulmi i grabitjeve me autorë të dyshuar, por asnjëherë të kapur si edhe vrasja e bankierit të respektuar Artan Santo. E besoj shqetësimin që mund të ketë ky talent i muzikës për vendin e tij se e do Shqipërinë dhe i vjen keq për çka po ndodh. Duket se Partneriteti Publik Privat ka funksionuar edhe me ligje për të vjedhur gjithçka, por edhe pa ligje për të marrë edhe mbetjet e gjithçkaje që ka mbetur për ta dhënë këtë vend me koncesion.

Në këtë situatë kur kërkuam demokraci për të rilindur kombin shqiptar, vetëm ndërkombëtarët e ashtuquajtur apo të sunduar nga valixhet e pushtetit nuk flasin, se si Rilindja e 2013-s po jep frytet e veta për një diktaturë në çdo gjë me fjalor dhe sjellje arrogante të pushtetit dhe me pajtim ndërkombëtarësh si bashkudhëtarë.